«Charlie Hebdo» tallet me Aylanin




Tetë muaj pas sulmit terrorist, që mori jetën e 12 personave duke përfshirë disa karikaturistë, revista satirike franceze «Charlie Hebdo» në numrin e saj të fundit si temë kryesore e ka pasur fëmijën e vdekur sirian që u gjet në plazhin e Turqisë, Aylan Kurdi.

 

Revista përmban karikatura të djaloshit tre vjeçar, që dy javë më parë ishte bërë tema kryesore botërore për shkak të fotografive të trishtueshme nga qyteti Bodrum i Turqisë. Krahas fotografisë së Aylanit në këtë revistë satirike shkruhet «Si pres du but…» që në përkthim i bie «Shumë afër qëllimit të tij».

Karikatura përmban trupin e tij në plazh dhe një reklamë, në të cilën thuhej «Merrni dy fëmijë për çmimin e njërit».

Në një tjetër karikaturë kontroverse, thuhet se «Të krishterët ecin mbi ujë…Fëmijët myslimanë përmbyten».

Revista ka marrë kritika të shumta menjëherë pas qarkullimit të numrit të ri të saj.

Kujtojmë se e gjithë bota kishte përkrahur këtë revistë pas sulmit që ajo përjetoi, pas publikimit të karikaturave me Profetin Muhamed, më 7 janar 2015. Dy ekstremistë atë kohë kishin sulmuar selitë e revistës në Paris dhe kishin vrarë dymbëdhjetë persona duke përfshirë pesë karikaturistë.