Cilat janë brengat e të rinjve të Kosovës?

Një studim i sapo botuar i Fondacionit gjerman «Friedrich Ebert» tregon se «brezi i pavarësisë» së Kosovës ka rënë në apati të thellë. Pjesa dërmuese e të rinjve janë shumë të varur nga prindërit dhe nuk janë të kënaqur me cilësinë e arsimit në Kosovë. Mbi gjysma e të rinjve pranojnë se ka raste korrupsioni në institucione. Ata që kanë një vend pune, kryesisht nuk punojnë në profesionin e tyre. Vetëm 10 për qind besojnë se përfaqësohen «mirë» në politikë, gjithashtu ka një rënie dramatike të interesimit të të rinjve në ngjarjet politike. Rreth gjysma e të rinjve shqiptarë të Kosovës duan të largohen nga vendi.

Foto: Shutterstock



Studimi i  Fondacionit gjerman «Friedrich Ebert», i cili është i afërt me Partinë Socialdemokrate (SPD), pasqyron brengat, aspiratat, vlerat dhe mënyrën e jetesës së rinisë kosovare. Të rinjtë, që sot janë në moshën 14 deri 29 vjeç janë rritur pas ndarjes së Kosovës nga Serbia, në një Kosovë të pavarur, kështu që mund t’i quajmë «brezi i pavarësisë». Ky brez është një mjet i rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës në të ardhmen. Shumica e të rinjve jetojnë me familjet e tyre, kryesisht për arsye praktike apo thjesht pasi që kjo është mënyra tradicionale e jetesës. Të rinjtë dëshirojnë që të martohen në moshën 26 – 28 vjeçare dhe në përgjithësi duan të kenë tre fëmijë. Ka një pjesëmarrje të ulët në aktivitete vullnetare dhe një nivel të lartë të homofobisë, që tregon një shkallë të ulët diversiteti.

Të rinjtë në Kosovë në përgjithësi janë tradicionalë. Studimi ynë tregon se janë shumë të varur nga prindërit – kryesisht moralisht dhe materialisht – dhe preferojnë që në të ardhmen të jenë pjesë e familjeve të mëdha. Ky brez i ri ka një grup të veçantë vlerash të bazuara në traditë, dhe ka filluar të jetë dëshmitar i disa ndryshimeve shoqërore, gjithnjë duke u rritur në një periudhë shumë intensive të inovacionit teknologjik.

Në përgjithësi, të rinjtë në Kosovë janë shumë të kënaqur me jetën e tyre. Fakti që vendi konsiderohet i pazhvilluar dhe të rinjtë janë të kënaqur me jetën e tyre, duhet të konsiderohet problematik, pasi të rinjtë janë më pak të motivuar për të kontribuuar në zhvillimin e Kosovës. Të rinjtë në Kosovë janë shumë optimistë për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e shoqërisë së Kosovës. Vajzat dhe personat që jetojnë në zonat urbane janë më optimistë se të tjerët. Ka një rritje të dukshme në moshën e preferuar të martesës për meshkujt dhe femrat, me të paktën dy vjet në krahasim me studimin e mëparshëm të vitit 2012. Edhe pse të rinjtë planifikojnë të martohen dhe të kenë fëmijën e parë pas moshës 25 vjeçare, duan të kenë një numër të madh fëmijësh dhe familje të mëdha.

