Çiklizmi e bjeshkataria shënojnë ditën e dytë të Javës Olimpike në Gjakovë

Kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme aktivitetet sportive në kuadër të Javës Olimpike, e cila ka nisur dje nën organizimin e komunës së Gjakovës dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.




Sipas agjendës së përpiluar nga organizatorët, në ditën e dytë të evenimentit, janë zhvilluar aktivitete në dy sporte, në çiklizëm dhe në bjeshkatari. Në çiklizëm janë zhvilluar gara në disa disiplina, me pjesëmarrës nxënësit e shkollës «Fehmi Agani».

Nga ana tjetër, në sportin e bjeshaktarisë, rreth 50 nxënës, po ashtu nga shkolla «Fehmi Agani», të udhëhequr nga anëtarët profesionistë të Shoqatës së Bjeshkatarëve «Pashtriku», kanë zhvilluar një ecje të organizuar, ndërsa që kanë pasur mundësi edhe të dëgjojnë ligjërata e të bëjnë pyetje lidhur me tema të ndryshme që kanë të bëjnë me bjeshkatarinë ecjen rekreative, orientimin në natyrë, ambientin e të tjera.

Në të dy sportet, nxënësit kanë treguar njohur të kënaqshme, por edhe dëshirë e interesim për të mësuar më shumë, sidomos për sportin e bjeshkatarisë, një sport ky me dimensione mjaft të gjëra dhe interesante.

Ndryshe, Java Olimpike do të vazhdojë edhe nesër, me ç ‘rast është paraparë që nxënësit të të masin forcat e tyre në vrapim, basketboll dhe volejboll.