Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 23 nëntor 2018: Koha e zjarrvënësve në Ballkan. Më shumë rehati në trenat rusë. Trumpi, klima, instinkti. Sa e rrezikshme është të jesh shef i shërbimit sekret ushtarak rus? Treni dhe fëmijët e politikanes gjermane. Sa i rrezikshëm është zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini? Si të shpëtohet një qytet gjerman? Sensacion: Në Bordeaux zbulohet varri i Michel de Montaigne? Letërsi, letërsi, letërsi! Për brirët dhe lopët në Zvicër. Botsvana – Zvicra e Afrikës.




Koha e zjarrvënësve në Ballkan
Më në fund një tekst për Ballkanin në shtypin gjerman. Pas masave ndëshkuese tregtare ndaj Serbisë dhe Bosnjës gazeta «Süddeutsche Zeitung» shkruan se në Ballkan po vërehet një kohë e zjarrvënësve. Ngritjen e taksave për prodhimet serbe dhe të Bosnjës nga 10 në 100 për qind gazeta e quan një goditje me çakan, pas ngacmimit me gjilpërë. Vendimi, sipas gazetës, nuk është marrë për arsye ekonomike, por politike – dhe «është shenjë alarmi për politikën e Europës në Ballkan». Rajoni i krizave të viteve ‘90, vazhdon gazeta, nuk po gjen qetësi, përkundrazi. Vatrat e krizës po marrin zjarr gjithandej dhe nga Bashkimi Europian nuk po vijnë vetëm zjarrfikës, por edhe zjarrvënës. Në Bosnjë qeveria e Kroacisë, një vend anëtar i BE-së, po hedh benzinë në zjarr duke përkrahur nacionalistët kroatë të Bosnjës, të cilët janë të dëshpëruar me humbjen e zgjedhjeve në tetor. Në Maqedoni Hungaria, edhe ky vend i BE-së, po i ashpërson konfliktet e brendshme duke i dhënë azil ish-kryeministrit Nikolla Gruevski të dënuar për korrupsion. «A duhet të befasohemi që BE, e cila dikur konsiderohej si perspektivë paqësore për shtetet e Ballkanit, po e humb atraksionin? Sidoqoftë, kosovarët dhe serbët duket se po e lënë anash përfundimisht procesin e dialogut në Bruksel. Ata po koncentrohen sërish te konflikti i tyre i vjetër».

Më shumë rehati në trenat rusë
«Platzkart» – kështu quhen vagonët e klasit të tretë në trenat rusë. Lirë, jo mirë, shumë ngushtë, ky është imazhi i tyre. Për 70 deri 80 euro mund të udhëtosh nga Moska në Vladivostok. Udhëtimi zgjat shtatë ditë. 54 shtretër në një vagon, këtu shpesh të bën vaki që çorapët me vrima të fqinjit në krevatin tjetër të gjenden në jastëkun tënd, shkruan «Süddeutsche Zeitung». E pakëndshme është edhe kur grupe udhëtarësh e ngatërrojnë vagonin me saunën dhe zhvishen. Tani ndërmarrja hekurudhore ruse ka dhënë lajmin e mirë: vagonë të rinj për klasin e tretë, në vagonë gotat të reja të çajit (të stilit të vjetër), në çdo shtrat pasagjeri do të ketë një dritëz për të lexuar dhe një prizë për të mbushur telefonin apo të arritura të tjera të civilizimit. Në tualete do të ketë sapun fluid dhe tavolina për ndërrimin e bebeve. Ky është një lajm për krejt Rusinë. Dhe për turistët që e vizitojnë këtë vend.

Trumpi, klima, instinkti
Në paragrafin e parë të kryekomentit të «Süddeutsche Zeitung» thuhet: «Të enjten SHBA-të kanë festuar festën e Thansgiving – dhe kush ende nuk e ka kuptuar se ky vend po nxirret nga një njeri jashtë kontrollit, nga një njeri që nuk e ka veten nën kontroll, ai vetëm duhet të shohë se çfarë ka publikuar ne Twitter presidenti Donald Trump në prag të kësaj feste më të rëndësishme të vendit. Për shembull ai ka konstatuar se gjatë dimrit mban mot i ftohtë. Kjo e ka shtyrë atë të pyes se çfarë ka ndodhur me gjoja ngrohjen globale. Ai e mohon se ekziston një ndryshim i klimës i shkaktuar nga njeriu, gjë që si të sigurt e shohin pa dallim gati të gjithë ekspertët. Trump thotë se këtë e di më mirë, dhe këtë e ka arsyetuar me faktin se një xhaxha i tij ka qenë shkencëtar dhe për këtë arsye ai, Trump, paskësh një ‘instinkt të natyrshëm’ për këto tema». Pastaj Trump u fjalos me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i kishte thënë të mos e poshtëronte gjyqësinë, pastaj pa kurrfarë konteksti shpërndau porosi «America First!» dhe «Make America Great Again!», shkruar me shkronja të mëdha. «Ishte frikësuese. Me gjithë respektin, këto tekste të shkurtra ndikonin si mesazhe të një njeriu që nuk është në vete». Sipas «Süddeutsche Zeitung» në Shtëpinë e Bardhë banon një njeri pa kompas moral, një njeri pa skrupuj, pa dije, i cili përfundimisht nuk e ka vendin aty.

