Çka dimë pas Brexit?

Sa më shpejt një grup, një institut, një industri ose një shoqëri e kupton interesin e vet, aq më lehtë i përballon ndryshimet dhe i shfrytëzon ato për avancimin e vet. Konstantja e vetme është ndryshimi. Ndoshta kjo është e vetmja që mund ta kem mësuar nga Brexit!

Ilustrimi: Shutterstock

Kanë kaluar tanimë tre muaj prej kur votuesit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën Veriore përmes një referendumi vendosën të largohen nga Bashkimi Europian. Reagimet e para ishin asgjë më shumë se kaotike: tregjet financiare hynë në një spirale tatëpjetë (për më shumë shih: http://dialogplus.ch/motoja-britanike-pas-meje-kiameti-u-befte-119603), votuesit filluan të bëjnë kërkime në google rreth pyetjes së referendumit (sic!), Theresa May-it iu dorëzua timoni i Mbretërisë Britanike, Islanda e eliminoi ekipin anglez nga Kampionati Europian i Futbollit, fuqia blerëse e atyre të cilët pagat i kanë në funta britanike ende është diku rreth 13 për qind më e ulët në krahasim me dollarin amerikan para Brexit-it. Humori britanik sidoqoftë ende mbetet i pandryshuar.

Vërehet një interes i rritur i britanikëve për modelin zviceran të marrëdhënieve bilaterale me Bashkimin Europian.

Edhe pse duken të jenë ekonomi mjaft të ndryshme, interesat e Zvicrës dhe të Mbretërisë së Bashkuar janë përafruar mjaft pas Brexit-it. Londra dhe Zürichu janë dy vende kyçe në tregun financiar dhe të dytë nuk janë/nuk do të jenë brenda Bashkimit Europian. Ashtu siç e gjeti Zvicra, përmes marrëveshjeve bilaterale me BE-në, një rrugë të mbetet atraktive për talentet nga mbarë Europa, po ashtu po mundohet ta bëjë këtë edhe Britania e Madhe.

Londra qëndron pas këtyre skenarëve të mundshëm: Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda Veriore largohen plotësisht nga Bashkimi Europian dhe si pasojë e kësaj ndërpriten edhe marrëveshjet për qarkullimin e lirë të fuqisë punëtore dhe lehtësimeve të tjera në tregun financiar. Institutet e mëdha financiare detyrohen ta braktisin plotësisht Londrën dhe t’i zhvendosin punëtorët e tyre në qytete si Frankfurti ose Madridi (i cili duket të jetë mjaft atraktiv, duke u bazuar në cilësinë e sistemit arsimor dhe shkallën e lartë të papunësisë të rinisë së arsimuar). Braktisja e plotë e Londrës duket se nuk do të jetë skenar i pranueshëm për asnjërën palë, as për Londrën, as për institutet financiare.

Londra mund ta negociojë një status të veçantë me BE-në dhe t’i fitojë disa privilegje të shtuara në krahasim me pjesët e tjera të Britanisë. Ky model i ngjashëm me atë të Hong Kongut do t’i mundësonte instituteve të huaja financiare së paku ta mbajnë një pjesë të madhe të punëtorëve të tyre në Londër dhe të largojnë vetëm një pjesë të vogël në Frankfurt, Madrid ose Milano. Në këtë rast City of London, qendra financiare e Londrës, do të mbetej qendër e rëndësishme në tregun financiar dhe do të mbetej po ashtu atraktive për talentet në këtë sektor.

Sidoqoftë, Brexit e ka hapur një kuti me krimba dhe u ka dërguar sinjale shteteve të cilat ndihen të pakënaqura se BE nuk është një formulë e pandryshueshme. Po ashtu nuk është e pandryshueshme asnjë marrëveshje, e cila në momentin kur është formuluar mund të ishte më e përshtatshmja, mirëpo në kuadër të zhvillimeve krijon nevojën e ripërshtatjes së saj.

Tregjet financiare i përshtatën shumë shpejt ambientit të krijuar, sepse interesin e tyre e kanë qartë të definuar. Sa më shpejt një grup, një institut, një industri ose një shoqëri e kupton interesin e vet, aq më lehtë i përballon ndryshimet dhe i shfrytëzon ato për avancimin e vet. Konstantja e vetme është ndryshimi. Ndoshta kjo është e vetmja që mund ta kem mësuar nga Brexit!