Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 22 nëntor 2018: 500 lopë për një nuse. Ndoshta po, ndoshta jo: Trumpi dhe rasti Khashoggi. Ligji kundër «lajmeve të rrejshme» në Francë. Danimarkë: Bosi i një bande kriminale i bie pishman, largohet prej saj, shkruan një libër, e promovon dhe vritet. Qeverisja pa qeveri në Liban.

Bejruti.



500 lopë për një nuse
Korrespondenti i «Frankfurter Allgemeine Zeitung» nga Afrika shkruan se prindërit e Nya­long Ngong Deng Ja­lang e kanë ruajtur një traditë sudaneze edhe në epokën e internetit. Me javë të tëra ata e ofruan vajzën e tyre 17-vjeçare për martesë – përmes Facebookut. Prindërit thanë se ai që ofron më së shumti lopë mund të martohej me virgjëreshën Nya­long Ngong Deng Ja­lang. Në fund «garën» e fitoi Kok Alat, një milioner, i cili thuhet se filloi karrierën me një kredi të vogël në një kamp refugjatësh kenian. Për vajzën e fisit Dinka ai qe i gatshëm të paguajë 500 lopë, tre xhipa dhe 10 mijë dollarë.

Ndoshta po, ndoshta jo: Trumpi dhe rasti Khashoggi
Shërbimi sekret amerikan, sipas mediave të SHBA-ve, ka ardhur në përfundim se vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll nuk është bërë pa dijen e princit të kurorës Mohamed Bin Salman. Presidenti Donald Trump me gjasë situatën e sheh pak më ndryshe. Në një deklaratë ai së pari nënvizoi partneritetin e palëkundshëm mes SHBA-ve dhe Arabisë Saudite, pastaj tha se ndoshta princi e ka ditur se po përgatitje vrasja e Khashoggit, por ndoshta nuk e ka ditur. Politikanët demokratë kanë deklaruar se nga janari, kur do të kenë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, do të hetojnë lidhjet biznesore të Trumpit me Arabinë Saudite. Trump, sipas «Frankfurter Allgemeine Zeitung», u përgjigj se për këtë as që bëhej merak. Bob Corker, senator republikan në largim, tha se nuk ka mundur ta marrë me mend se Shtëpia e Bardhë do të bëhej agjenci reklamash për princin e kurorës të Arabisë Saudite. Kolegu i tij Rand Paul, tha se deklarata e Trumpit tregon se politika e tij nuk është «Së pari Amerika», por «Së pari Arabia Saudite». Trump u lavdërua se vitin e kaluar e ka bindur Arabinë Saudite të investojë 450 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara.

Ligji kundër «lajmeve të rrejshme» në Francë
Korrespondentja e «Frankfurter Allgemeine Zeitung» nga Parisi shkruan se Franca po përpiqet që përmes një ligji t’i mbrojë qytetarët e vet nga «lajmet e rrejshme», të cilat sidomos gjatë fushatave elektorale synojnë të ndikojnë në mendimin publik. Si vendi i parë europian parlamenti francez miratoi të martën në mbrëmje dy ligje kundër «manipulimit të informatave» në kohën e fushatave elektorale. Pas ligjeve në masë të madhe qëndron vetë presidenti Emmanuel Macron. Gjatë fushatës elektorale presidenciale kanalet ruse «RT» dhe «Sputnik» përhapën thashetheme mbi gjoja homoseksualitetin e Macron dhe për kinse xhirollogaritë e tij ilegale në botën e jashtme.

Danimarkë: Bosi i një bande kriminale i bie pishman, largohet prej saj, shkruan një libër, e promovon dhe vritet
Nedim Yashar, shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung», u lind në vitin 1987 në Turqi. Në moshën 4-vjeçare erdhi në Danimarkë, u rrit në Ballerup, një lagje periferike e Kopenhagës. Atje doli nga binarët e jetës normale, filloi të merret me kriminalitet, paratë e para i grabiti për të blerë një BMW. Nedim u bë i njohur si prijës i bandës «Los Guerreros» (guerilët, luftëtarët), fitoi para nga tregtia me drogë, mediat daneze shkruajnë edhe për shantazhe e kërcënime. Në vitin 2012 Yashar u bë baba dhe mori pjesë në një program shtetëror për largim nga bota e krimit. Të hënën në mbrëmje Nedim Yashar ishte i ftuar të marrë pjesë në prezantimin e librit të tij «Rødder» (Rrënjët). Kjo ishte mbrëmja e tij e fundit. Në libër Yashar rrëfen historinë e tij – nga fëmijëria, rrëshqitja në krim, ikja nga bota e krimit. Por, të hënën Yashar ra viktimë e kësaj bote. «Rreth orës 19:30 Yashar braktisi promovimin. Pak më vonë, në Hejrevej në veriperëndim të Kopenhagës, një person i panjohur me veshje të errët hapi së paku dy herë zjarr ndaj veturës së tij». Yashar u soll në spital, ku vdiq të martën, kur në libraritë e Danimarkës doli në shitje libri i tij.

Qeverisja pa qeveri në Liban
Në faqen e tretë të «Süddeutsche Zeitung» (SZ) çdo ditë botohen reportazhe shpeshherë fantastike nga bota dhe Gjermania. Temat origjinale, gjuha elegante, stili i rrëfimit – të gjitha këto e bëjnë faqen e tretë të kësaj gazeta bavarezët si njërën prej markave më të njohura të gazetarisë në botë. Në numrin e së mërkurës SZ boton një reportazh nga Bejruti, ku shpjegohet se si qytetarët janë organizuar vetë të qeverisin pasi qeveria u ka dalë nga dora. «Në Bejrut një milioner ngjyros shtëpitë, një mafioz shet rrymë, hipsterat mbledhin bërllok. Si organizohet një shoqëri të cilës i ka dalë nga dora qeveria» – thuhet në moton e tekstit, ky është një premtim i mirë për të nxitur lexuesin për të lexuar tërë reportazhin. «Libani është një lloj miniature e Lindjes së Afërt. Sunitët, shi-itët, të krishterët e llojeve të ndryshme jetojnë këtu së bashku, deri më 1990 ata luftuan gjatë 15 viteve në një luftë civile. Drejtpeshimi fragjil, në të cilin ndodhet vendi, nga disa quhet vazhdim i luftës me mjete paqësore. Prej se 4,5 milionë banorëve dhe 500 mijë palestinezëve u janë bashkuar edhe rreth dy milionë refugjatë nga Siria, shumë njerëz llogarisin me shpërthimin e madh. Tronditje të cilat e lëkundin rajonin në Liban ndjehen shpesh më herët», shkruan gazeta gjermane. E.R.