Sa e rrezikshme është të jesh shef i shërbimit sekret ushtarak rus?
«Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkruan se ka vdekur shefi i shërbimit sekret ushtarak rus (GRU), Igor Korobov. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se Korobov vdiq të martën në moshën 62-vjeçare «pas një sëmundjeje të rëndë dhe të gjatë». Korobov u zgjodh drejtor i GRU në vitin 2016 pasi paraardhësi i tij Igor Sergun vdiq befas në moshën 58-vjeçare. Sipas të dhënave zyrtare Sergun kishte vdekur pas një sulmi në zemër në një qendër rehabilitimi të shërbimit sekret FSB. Sipas të dhënave jozyrtare ai vdiq në Liban. Gjatë mandatit të Korobovit imazhi i GRU pësoi dëme në perëndim: në fund të vitit 2016 Korobov dhe drejtues të tjerë të GRU-së u sanksionuan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të porositjes së sulmeve virtuale kundër organizatave politike gjatë fushatës elektorale në SHBA. Britania e Madhe i akuzon agjentët e GRU-së se në fillim të marsit helmuan ish-agjentin e dyfishtë rus Sergej Skripal dhe vajzën e tij në Salisbury. Sipas «Frankfurter Allgemeine Zeitung» në fillim të tetorit Korobov u ftua në një takim nga Vladimir Putini. Ndërsa po kthehej në shtëpi ai filloi të ndihet keq.

Treni dhe fëmijët e politikanes gjermane
E enjtja është dita e «Die Zeit», gazetë e përjavshme gjermane. Në faqen e parë të kësaj gazete bie në sy një tekst i shkurtër: «Fëmijët e Annalena Baerbock, bashkëkryetare e të Gjelbërve, do të duhej të hipnin në tren në Berlin-Spandau, ku tashmë ishte Baerbock. Por, treni kaloi pranë fëmijëve. Arsyeja sipas ndërmarrjes hekurudhore: treni ishte plot. Kur moderatori Jan Böhmermann së fundi mori trenin e gabuar, atij iu lejua të zbresë duke injoruar orarin e trenave. Një fjalë e urtë gjermane thotë: çka i lejohet jupiterit, mëzati s’guxon ta bëjë. Shtrohet pyetja kush është mëzati këtu», pyet gazeta.

Sa i rrezikshëm është zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini?
«Die Zeit» boton një portret të Matteo Salvinit, nënkryetarit të qeverisë italiane, një popullist 45-vjeçar dhe ministër i Brendshëm, i cili është aktiv në politikë qe 25 vjet – pa bërë kurrë një punë tjetër. Lega, partia që drejton, është më e vjetra e Italisë, dhe në 24 vitet e fundit ka qeverisur dhjetë vjet. Megjithatë, Salvini në Itali konsiderohet ylli i ri në qiellin politik, ndonëse ai dhe partia e tij kanë plotë kundërthënie të brendshme, shkruan Marco Travagloi, themelues dhe kryeredaktor i gazetës së pavarur italiane «Il Fatto Quottidiano». Në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Europian Salvini synon të angazhohet kundër Europës bashkë me Marine Le Pen, Viktor Orban dhe grupin e Vishegradit, një grumbull shtetesh të Europës Lindore.

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare italiane Salvini kishte thënë se si ministër i Brendshëm do t’i dëbojë 600 mijë emigrantë ilegalë. Sapo mori postin, ai tha se t’i dëbosh të gjithë këta emigrantë kushton shumë dhe është e pamundur. Në fushatën elektorale kishte premtuar aplikimin e një «Flat Tax» prej 15 për qind, por tani as që bën fjalë për këtë. Një tatim i tillë unik nuk është në pajtim me Kushtetutën e Italisë. Autori thekson se Salvini nuk di të qeverisë, por është shumë i shkathtë në paraqitjet publike. Salvini është mjeshtër i arsyetimeve, dhe Salvini është më i fuqishëm se konkurrenca.

