Çifti i arrestuar shqiptar dhe arma e atentatorit të Nicës

Mediat franceze njoftojnë se terroristi që ua mori jetën dhjëra njerëzve në promenadën e Nicës mbante një armë që i takonte një çifti shqiptar.

Pamje nga promenada e Nicës. Foto: Shutterstock

Pas sulmit të përgjakshëm kundër qindra njerëzve që po festonin Ditën Kombëtare të Francës në Nicë, me ç’rast humbën jetën 84 njerëz, mes tyre 10 fëmijë, autoritetet franceze kanë intensifikuar hetimet. Fillimisht besohej se atentatori, i cili për të vrarë njerëzit e pafajshëm përdori një kamion, ishte një «ujk i vetmuar», domethënë një person i vetëradikalizuar. Gjatë fundjavës policia franceze ka arrestuar disa persona të dyshuar për lidhje me atentatorin. Mes të arrestuarve është edhe një çift shqiptar.

Mediat franceze kanë njoftuar të dielën se çifti dyshohet t’ia ketë dhënë indirekt një pistoletë terroristit me origjinë nga Tunuzia, me të cilën ai ishte i armatosur kur kreu sulmin të enjten në mbrëmje. Sipas gazetarëve të televizionit itele.fr vrasësi asnjëherë nuk është takuar me çiftin shqiptar, por arma është siguruar nëpërmjet të një personi që kishte negociuar me vrasësin. Një natë para se të kryente sulmin vrasësi i kishte dërguar një mesazh telefonik personit negociues duke i kërkuar më shumë armë. Deri më tani nuk ka më shumë të dhëna për këtë rast dhe autoritet franceze ende nuk kanë publikuar hollësi.

Ndërkohë familja e vrasësit ka treguar për mediat franceze se 31-vjeçari Mohamed Lahouaiej Bouhlel nuk ishte i njohur si njeri religjioz. Babai i tij tha se ai nuk kishte mbajtur ramazanin dhe nuk lutej. Autoritetet franceze supozojnë se Mohamed Lahouaiej Bouhlel ishte radikalizuar shpejt dhe kishte marrë vendim për të kryer sulmin. Përgjegjësinë për vrasjen masive në Nicë të shtunën e ka marrë i ashtuqajturi Shtet Islamik.