Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 24 nëntor 2018: Si ishte Gjermania kur Angela Merkel para 13 vitesh u zgjodh kancelare – dhe si është sot? Fli dhe fito – një ofertë japoneze. Verë e zier – pija e preferuar dhe e rrezikshme e dimrit. Seksizëm austriak. Franca ia kthen artefaktet Afrikës. Kolumnistët më të mirë të «Financial Times» prezantojnë librat e vitit 2018.

Angela Merkel. Ilustrimi: Shutterstock



Si ishte Gjermania kur Angela Merkel para 13 vitesh u zgjodh kancelare – dhe si është sot?
Në faqen e tretë «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) i bën një bilanc epokës së kancelares Angela Merkel. Ajo u zgjodh më 22 nëntor 2005, kur bota ishte krejt ndryshe, kur s’kishte iPhone, as iPad. (iPhoni doli në treg tek dy vite më vonë, tableti më 2010). Facebooku në gjermanisht nuk ekzistonte, as Whatsapp apo Instagram. Gjermania, shkruan FAZ, ishte një shkretëtirë digjitale. Mrekulli teknike nuk kishte më 2005, por një gjerman u bë Papë dhe e quajti veten Benedikti i XVI dhe një grua nga Gjermania Lindore u bë për herë të parë kryeministre e Gjermanisë. Rrjedhimisht, fjala e vitit në Gjermani më 2005 ishte – «Bundeskanzlerin», kancelare federale. Ky ishte një sinjal se edhe gratë mund të ushtrojnë funksionet më të larta shtetërore. Më 1987 në parlamentin gjerman numri i deputeteve gra për herë të parë kaloi dhjetëpërqindëshin. Më 1997 parlamenti gjerman e shpalli vepër penale dhunimin gjatë bashkëshortësisë – edhe ky një sinjal ndaj burrave se nuk mund të keqpërdorin gratë e tyre si plaçkë. Sot, shkruan FAZ, është e vetëkuptueshme që Merkel po kërkon paritet të gjinive në të gjitha fushat e jetës – në politikë, ekonomi e kulturë. Edhe në Gjermani ka shumë për të bërë sa i përket barazisë gjinore, por nën qeverisjen 13-vjeçare të Merkel kanë ndodhur mjaft përparime. Gjatë kësaj kohe ka ndryshuar edhe qëndrimi i gjermanëve ndaj homoseksualitetit. Kur Merkel u bë kancelare, vetëm politikani socialdemokrat dhe kryetari i mëvonshëm i Berlinit Klaus Wowereit kishte pranuar publikisht se është homoseksual. Nën Merkelin bënë karrierë politikanët homoseksualë Guido Westerwelle (ministër i Jashtëm), Ole von Beust (kryetar i Hamburgut), në ministrinë e Mbrojtjes një lezbejkë me tre fëmijë u bë sekretare e shtetit. Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn, i cili dëshiron të bëhet pasardhës i Merkel në krye të partisë, është homoseksual, por edhe mjaft politikanë të tjerë. Vitin e kaluar parlamenti lejoi martesën mes gjinive të njëjta. Merkel nuk e luftoi këtë vendim, por as nuk e përkrahu. Gjatë qeverisjes së Merkel u forcuan të drejtat e grave, por ndryshimi më i madh vërehet në botën e digjitalizuar. Interneti ka depërtuar në çdo pore të shoqërisë. Kur Merkel ishte ministre në Bonn, politikanët pyesnin njëri-tjetrin: a ke numër të telefonit mobil? Sot pyetja tingëllon kështu: a ke numër fiks? (Nëse vërtet shtrohet kjo pyetje). Kur tri vjet pas ardhjes së Merkel në pushtet startoi Facebooku në gjermanisht, ishin vetëm 1,2 milionë shfrytëzues. Sot janë 32 milionë. Një pjesë e jetës profesionale dhe private është zhvendosur në rrjet – kjo i sjell njerëzve shumë përparësi. Jeta është individualizuar, në vitin e parë të Merkelit në pushtet Gjermania kishte 5500 studio fitnesi, në fund të vitit 2017 i kishte gati 9000. Në vitet e para të Merkelit njerëzit njoftonin partnerin në diskotekë, shkollë apo në aktivitete sportive, sot krijimi i lidhjeve përmes internetit është bërë diçka e zakonshme. Në fushën e online dating më 2005 harxhoheshin 82 milionë euro, vitin e kaluar mbi 210 milionë euro. Njëkohësisht vërehet një largim i njerëzve nga feja. Në vitin 2005 në Gjermani 50 milionë njerëz i përkisnin kishës katolike apo evangjeliste, 12 vjet më vonë qenë pesë milionë më pak. Gjatë qeverisjes së Merkel Gjermania u konsolidua si superfuqi ekonomike, gjë që shumë gjermanë, veçanërisht ata që nuk kanë përfituar drejtpërdrejtë, e harrojnë shpejt. Numri i qytetarëve me origjinë të huaj është rritur dukshëm. Më 2013, para valës së madhe të refugjatëve nga Siria, 16,5 milionë banorë të Gjermanisë kishin prejardhje të huaj. Deri vitin e kaluar ky numër ka arritur në 20 milionë.

Fli dhe fito – një ofertë japoneze
Nuk është klishe: japonezët punojnë shumë, aq shumë, saqë disa vdesin në vendin e punës nga stresi, disa bien në depresion. Por, tani pritet diçka revolucionare, siç shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Një ndërmarrje japoneze dëshiron t’u japë pikë bonusi 60 punëtorëve të saj nëse flenë më shumë – për shkak të shëndetit, kuptohet. Edhe në Lindjen e Largët dihet se gjumi është ilaçi më i mirë. Idenë e ka zhvilluar firma Crazy Wedding: kush fle më shumë se gjashtë orë gjatë pesë ditëve të javës, ai merr pika të bonusit nga punëdhënësi, të cilat pastaj mund t’i shfrytëzojë për të paguar në mensë (kantinë). Kështu gjatë vitit një punëtor mund t’i marrë deri në 500 euro nëse fle më shumë.