Të rinjtë kryesisht nuk janë të kënaqur me cilësinë e arsimit në Kosovë. Vetëm 23 për qind mund të konsiderohen të kënaqur me cilësinë e arsimit dhe kjo është një nga shifrat më të ulëta në të gjithë rajonin. Për më tepër, Kosova është i vetmi vend që ka një përkeqësim në nivelin e kënaqësisë me cilësinë e arsimit. Më shumë se 56 për qind e të rinjve pranojnë se ka raste korrupsioni në institucionet/universitetet në Kosovë. Ky fenomen është më i përhapur në zonat urbane. Shumica e të rinjve që janë pjesë e tregut të punës nuk punojnë në profesionin e tyre. Si rezultat, ka një mospërputhje të madhe ndërmjet pritshmërisë së të rinjve për tregun e punës dhe nevojave ekzistuese për fuqi punëtore. Nga ana pozitive, të rinjtë të cilët kanë bërë stazh dhe praktikë gjatë studimeve të tyre duken se kanë shanse më të larta për të gjetur një punë në profesionin e tyre. Siguria e vendit të punës është faktori kryesor që të rinjtë e Kosovës konsiderojnë në zgjedhjen e një pune. Kjo nënkupton që ka një shqetësim të madh mbi të drejtat e punëtorëve, oraret e gjata të punës, problemet me pagat, etj. Ata që janë më të shqetësuar për sigurinë e punës kanë një dëshirë më të lartë për të punuar në sektorin publik dhe janë më pak të kënaqur me cilësinë e arsimit në Kosovë.

Në pesë vitet e fundit ka një rritje të konsiderueshme të preferencave të të rinjve për të punuar në sektorin publik. Ky pëlqim për sektorin publik duket në pothuajse 70 për qind të të anketuarve. Vetëm 10 për qind e të rinjve kosovarë janë të mendimit se interesat e tyre përfaqësohen «mirë» në politikën kombëtare. Kjo pikëpamje mbi mungesën e përfaqësimit është pothuajse e njëjtë në aspektet kryesore demografike të popullatës së re (urbane, gjinia, mosha, etj.). Ka një rënie dramatike të interesimit të të rinjve në ngjarjet politike në krahasim me 2012.

Ekziston një nivel rekord mosbesimi dhe apatie e të rinjve në Kosovë drejt të gjitha institucioneve politike, veçanërisht për partitë politike dhe qeverisjen kombëtare. Për më tepër, ka një skepticizëm më të madh ndaj organizatave të shoqërisë civile dhe medias. Nga ana tjetër ka një besim tek institucionet fetare dhe organizatat ndërkombëtare si NATO dhe OSBE. Rreth gjysma e të rinjve shqiptarë të Kosovës kanë një qëllim nga i moderuar deri në shumë të fortë për t’u larguar nga Kosova. Arsyet ekonomike janë arsyeja kryesore për t’u larguar nga Kosova drejt një vendi tjetër. Nga ana tjetër, vetëm një e katërta e të rinjve nga Kosova që dëshirojnë të migrojnë kanë njohuri të mira të gjuhës së punës të vendit të planifikuar si destinacionin e tyre, duke treguar se nuk janë të përgatitur paraprakisht për migrimin.

Sipas studimit të fondacionit gjerman ekziston një nivel i lartë mospjesëmarrjeje në veprimet qytetare dhe politike, pasi vetëm 10-16 për qind e të rinjve i konsiderojnë këto aspekte si shumë të rëndësishme. Si i tillë, ka mangësi në lidhjen e të rinjve që mund të grupohen së bashku për të qenë më bashkëpunues për dobi të përbashkëta. Megjithatë, shqiptarët kosovarë janë optimistë për të ardhmen e Kosovës në 10 vitet e ardhshme, pasi 71 për qind besojnë se e ardhmja do jetë më e mirë. Një shumicë e madhe e përbuz ryshfetin. Më shumë se një e treta e të rinjve kosovarë mund të konsiderohen si shumë të lidhur me fenë, pasi ndjekin shërbimet fetare një herë në muaj ose më shpesh. Meshkujt duket se janë më besimtarë se femrat. Ekziston një lidhje e fortë ndërmjet pjesëmarrjes në shërbime fetare nga të rinjtë dhe nivelit të perceptimit të fesë nga prindërit e tyre. Megjithatë, të rinjtë në Kosovë që mendojnë se vendi duhet të anëtarësohet në BE, duket se janë më pak besimtarë.

