Çka duhet të bëjë LDK para finales?

LDK e ka vetëm një problem: besueshmërinë! Për dreq, në politikë besueshmëria është esenciale. E keqpërdorur brutalisht nga PDK – herë me vetëdëshirë, herë duke u arsyetuar se «po na thonë miqtë ndërkombëtarë» të lidhim koalicion me PDK-në – LDK mund të jetë e besueshme vetëm nëse premton se me çdo kusht e përjashton koalicionin me partnerin e deritanishëm. Atëherë edhe kandidati për kryeministër mund të ketë një shans. Profesionalisht Avdullah Hoti s’ka behane, por deri në ditën e zgjedhjeve ai duhet të bind publikun e gjerë edhe me karizmën e tij.

Dr. Avdullah Hoti gjatë një takimi me dr. Wofgang Schäuble, ministër i Financave i Republikës Federale të Gjermanisë dhe njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të kancelares Angela Merkel.



«Shihemi në finale». Kështu tha Anton Quni në fjalimin e tij të ashpër kundër krerëve të tanishëm dhe mëhershëm të PDK-së. Fjalimi i Qunit në Kuvend elektrizoi disa deputetë të PDK-së, ndërsa kryetari i Kuvendit (dhe i PDK-së), i hutuar nga goditjet e rënda që i mori nga një oficer i luftës çlirimtare, u përgjigj si në kafe të katundit: për këtë çështje, tha ai, «flasim kur të duash dhe si të duash». Mund ta merrte fjalën dhe të fliste në Kuvend, sepse aty është tribuna për t’iu drejtuar publikut. Por shefi i PDK-së iu shmang ballafaqimit me gjasë i frikësuar se nuk do ta merrte askush seriozisht.

«Shihemi në finale». Këto fjalë tashmë janë shndërruar në slogan elektoral të LDK-së, ndonëse Anton Quni nuk shihet pothuaj askund në paraqitjet publike të krerëve të LDK-së. Po këta krerë kanë heshtur pas fjalimit të Qunit. Ndërsa votuesit potencialë të LDK-së e kanë përvetësuar sloganin, udhëheqja nuk e pa të udhës t’i dalë në mbrojtje Qunit as pas sulmeve brutale nga një borizane e PDK-së, e cila u përpoq t’ia dëmtojë kredibilitetin Qunit, duke e vënë në shënjestër si «dëshmitar të Gjykatës Speciale». (Nuk duhet humbur shumë fjalë dhe kohë për Gjykatën Speciale: ajo është themeluar për shkak se ekzistojnë dyshime se një duzinë krerësh të PDK-së kanë kryer krime të rënda. Kosova nuk mund të jetë peng i kësaj duzine, faji është individual dhe asnjë kosovar nuk duhet të ndihet keq nëse drejtësia ndonjëherë vepron. Sikletet e tyre përballë drejtësisë nuk duhet të jenë gajle e jona).

LDK e ka vetëm një problem: besueshmërinë para elektoratit! Për dreq, në politikë besueshmëria është esenciale. E keqpërdorur brutalisht nga PDK – herë me vetëdëshirë, herë duke u arsyetuar se «po na thonë miqtë ndërkombëtarë» të lidhim koalicion me PDK-në për interesa të vendit – LDK mund të jetë e besueshme vetëm nëse premton se me çdo kusht e përjashton koalicionin me partnerin e deritanishëm. Atëherë edhe kandidati për kryeministër mund të ketë një shans. Profesionalisht Avdullah Hoti s’ka behane, por deri në ditën e zgjedhjeve ai duhet të bind publikun e gjerë edhe me karizmën e tij. A e ka ai këtë potencial avancimi? Mbetet të shihet. Deri më tani në aspektin retorik Hoti nuk ka ndezur ndonjë fishekzjarr. Në ditët në vijim do të shohim nëse ky teknokrat do të tërheq vëmendjen me patos dhe përkushtim, me gjuhë bindëse dhe paraqitje sharmante.

Pa dashur të bëjmë ndonjë krahasim figurash: shumë nga këto cilësi nuk i ka pasur as Ibrahim Rugova. Heshtja e tij shpesh është kuptuar nga njerëzit e thjeshtë si urtësi dhe strategji, por kryesisht ka qenë vëzhgim situate. Epoka e Rugovës ka marrë fund qëmoti, Kosova është e pavarur, njerëzit tani kërkojnë nga LDK përgjigje të reja për problemet e vjetra. Njerëzit e çmojnë dijen profesionale, por nga një lider që kërkon besimin e tyre kërkojnë edhe gjeste që kanë efekt në masë. Edhe Aristoteli e kishte të qartë fuqinë e ndjenjave, andaj fjalimmbajtësin e porosiste «jo vetëm të shikojë që fjalimi të jetë dëshmues dhe i bindshëm», por të kujdeset që «veten dhe atë që e vlerëson ta zhvendosë në një gjendje të caktuar».

«Shihemi në finale» – në fund të fundit nuk domethënë asgjë nëse LDK nuk arrin jo vetëm në këto zgjedhje, por edhe në të ardhmen të bind njerëzit se është e gatshme që me tempo të shpejtë të përtërijë personelin udhëheqës politik. Krerët e tanishëm nuk mund të fitojnë zemrat e masave dhe të ngjallin shpresat duke brohoritur për çdo ditë mbi meritat e së kaluarës. Sepse merita për veprimtarinë e LDK-së që nga 23 dhjetori 1989 kanë qindra-mijëra aktivistë nga mbarë Kosova.

Është koha që çdo politikan në Kosovë të mësojë pak edhe nga partitë serioze në botën perëndimore. Të dielën socialdemokratët gjermanë pësuan një humbje të rëndë në zgjedhjet parlamentare në landin Nordrhein-Westfalen. Në orën 18:00 u publikuan parashikimet e para të rezultatit. Gjysmë ore më vonë kryetarja e socialdemokratëve për Nordrhein-Westfalen dhe zëvendëskryetarja e socialdemokratëve të Gjermanisë, Hannelore Kraft, dha dorëheqje. Kësaj i thonë përgjegjësi politike. Politikanët që nuk marrin përgjegjësi për humbje në zgjedhje dhe sidomos ata politikanë që tërë karrierën e kalojnë duke i hedhur ngjitës karriges për t’u kapur sa më fort për të, nuk janë të dobishëm as për partinë, as për shoqërinë. Isa Mustafa e bëri një gjysmëhap, duke ia dorëzuar stafetën Avdullah Hotit. Si kandidat për kryeministër Hoti do të vlerësohet edhe me veprimet që do të bëjë në ditët në vijim. Cilët ekspertë do të jenë në ekipin e tij? Cilat figura të LDK-së do t’i favorizojë për poste ministrore? A do të jetë i aftë t’i afrojë personalitetet e LDK-së si Vjosa Osmani dhe shumë të tjerë apo do të jetë vetëm administrator i inateve të Isa Mustafës? Një gjë është e sigurt që sot: mes Hotit kryeministër me një koalicion të ndryshëm nga ky i deritanishmi dhe kandidatit të PDK-së për kryeministër zgjedhja është shumë e lehtë – dhe në favor të të parit. Është çështje besueshmërie. Asgjë më shumë, por as më pak. Këtë besueshmëri Hoti e rrezaton me punën si ministër Financash, me përgatitjen solide akademike, me përvojën në punë si ekonomist dhe profesor universiteti.