Citati kundër Kosovës: a po gënjen «Politika» e Beogradit apo nënkancelari austriak Strache?

«Kosova është pjesë e Serbisë». Kështu citohet të ketë thënë për «Politikën» e Beogradit vicekancelari i Austrisë Heinz-Christian Strache. Në Austri Strache është kritikuar ashpër, ministria e Jashtme është distancuar nga deklarata e tij. Një zëdhënës i Straches ka deklaruar se nënkancelari nuk ka thënë se Kosova është pjesë e Serbisë, por nuk e ka akuzuar gazetën serbe për manipulim.

Heinz-Christian Strache. Foto: APA



Dikush këtu po gënjen. Ose gazetari i «Politikës» së Beogradit, Milenko Pešić. Ose Heinz-Christian Strache, zëvendëskryeministër i Austrisë. Në edicionin e fundjavës Pešić botoi një intervistë me Strachen, i njohur për qëndrimet e tij proserbe dhe kundërshtimet ndaj pavarësisë së Kosovës. «Politika» e citon Heinz-Christian Strachen me këto fjalë: «Kosova është pjesë e Serbisë». Citati gjatë ditës së diele ngjalli reagime të shumta në Austri. Për fat të keq ishte e pamundshme të kontaktohet gazetari Pešić: në internet dhe në faqen e gazetës së tij nuk ka asnjë të dhënë se si të vendoset kontakti me të. Në shekullin 21 kjo është një praktikë e panjohur në mesin e gazetarëve. Sidoqoftë, në ditët në vijim Pešić do të ballafaqohet me pyetjen nëse mund ta dokumentojë se Strache ka thënë se Kosova është pjesë e Serbisë.

Sipas agjencisë austriake të lajmeve APA bashkëpunëtorë të Straches e kanë demantuar deklaratën e bujshme të nënkancelarit në prag të vizitës në Beograd, e cila filloi të dielën. Martin Glier, zëdhënës i Straches, deklaroi se Strache nuk ka thënë se Kosova është pjesë e Serbisë. Sipas Glier «Austria ka qenë ndër vendet e para që e ka pranuar Kosovën dhe që nga atëherë është një përkrahëse e vendosur e Kosovës. Austria mbështet perspektivën europiane si të Serbisë ashtu edhe të Kosovës. Ky është qëndrimi i qeverisë federale (të Austrisë) dhe këtu nuk ndryshon asgjë».

Ministria e Jashtme Karin Kneissl përmes një zëdhënëseje është distancuar nga Strache. «Njohja e Kosovës nga Austria është një fakt i paluajtshëm. Ai nuk mund të ndryshohet», njoftoi një zëdhënëse për gazetën «Die Presse». Kneissl nuk është anëtare e partisë së Straches FPÖ, por ka qenë Strache që e ka propozuar për ministre të jashtme dhe ajo ka pranuar këtë post. Për dallim nga Strache Kneissel njihet si përkrahëse e vetëvendosjes së popujve.

Deklarata e Straches për Kosovën ka nxitur reagime të ashpra nga politikanët austriakë. Othmar Karas, shef i delegacionit të Partisë Popullore Austriake (ÖVP) në Parlamentin Europian, tha se është i tronditur dhe pa fjalë. ÖVP qeveris bashkë me FPÖ-në e Straches. Karas tha se Strache duhet të përfaqësojë vijën zyrtare të Austrisë. Claudia Gamon nga partia Neos e ka akuzuar nënkancelarin Strache për nxitje të konflikteve të Ballkan. «Fakti që Strache e vë në dyshim pozitën e Republikës (së Austrisë) dhe saboton arritjen e një marrëveshjeve mes Beogradit dhe Prishtinës, është plotësisht e papranueshme dhe nxit konfliktin mes kombeve». Edhe lëvizja Paneuropa ka kundërshtuar deklaratën e Strache. Sipas saj duket se Strache i ka kaluar në gjumë disa zhvillime në Ballkan gjatë viteve të shkuara.

Deklarata e Straches për Kosovën e vë në pozitë të vështirë për herë të dytë brenda pak javësh ministrinë e Jashtme në Vjenë. Në fillim të janarit politikani i FPÖ-së Johann Gudenus vizitoi Banjallukën dhe nga popullist i atjeshëm serb Millorad Dodik mori një dekoratë për Strachen. Së fundi dolën në shesh detaje të një interviste të Straches dhënë një televizioni serb, ku ai vë në pyetje të ardhmen e Bosnjës dhe deklarohet për pavarësinë e Republika Srpskas. Shefi i grupit parlamentar të socialdemokratëve austriakë Andreas Schieder e quajti Strachen «zjarrvënës», ndërsa deputetja austriake në Parlamentin Europian Andrea Milnar deklaratat e Straches i cilësoi luftënxitëse. Gjatë ditës së hënë Strache në Beograd do të takohet me kryeministren Ana Brnabić dhe ministrin e Jashtëm Ivica Dačić.

Gazeta «Politika» është tradicionalisht e afërt me qeverinë serbe dhe gjatë historisë së saj të gjatë ajo ka kaluar nëpër faza të ndritshme (gjatë Jugosllavisë socialiste) dhe të errëta (gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqi). Vitin e kaluar «Politika» botoi një artikull me titullin: «Kundër dhunës, jo kundër burrave dhe grave». Autori me emrin «Petar Veličković» akuzonte feministet se po i shfrytëzonin rastet e dhunës familjare për «qëllimet e tyre politike».

Gazeta «Politika» e prezantoi autorin «Petar Veličković» si «psikiatër të forenzikës, ekspert gjyqësor për kujdes ndaj fëmijëve, nga Montreali, Kanada». Tekstin e tij gazeta e ilustroi me foton e autorit. Pas botimit të tekstit u zbulua se fotografia ishte e aktorit gjerman Andreas Kaufmann, i panjohur në Serbi, por i njohur në Gjermani nga seria «Marienhof». I zemëruar me keqpërdorimin flagrant të fotografisë së tij Kaufmann ka dorëzuar padi kundër gazetës «Politika» në një gjykatë të Beogradit.