Si të shpëtohet një qytet gjerman?
Në rubrikën «Dossier» të «Die Zeit» botohet një intervistë prej tri faqesh(!) mbi gjendjen në qytetin e Freiburgut në Gjermaninë jugore, ku një afgan e ka mbytur një 19-vejçare dhe disa burra, kryesisht sirianë, kanë dhunuar një 18-vjeçare. Katër gazetarë të «Die Zeit» kanë folur me kryetarin e qytetit, me shefin e policisë, me një mbikëqyrëse të refugjatëve, me një psikoanalist, me një pronar diskoteke, me një edukator sirian dhe me një student të mjekësisë.

Sensacion: Në Bordeaux (Bordo) zbulohet varri i Michel de Montaigne?
Michel de Montaigne ka qenë jurist, filozof skeptik, humanist dhe themelues i eseistikës. Deri më sot nuk dihej se ku është varri i tij. Tani, sipas «Die Zeit», varri i tij mund të jetë zbuluar në një muze në Bordeaux, në një bodrum pas vitrinave me skulptura të pluhurosura, në një varr të përbashkët familjar deri më tani të pavërejtur. Michel de Montaigne ka vdekur para 400 vitesh.

Letërsi, letërsi, letërsi!
Po afrohet dimri. Netët bëhet të gjata, ditët të shkurtra, të qëndrosh në verandë është e pamundur, andaj njerëzit struken në kthina të ngrohta dhe duan të lexojnë. Ky numër i «Die Zeit» përmban një shtojcë për letërsinë. Shkrimtari francez Emmanuel Carrère ka botuar një roman mbi Jean-Claude Romand, i cili më 9 janar 1993 në shtëpinë e tij afër kufirit me Zvicrën vrau gruan e tij, pastaj dy fëmijët, mandej shkoi te shtëpia e prindërve të tij, të cilët po ashtu i vrau. Pasi u kthye në shtëpi ai hodhi në fyt një grumbull tabletash të gjumit, por zjarrfikësit ia dolën ta shpëtojnë dhe kur Romand u zgjua nga koma, tha se ai dhe familja e tij ishte viktimë e një sulmi. E vërteta është krejt ndryshe – edhe për biografinë e Romand. Në një recension tjetër përshkruhet romani «Shkolla katolike», në të cilin autori italian Edoardo Albinati shtjellon historinë e dhunës së burrave. Pasojnë edhe plot e përplot recensione, të cilat po të prezantoheshin me vetëm një rresht këtu e tejkalojnë qëllimin e kësaj rubrike.

Për brirët dhe lopët në Zvicër
Pas gazetave zvicerane e gjermane tani edhe shtypi britanik shkruan për referendumin e së dielës në Zvicër, ku do të vendoset nëse shteti do të subvencionojë ata bujq që nuk ua presin brirët lopëve të tyre. Në bisedë me «Financial Times» bujku Martin Ott nga Rheinau në Zvicrën veriore thotë: «Briri ka qenë përherë simbol që ka treguar se natyra ka dinjitetin e vet». Të dielën zviceranët vendosin në referendum jo vetëm për brirët, por edhe për nismën, siç quhet, e vetëvendosjes. Nacionalistët zviceranë kërkojnë që në të ardhmen instancat gjyqësore europiane të mos përzihen në vendimet e gjyqësisë së Zvicrës. Kundërshtarët thonë se nacionalistët vetëm dëshirojnë të bëjë biznes me botën e sidomos me Bashkimin Europian, por nuk duan të respektojnë rregullat, përfshirë edhe vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Botsvana – Zvicra e Afrikës
Sa paragjykimi ekziston sidomos në botën shqiptare për Afrikën. Sa herë që ndalet rryma njerëzit thonë: «Këtu është më keq se në Afrikë». Sa herë që flitet për papunësinë, thuhet: «Kështu nuk është as në Afrikë». E si është në Afrikë? Ka shtete ku mjerimi të trishton dhe ka shtete që qeverisen relativisht mirë. Botsvana, shkruan «Neue Zürcher Zeitung», është një shembull i qeverisjes së mirë, andaj quhet Zvicra e Afrikës. Ky shtet qe 50 vjet qeveriset në mënyrë demokratike, mirëqenia po rritet – falë diamanteve dhe politikës së mençur. Para 50 viteve në Gaborone, kështu quhet kryeqyteti i Botsvanës, kishte disa qindra kasolle dhe një kullë të britanikëve, por s’kishte shtet. Botsvana u themelua tek më 1966, atëbotë ishte ndër vendet më të varfra të Afrikës, ku njerëzit merreshin vetëm me blegtori dhe bujqësi. Sot Botsvana ka nivelin më të ulët të korrupsionit në kontinent, ka një valutë stabile, një shtet funksional juridik dhe rejtingun më të lartë ndërkombëtar për kredi (A2) nga të gjitha vendet afrikane. Meritat për këtë i takojnë njerëzve si Bogolo Kenewendo, ministre e tregtisë dhe industrisë e Botsvanës, 31-vjeçare, më e reja ministre në Afrikë.
E.R.