Cilat janë qëndrimet e partive kryesore gjermane ndaj Ballkanit?

Konservatorët e kancelares Angela Merkel janë shumë skeptikë sa i përket zgjerimit të BE-së. Socialdemokratët thonë se të gjitha vendet e Ballkanit kanë një perspektivë të anëtarësimit. Por, të dy partitë kanë një kërkesë të qartë: asnjë vend i Ballkanit nuk do të ketë vend në BE pa u shndërruar në shtet funksional, ku sundon ligji, ku luftohet korrupsioni, ku kultivohet toleranca dhe respektohen pakicat etnike dhe politike.

EKSKLUZIVE --- Cilat janë qëndrimet e partive kryesore gjermane ndaj Ballkanit? Ilustrimi: Shutterstock



Zgjerimi i BE-së ka qenë temë edhe në fushatën elektorale në Gjermani. Por, dy partitë kryesore, CDU e kancelares Angela Merkel dhe SPD e Martin Schulz, kanë debatuar kryesisht për Turqinë. Për shkak të forcimit të sistemit autoritar nën presidentin Rexhep Taip Erdoan, dy partitë gjermane, të cilat kanë qeverisur vendin në katër vitet e fundit, janë deklaruar hapur për ndërprerjen e negociatave për anëtarësim me Ankaranë.

Zgjerimi i BE-së në Ballkan, ndërkaq, nuk ka qenë temë e fushatës elektorale. Në prononcimet publike Merkel dhe Schulz theksojnë domosdoshmërinë e përkrahjes së shteteve ballkanike, por janë tejet të rezervuar sa i përket premtimeve për anëtarësim. Në programin e CDU-së zgjerimi i BE-së në Europën juglindore nuk përmendet fare. Theksi vihet te konsolidimi i BE-së në fushën e sigurisë së brendshme dhe të jashtme, në mbrojtjen nga valët e migrimit dhe ruajtjen e mirëqenies.

«Kohërat kur ne mund të mbështeteshim plotësisht te të tjerët i kemi lënë pas në masë të madhe. Ne europianët duhet ta marrin fatin tonë në duart tona – në mënyrë më konsekuente se deri më tani», premton CDU në programin e saj. Nën qeverinë e ardhshme, të cilën sipas të gjitha gjasave do ta kryesojë Angela Merkel, Berlini do të vazhdojë të përkrahë vendet e Ballkanit në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili është iniciuar për t’iu dëshmuar vendeve të Ballkanit se Europa nuk i ka harruar.

Si CDU ashtu edhe SPD kundërshtojnë pranimin e vendeve të reja në BE nëse ato nuk i plotësojnë kriteret për anëtarësim. Në programin e SPD-së thuhet: «Politika e zgjerimit të BE-së mbetet e rëndësishme për të stimuluar paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin. Njëkohësisht BE duhet të sigurojë kapacitetin për të vepruar përmes reformave të brendshme. Të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor kanë një perspektivë të anëtarësimit. Ne përkrahim afrimin e tyre me BE-në dhe i kushtojmë vëmendje të veçantë zhvillimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit».

Në prononcimet për media CDU ka bërë të ditur se as BE, as vendet kandidate për anëtarësim nuk duhet të mbingarkohen. «BE duhet të jetë zonë e stabilitetit politik dhe e paqes në Europë. Andaj, për ne është me rëndësi: konsolidimi para zgjerimit. Pranimin e vendeve të tjera europiane në BE ne nuk e përjashtojmë parimisht. Por, pranimi i tyre mund të bëhet vetëm atëherë kur kandidatët për anëtarësim i plotësojnë tërësisht të gjitha kriteret e pranimit dhe njëkohësisht nëse BE është e aftë për t’i pranuar».

Ky është një mesazh i qartë: asnjë vend i Ballkanit nuk do të ketë vend në BE pa u shndërruar në shtet funksional, ku sundon ligji dhe vetëm ligji, ku luftohet korrupsioni, ku kultivohet toleranca dhe respektohen pakicat etnike dhe politike.

Pas paralajmërimit të socialdemokratëve se do të kalojnë në opozitë, kancelarja me gjasë e ardhshme Angela Merkel do të përpiqet të krijojë një koalicion me të Gjelbërit dhe Liberalët. Në programin e tyre të Gjelbërit theksojnë: «BE duhet të jetë më aktive në formësimin e politikës së saj ndaj fqinjëve. Politika e zgjerimit e BE-së për neve është një rrëfim suksesi. Ajo është simbol i paqes dhe stabilitetit në Europë. Por, anëtarësimi i çdo vendi duhet të varet në mënyrë konsekuente nga përparimet në procesin e anëtarësimit dhe përmbushjes së kritereve të Kopenhagës. Ne duam që të gjitha shtetet e Ballkanit të integrohen në BE pa ndryshimin e kufijve të tyre dhe premtimi për anëtarësim duhet të bëhet i besueshëm përmes bashkëpunimit të thellë me mundësisht sa më shumë akterë shoqërorë të Ballkanit perëndimor».

Liberalët (FDP) në programin e tyre angazhohen për bashkëpunim më të ngushtë me «fqinjët lindorë» të BE-së dhe në këtë kontekst përmendin Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, por çuditërisht Ballkani nuk përmendet me asnjë fjalë.