Çfarë thonë për natën dramatike në Marseille trajneri De Biasi dhe lojtarët Ajeti, Lenjani, Kukeli…

Pas ndeshjes historike dhe humbjes së dhimbshme kundër Francës në minutat e fundit, për dialogplus flasin disa nga protagonistët kryesorë.

Foto: Shutterstock

De Biasi: Do të dëshiroja të ngisja një xhip, por kisha një makinë të vogël

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit pas ndeshjes së mbrëmshme me Francën në Marseille ndanë përshtypjet e tij për humbjen në minutat e fundit. Gianni De Biasi është shprehur realist në lidhje me ndeshjen që Kombëtarja shqiptare e humbi në Stade Vélodrome në Marseille ndaj Francës (2:0). Italiani foli për aspektin e plotë defanziv taktik që kishte zgjedhur në këtë përballje. «Mendoj se luajtëm në formën më të mirë që dimë të luajmë, është normale se kemi luajtur kundër lojtarëve të mëdhenj, ku bën pjesë edhe respekti, prandaj taktika në lojë të tilla është shumë e rëndësishme. Unë vendosa për një ekip defanziv», tha ai. Megjithatë, ai është shprehur i kënaqur me paraqitjen që kanë treguar lojtarët e tij. «Mendoj se ekipi luajti shumë mirë», shprehet ai i bindur. De Biasi tërheq edhe një paralele ndërmjet dy takimeve të para të Euro2016. «Ndaj Zvicrës mos të harrojmë se 60 minuta kemi luajtur me 10 lojtar në fushë, por arritëm të krijomë raste. Kjo lojë ishte ndryshe nga ajo me kundërshtar shumë më të fuqishëm».

Një detaj tjetër nga humbja nga trekolorët, tekniku nxjerr duke kujtuar aspektin fizik të lojtarëve. «Kishim probleme fizike me lojtarët tonë dhe ndryshimet qenë të detyruara. Janë lojtarë që nuk luajnë shumë në ekipet e tyre dhe kjo është pasoja në takime të mëdha». Në insistimin se Kombëtarja duhet të guxonte më shumë, De Biasi u përgjigj me humor: «Do të dëshiroja të ngisja një xhip, por kisha një makinë të vogël».

Ajeti: Kisha problem me këmbën e djathtë

Mbrojtësi nga Kosova Arlind Ajeti, i cili luan për FC Basel në Zvicër, tregon se ka mbetur i zhgënjyer edhe për faktin se nuk ka arritur të përfundojë lojën për shkak të problemeve fizike. Në debutimin e tij në Europian, Arlind Ajeti ka lënë një përshtypje të mirë, duke qenë ndër më të mirët në lojë dhe shpeshherë i pakalueshëm për francezët.

Megjithatë, atij i mbeti peng fakti se u detyrua të braktiste fushën para përfundimit të lojës. «Dëshiroja të luaja deri në fund të ndeshjes, natyrisht ishte një lojë e madhe, por kisha probleme fizike. Kisha problem me këmbën e djathtë, madje të mëdha në fund», tha ai. Ai mendon se ekipi u angazhua maksimalisht në këtë përballje. «Mendoj se kemi luajtur mirë dhe u angazhuam të gjithë. Kemi luajtur lojë defanzive dhe normalisht nuk kemi pritur të sulmojmë ndaj një ekipi si Franca, ku nëse hap lojën lehtë dënohesh. Në momentet kritike mendoj se fati dhe koncentrimi nuk ishin me ne». Ajeti është optimist për ndeshjen e radhës. «Në lojën me Zvicrën nuk jam aktivizuar dhe nuk mund të flas shumë. Ky takim mendoj se ishte më i vështirë se i pari. Me Rumaninë nuk do ta kemi lehtë, kjo është e sigurt, kanë ekip të mirë, por njëkohësisht besoj tek skuadra jonë për rezultat, sepse sonte mendoj se luajtëm mirë».