Të pyetur mbi aktivitetet që bëjnë më shpesh të rinjtë në Kosovë, ata e përqendrojnë kohën e tyre të lirë «duke kaluar kohë me familjen» si aktiviteti i përmendur më shpesh. Dëgjimi i muzikës dhe shikimi i filmave janë mënyrat më të përhapura të kalimit të kohës. Më pak se gjysma e të rinjve dalin me miqtë dhe nuk bëjnë asgjë. Kjo është shumë e përhapur tek pjesëmarrësit në fokus grupe dhe është zakonisht në formën e kalimit të kohës në bare. Shumica (56 për qind ) e rinisë në Kosovë qasen në internet gjatë gjithë kohës në çdo mënyrë (Wi-Fi, smart phone, publik, PC dhe/ose mënyra të tjera). Kjo është më e përhapur tek djemtë, zakonisht në zona urbane, dhe nga familje në gjendje të mirë ekonomike. Arsyet kryesore për përdorimin e internetit në pothuajse 85

për qind të rasteve janë të lidhura me komunikimin dhe mbajtjen në kontakt me të afërmit dhe miqtë. Gjysma e të anketuarve e përdorin internetin për arsimim ose punë. Duhanpirja nuk ka ndryshuar që nga viti 2012, pasi 71 për qind e të rinjve nuk janë duhanpirës. Nëntëmbëdhjetë për qind e meshkujve janë duhanpirës të rregullt, dhe vetëm shtatë për qind e femrave konsumojnë duhan rregullisht. Të rinjtë nga familje në një gjendje më të mirë ekonomike janë më shumë të prirë për të pirë duhan.  Edhe konsumimi i alkoolit nuk ka ndryshuar në gjashtë vitet e fundit, pasi sipas rezultateve të sondazhit, përsëri 73 për qind e të rinjve në Kosovë nuk konsumojnë alkool. Të rinjtë në zonat urbane janë më shumë të prirë për të konsumuar alkool. Të rinjtë që marrin pjesë më shpesh në shërbimet fetare priren të refuzojnë alkoolin, megjithëse kjo nuk vlen për duhanpirjen.

46 për qind e të rinjve në Kosovë pohojnë se nuk kanë kryer marrëdhënie seksuale. Nga ana tjetër, 19 për qind e tyre nuk u përgjigjën apo nuk ndiheshin rehat për t’u përgjigjur. Kontraceptivët përdoren nga 40 për qind e të rinjve që kanë pasur eksperienca seksuale. Anketa tregoi se identiteti kombëtar dhe lokal i shqiptarëve dhe turqve të Kosovës është më i fortë se sa identitetet e llojeve të tjera. Të rinjtë serbë të Kosovës duket sikur tregojnë vetëm një nivel mesatar të identitetit lokal të vendlindjes, ndërsa kryesisht refuzojnë identitetin kosovar. Shqiptarët dhe turqit e Kosovës në më shumë se 83 për qind të rasteve mbështesin anëtarësimin në BE. Nga ana tjetër, të rinjtë serbë të Kosovës duket sikur kanë mendime të ndara lidhur me anëtarësimin në BE. Ekziston një nivel i lartë optimizmi në mesin e të rinjve në Kosovë se vendi i tyre shpejt do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Më pak se gjysma e të anketuarve (43 për qind) besojnë se kjo do jetë e mundur brenda pesë viteve të ardhshme.

Të rinjtë e Kosovës mendojnë se Shqipëria dhe Kosova janë duke bashkëpunuar në një farë mënyre, por jo mjaftueshëm. Gjithashtu, gjysma e të rinjve kosovarë dëshirojnë që Kosova dhe Shqipëria të kenë marrëdhënie fqinjësie si shtete të pavarura, ndërsa një e treta e tyre dëshirojnë që dy vendet të bashkohen me njëra -tjetrën. Shqiptarët e Kosovës kanë një mendim të ndarë në lidhje me mundësinë që Serbia të njohë Kosovën. Gjysma e shqiptarëve mendojnë se Serbia do ta njohë Kosovën në të ardhmen e afërt apo të largët, ndërsa një e katërta mendon se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën.

Raporti i plotë: https://www.fes.de/jugendstudien-suedosteuropa/