Çitaku: Artikulli i NYT, vetëm gjysma e së vërtetës dhe me dy vjet vonesë

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku në një intervistë për HuffingtonPost ka folur për artikullin e New York Times, «Kosova, tokë e pëlleshme për ISIS-in».




Reportazhi i NYT sqaron se paratë e vendeve arabe si Arabia Saudite, Kuvajti, Emiratet dhe Katari e kanë shndërruar Kosovën nga një vend tolerant dhe me siguri kombëtare, në një vend të dominuar nga vehabistët.

«Artikulli i New York Times është i saktë, por e thotë vetëm gjysmën e së vërtetës dhe me dy vjet vonesë», ka thënë Çitaku në një intervistë sy-më-sy me analisten Hiam Nawas, transmeton Koha.net.

«Unë, personalisht, isha njëra prej zyrtareve të para që foli publikisht për problemin e radikalizmit në Kosovë që në vitin 2009. Më 2014 qeveria ime dinte për problemin e radikalizmit dhe mori masa drastike legjislative dhe operative kundër tij. Si rrjedhojë, më pak se 10 kosovarë iu bashkuan ISIS-it në vitin 2016 dhe asnjë më 2016», ka thënë ambasadorja kosovare, e cila ka shtuar se ISIS-i mbetet problem për Kosovën ashtu siç është për pjesën tjetër të botës.

Kosova ka aprovuar një sërë procedurash legjislative për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. Parlamenti aprovoi në vitin 2014 një ligj për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Një vit më vonë u miratua edhe ligji për Parandalimin e pjesëmarrjes në luftëra të huaja.

Ky ligj e cilëson si krim çdo «organizim, rekrutim, udhëheqje ose stërvitje të personave ose grupit me qëllim pjesëmarrjen në një luftë të huaj ose në çfarëdo forme të konfliktit jashtë Kosovës».

Një krim i tillë mund të dënohet nga 5 deri në 15 vjet burgim. Një vit më parë, Kosova aprovoi një Strategji në Parandalimin e Dhunës Ekstremiste dhe Radikalizmin që shpie në Terrorizëm. Kjo strategji thekson se «Kosova do të marrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar burime të nevojshme për rrënjosjen e suksesshme të Strategjisë dhe Planit të Veprimit».

Ambasadorja Çitaku, ish-konsulle e Kosovës në New York, nuk e fsheh faktin se paratë e vendeve të Gjirit, që përfaqësonin brendin vehabi, kanë depërtuar në Kosovë, por ka mohuar se qeveritë e atyre vendeve janë përgjegjëse për këto aktivitete, transmeton Koha.net.

Qëndrimi i ambasadores kosovare është në linjë të njëjtë me atë që besojnë edhe disa zyrtarë në Washington. Administrata amerikane pohon se qeveritë saudite nuk financojnë aktivitetet radikale, por janë disa persona sauditë që e bëjnë këtë.

Duke dashur që të mbetet anonim, një zyrtar i lartë i Qeverisë amerikane ka thënë se «nuk ka prova se qeveria saudite financon këto aktivitete. Janë disa organizata private dhe individë që financojnë ekstremizmin».

Ai ka bërë thirrje që mediat dhe politika duhet të kenë kujdes në dallimin e këtyre gjërave. Zyrtari amerikan pohon të ketë lexuar edhe artikujt sekretë për 11 shtatorin. Në raportin prej 30 faqeve ai nuk ka gjetur asgjë nëse qeveria saudite financoi sulmet 9/11. Ndarja që e bënë Washingtoni nuk është bindëse dhe konsideron se Arabia Saudite nuk është oazë e demokracisë.

Analistë mirë të informuar besojnë se Kosova është pjesë e një dëmtimi kolateral nga kundërthëniet politike lidhur me lidhjet e mundshme të qeverisë saudite me terrorizmin islamik dhe sulmet e 11 shtatorit.

«The Huffington Post» shkruan se artikulli i «New York Times» më shumë ka të bëjë me Arabinë Saudite sesa me Kosovën. Në shumë mënyra, Arabia shihet si financuese e terrorizmit islamik dhe përgjegjëse për përhapjen e vehabizmit [formë radikale dhe jo tolerante e Islamit] anembanë botës.

Gazetarja Hiam Nawas shkruan se NYT e përdori Kosovën si shembull për të shpërfaqur rolin e Arabisë Saudite për t’i hapur rrugë terrorizmit duke bërë propagandë për formën sekulare dhe jotolerante të Islamit.

«Ne jemi myslimanë», thekson Çitaku, «por mbesim sekularë dhe megjithëse kemi marrëdhënie të mira me vendet e Gjirit, vizioni ynë është i fokusuar në anëtarësimin në BE, NATO dhe të qëndrojmë përkrah Amerikës. Ne së fundmi kemi hapur një konsullatë në Des Moines për të përkrahur angazhimet civile dhe mbrojtëse me SHBA-të».

Gjeneral Majori Tim Orr nga Garda Kombëtare e Iowas, e cila ka një marrëveshje partneriteti për operacionet e sigurisë me Kosovën që nga viti 2011, pajtohet me ambasadoren Çitaku.

«Kosova e kupton se e ardhmja e saj është të jetë pjesë e institucioneve evropiane dhe ndërkombëtare», thekson ai, para se të shtojë se «Kosova është shteti më pro-amerikan që kam parë ndonjëherë dhe ata do të vazhdojnë t’i përkrahin SHBA-të si mike dhe aleatë. Ne jemi të nderuar që kemi ata si partnerë të sigurisë tonë».

Çitaku pohon se «Kosova ka frenuar donacionet private që vijnë nga Gjiri. 19 OJQ me financim të dyshimtë janë mbyllur. Prishtina pranon fonde vetëm fonde të identifikuara nga qeveritë e Gjirit Arab siç janë 20 milionë eurot e Emirateve të Bashkuara Arabe për të ndërtuar spitalin pediatrik në Kosovë. Edhe derisa Kosova i është falënderuese bamirësisë së Emirateve, ne shikojmë kah Perëndimi jo kah Lindja. Presidenti ynë së fundmi iu bashkua paradës së LGBT-së së bashku me ambasadorët britanikë dhe amerikanë në Prishtinë, pashë Zotin. Kjo do të thotë diçka».