Lenjani: Ky ekip ka të ardhme edhe pas Europianit

Mesfushori i Nantesit është i bindur se ekipi kuqezi meritoi barazimin në sfidën e mbrëmshme me Francën. Ermir Lenjani për shkak të lojës defanzive që kishte përgatitur trajneri De Biasi është dashur të mendojë më shumë për mbrojtje se sa për të sulmuar. «Është tipike të thuhet se luajmë me zemër dhe duam të sigurojmë barazimin. Trajneri kërkoi lojë defanzive, prandaj edhe më është dashur të kryej më shumë detyra të mbrojtjes», tha Lenjani. Ai beson se ekipi dëshmohet më i fuqishëm sa herë që luan i bashkuar. «Mendoj se një pikë e merituam, por mos të harrojmë se ata janë të gjithë futbollistë që bëjnë dallimin jo vetëm ndaj nesh, por edhe shumë kombëtareve. Loja e sontme ishte edhe një dëshmi se kur luajmë bashkë kemi sukses». Por, përse shqiptarët vazhdojnë përherë të pësojnë humbje në fund? «Nuk di çka të them. Ky është dallimi i lojtarëve dhe ekipeve të mëdha ndaj atyre më të vogla, besoj». Takimi i ardhshëm është me Rumaninë. «Nuk besoj se do të jetë lojë në nivelin me Francën. Mendoj se Rumania është shumë e rrezikshme, takimin me ta duhet shikuar si një mundësi të mirë për fitore, nuk duhet të shikojmë pas. Mendoj se sonte ky ekip dëshmoi se ka të ardhme», tha ai.

Kukeli: Jemi shumë të zhgënjyer

Mesfushori defanziv i Zürichut ka lënë përshtypje shumë të mirë në takimin me Francën, ndërsa flet edhe për zëvendësimin e detyrueshëm. Burim Kukeli në takimin me Francën ishte lojtari më i sigurt, i qetë dhe me shumë pak gabime, duke treguar se futbolli i thjeshtë është i mirë, por njëkohësisht më i vështiri të luhet. Pas përfundimit të lojës ai foli në lidhje me humbjen nga Franca, duke u fokusuar menjëherë tek zëvendësimi i tij. «Kisha ngërqe dhe nuk mund të vazhdoja lojën. Nuk duhet harruar se kishim të bëjmë me një kundërshtar shumë të fortë dhe ne kemi bërë lojë të mirë, kemi krijuar edhe disa raste. Sikur të kishim pak fat do ta merrnim barazimin». Ai beson se sikur shtylla e Memushajt të ishte gol, takimi do të merrte tjetër kahje. «Nëse shënon i pari je gjithmonë në epërsi, kjo kuptohet, edhe sikur ai rast të përfundonte në gol, do të ishte lojë tjetër. Mendoj se në minutat vendimtare na ndëshkoi presioni i madh, ku mjaftoi një top për të vendosur për lojën. Edhe me Zvicrën u dënuam nga një goditje standard. Jemi të zhgënjyer shumë». Kukeli dëshiron të shikojë përpara sidomos lojën me Rumaninë, por kujton se ekipit i ka rënë morali. «Shpresoj për paraqitje të mirë, sepse loja jonë nuk ka munguar ndaj Francës. Moralisht jemi të dërrmuar, por kemi disa ditë për të marr veten. Besoj se me këto paraqitje kemi dëshmuar cilësi. Nuk jemi befasisht këtu». «Besoj se një gol i shënuar në lojën e parë do të ndryshonte ekipin, i cili do të zhbllokohej nga barra e shënimit në portën kundërshtare».

Veseli: Nuk e prisja debutimin  

Mbrojtësi Frédéric Veseli pas humbjes nga Franca ka folur në lidhje me debutimin e tij në Europian dhe eksperiencën. Ai është shprehur i kënaqur me debutimin, por i dëshpëruar me humbjen në minutat e fundit. «Ishte një debutim me shije të keqe sa i përket rezultatit, ndonëse jam i kënaqur që shënova debutimin në Europian», tha ai. Mbrojtësi i Luganos e pranon se nuk e kishte pritur një debutim kaq të shpejtë. «Nuk e kam pritur debutimin në Europian kaq shpejt. Ndonëse për kombëtaren kam qenë gati dhe do të jam gjithmonë i gatshëm sa herë që trajneri vendos të më angazhojë». Veseli ka pasur një ngritje-rënie në karrierë dhe tani duket se gjërat janë duke shkuar në drejtimin e duhur. Ai ka qenë pjesë e Manchester City dhe Manchester United, ndërsa një kohë ka luajtur shumë pak në kategorinë e tretë në Angli, para se të kthehej në Zvicër ku është formuar si lojtar. «Kam qenë në skuadra të mëdha dhe kam pasur eksperiencë të mirë, por pastaj gjërat nuk kanë shkuar. Tani mendoj se jam kthyer sërish në nivelin e lartë, me Luganon kam zhvilluar 38 lojë në këtë kampionat dhe mendoj se jam në rrugën e duhur». Ai beson se ndeshja me Rumaninë do të jetë e vështirë, por shpreson në fitore. «Rumania është një skuadër shumë e fortë, mbrohet mirë dhe është kompakte në paraqitje. Do të jetë një lojë e vështirë, por besoj se edhe ne kemi kualitete dhe shpresoj të bëjmë një mbyllje me fitore», tha Veseli.