Verë e zier – pija e preferuar dhe e rrezikshme e dimrit
Gjermanët i thonë «Glühwein», kroatët «kuhano vino», shqiptarët mbase «verë e zier». Nuk është pije aq e mirë. Ose: kjo pije është çështje e shijes. «Süddeutsche Zeitung» shkruan se më shumë se për qejf vizitorët e tregjeve të Krishtlindjeve në Gjermani këtë pije e pinë për shkak të ritualit. Thënë shqip: është njëfarë adeti gjerman. Tregjet e Krishtlindjeve në Gjermani i vizitojnë deri në 250 milionë mysafirë nga Gjermania dhe bota e jashtme. Dy të tretat e buxhetit të tyre harxhohet për të blerë «Glühwein». Për çdo vit konsumohen më shumë se 50 milionë litra. Meqë verës së zier i hidhet edhe sheqer, efekti i alkoolit duket se zbutet. Kjo të shtyn të pish më shumë. Vera e zier depërton më shpejt në gjak dhe efekti vërehet sidomos të nesërmen. Vizitori i tregut të Krishtlindjeve mund të mendojë se nëse pi verë të zier, do të ngrohet dhe përballojë më lehtë acarin. Por, ky është mashtrim. Alkooli zgjeron enët e gjakut dhe për pasojë trupi ftohet më shpejt.

Seksizëm austriak
Zbehja e kulturës politike vërehet edhe në degradimin gjuhësor, për shembull në Austri. Gjatë një debati parlamentar shefi i socialdemokratëve në landin e Tirolit, Georg Dornauer, foli kështu për një politikane të partisë së Gjelbër, e cila nuk po merrte pjesë në mbledhje për shkak se ishte e sëmurë: «Nuk mund ta marrë fare me mend kolegen deputete të shtrirë horizontalisht». Pas kësaj deklarate janë shtuar zërat që kërkojnë dorëheqjen e Dornauer. Para disa javësh deputeti me origjinë turke i partisë konservatore ÖVP, Efgani Dönmez, duke iu përgjigjur një shfrytëzuesi të internetit se si kishte arritur të bëhet sekretare e shtetit në Berlin politikania socialdemokrate gjermane me origjinë palestineze, Sawsan Chebli, tha: «Këqyrja gjunjët». Pas kësaj deklarate, ÖVP e largoi menjëherë nga grupi parlamentar deputetin Dönmez.

Franca ia kthen artefaktet Afrikës
Dallimi mes vendeve demokratike dhe jodemokratike vërehet edhe në qasjen që kanë ndaj drejtësisë. Në Serbi, për shembull, edhe 20 vjet pas luftës kundër shqiptarëve të Kosovës, pushteti refuzon të kthejë rreth 1600 artefakte që gjatë tërheqjes nga Kosova janë marrë në Beograd. Me këmbëngulje kryeneçe refuzohet të pranohet nga politikanët serbë se në Kosovë janë kryer krime ndaj shqiptarëve. Kërkimfalje? Harrojeni! Thotë Aleksandar Vuçiqi. Ky është një dallim i madh me Francën. Vitin e kaluar presidenti Emmanuel Macron tha se «kolonializmi është krim, krim kundër njerëzimit». Tani, shkruan gazeta zvicerane «Tages Anzeiger», historiania e artit Bénédicte Savoy dhe ekonomisti senegalez Felwine Sarr i prezantuan një raport presidentit francez mbi kthimin e artefakteve që Franca gjatë sundimit kolonial i ka marrë, vjedhur, përvetësuar në Afrikë. Duket se Franca do të veprojë sipas porosisë së raportit: artefaktet do t’u kthehen shteteve afrikane.

Kolumnistët më të mirë të «Financial Times» prezantojnë librat e vitit 2018
Martin Wolf është kryekomentatori i çështjeve ekonomike të «Financial Times». Në numrin e së shtunës të kësaj gazete britanike Wolf prezanton një sërë librash të çështjeve ekonomike që, sipas tij, kanë bërë bujë në vitin 2018, mes tyre: «The Future of Capitalism», e ardhmja e kapitalizmit, nga Paul Collier, «The Willing World. Shaping and Sharing a Sustainable Global Prosperity», nga James Bacchus – një libër i shkruar nga një ish-anëtar i Kongresit amerikan, i cili mendon se problemet e botës mund të zgjidhen vetëm me bashkëpunim ndërkombëtar, pra e kundërta e saj që propagandon Donald Trumpi, një libër tjetër i prezantuar mban titullin: «Capitalism in America. A History» nga Alan Greenspan, pastaj «Gigged: the Gig Economy, the End of the Job and the Future of Work» nga Sarah Kessler, një punim mbi shterjen e vendeve të punës dhe të ardhmen e punës.

Kolumnisti i çështjeve politike Gideon Rachman prezanton librat me tematikë politike të botuara sivjet, mes tyre: «Contemporary Identity Politics and the Struggle for Recognition» të Francis Fukuyama, «Whiteshift: Populism, Immigration and the Future of White Majorities» të Eric Kaufmann, «Into the Hands of Soldiers» nga David Kirkpatrick mbi lirinë dhe kaosin në Egjipt, «Trumpocracy: The Corruption of the American Republic» nga David Frum, «No Turning Back. Life, Loss and Hope in Wartime Syria» nga Rania Abouzeid, «Dictatorland. The Men Who Stolen Acrica» nga Paul Kenyon.
E.R.