Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 20 nëntor 2018: Juria e re e çmimit Nobel për Letërsi. Një libër i ri: Marc Aureli, filozofi dhe perandori i mirë. S’ka më armë gjermane për Arabinë Saudite. Arrestohet shefi i auto-aleancës Renault, Nissan dhe Mitsubishi Motors – për shkak të lakmisë së madhe. Tradita shtetërore e vizitave – në botë dhe ndër ne. John Bolton sot feston 70-vjetorin e lindjes. Mrekullia e gazetës cilësore. Nancy Pelosi dhe droga e quajtur politikë. Urra, plani i ri i qarkullimit të trenave në Zvicër.

Marc Aurel, perandor romak.



Juria e re e çmimit Nobel për Letërsi
Kësaj radhe kjo pasqyrë e shtypit nuk fillon me politikë, por me letërsi. Siç shkruan «Süddeutsche Zeitung», Akademia Suedeze ka bërë të ditur të hënën se për zgjedhjen e laureatit të çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 ka caktuar një juri të re, jashtë akademisë. Kjo juri përbëhet prej pesë shkrimtarëve dhe kritikëve dhe bashkë me Komitetin e Nobelit brenda akademisë, i cili përbëhet po ashtu prej pesë anëtarëve, do të zgjedhë fituesin e ri të çmimit Nobel për Letërsi. Juria është e ngarkuar të zgjedhë laureatin në dy vitet e ardhshme. Anëtarët e rinj të jurisë janë të gjithë suedezë dhe të gjithë kanë shkruar për mediat e këtij vendi. Nuk është pranuar kërkesa që anëtarë të jurisë të jenë edhe kritikë letrarë apo shkrimtarë nga bota e jashtme. Sivjet çmimi Nobel për Letërsi nuk është ndarë për shkak të krizës në Akademi si pasojë e intrigave, dyshimeve për ngacmime seksuale dhe – siç do të thoshte ndonjë gazetar kroat – «pizdarive» të tjera.

Një libër i ri: Marc Aureli, filozofi dhe perandori i mirë
«Süddeutsche Zeitung» sjell një recension mbi librin «Marc Aurel: Perandori dhe bota e tij» të autorit Alexander Demandt. Marc Aureli, i cili qeverisi Perandorinë Romake mes viteve 161 deri 180, konsiderohet si njëri prej sundimtarëve më të njohur të monarkisë. Njëri prej lexuesve më të njohur të veprave të Marc Aurelit në Gjermani ka qenë kancelari Helmut Schmidt (1918-2015), i cili deri në vdekje nuk hoqi dorë nga pirja e cigares. Schmidt ishte duhanxhi i veçantë: pinte cigare me aromë mentoli. Kur shkonte në studio televizive, të gjitha ligjet gjermane suspendoheshin dhe politikani i madh socialdemokrat shpjegonte botën i mbështjellë me shtëllunga tymi. Në fund kutia me cigare numëronte një apo dy copë. Schmidt ka treguar se në orët e vështira të pushtetit përherë i ka lexuar meditimet e Marc Aurelit. Adhurues i perandorit romak është edhe James Mattis, ish-gjeneral i marinsave amerikan dhe tani ministër i Mbrojtjes i SHBA-ve. Edhe ata që nuk e kanë lexuar Marc Aurelin, ndoshta e njohin nga filmi «Gladiatori» të Ridley Scott, në fillim të të cilit perandori i moshuar ngadhënjen mbi gjermanët e egër.

Historiani gjerman Alexander Demandt (81-vjeçar) ka botuar së fundi një biografi impozante të Marc Aurelit, shkruan «Süddeutsche Zeitung». Demandt është i njohur edhe për një biografi të Aleksandrit të Madh (Lekës së Madh). Sipas recensentit, biografia e Marc Aurelit është një vepër shumë solide dhe njëkohësisht fascinuese mbi jetën dhe karrierën e perandorit filozof. Alexander Demandt i merr me vete lexuesit në një udhëtim kohor në brendi të një kulture të lartë, e cila do të marrë fund me Marc Aurelin dhe s’do kthehet më. Në vitin 1776 britaniku Edward Gibbon shkroi se vitet e sundimit të Marc Aurelit qenë epoka «më e lumtur dhe më e lulëzuar» e njerëzimit: një perandori në paqe me botën dhe me veten, me kufij të mirëmbrojtur nga legjionet, me mirëqenie për shumëkënd, me filozofi e arkitekturë që po lulëzonte, por edhe me një shumëllojshmëri pikëpamjesh. Marc Aureli ishte stoik, në meditimet e tij ai e këshillon lexuesin të jetë modest, i vetëdisiplinuar, mirënjohës për të gjitha të mirat dhe i qëndrueshëm përballë të keqes. Njeriu, thoshte Marc Aurel, nuk duhet të bëhet i varur na lavdërimi apo qortimi i të tjerëve, por duhet të dëgjojë ndërgjegjen e tij. Aurel fitoi shumë beteja, para se mbi perandorinë e tij të hidheshin popujt barbarë. Ai përfaqësonte artin e metriopatisë, domethënë: gjithçka me masë. Demandt shkruan: «Kënaqësinë dhe dhembjen … nuk mund t’i shmangim, por ne duhet të jemi në gjendje t’i zbusim apo dhe përballojmë, siç na thotë Herodi dhe siç e di Marc Aureli». Për dallim nga të krishterët e hershëm që propagandonin asketizmin dhe distancën ndaj çdo kënaqësie trupore, perandori kishte një filozofi tjetër – pra, kënaqësi, veçse me masë. Porositë e tij sot shërbejnë edhe si inspirim në seminare për menaxherë të stresuar. (Për ata që lexojnë gjermanisht dhe janë të interesuar të lexojnë këtë libër: Alexander Demandt: Marc Aurel. Der Kaiser und seine Welt. Verlag C. H. Beck, München 2018, 592 faqe, 32 euro).

S’ka më armë gjermane për Arabinë Saudite
Më në fund ka reaguar edhe Gjermania. Pas vrasjes bestiale të gazetarit Jamal Khashoggi në Stamboll – me gjasë – nga ana e agjentëve të Arabisë Saudite, qeveria në Berlin ka ndërprerë furnizimin me armë të Riadit. Po ashtu u është ndalur hyrja në Gjermani 18 shtetasve arabo-sauditë për shkak të dyshimeve se janë të implikuar në vrasjen e Stambollit. Nga janari deri në shtator 2018 qeveria gjermane kishte lejuar eksportimin e armëve në Arabinë Saudite në vlerë prej 416 milionë euro. Vetëm Algjeria ka blerë më shumë armë nga Gjermania. Ndërprerja e furnizimit me armë të Riadit tashmë ka pasoja. Një firmë gjermane, e cila ka marrëveshje për prodhimin e 20 anijeve për patrullim në bregdetin saudit, ka qenë e detyruar t’ua shkurtojë orarin e punës 300 punëtorëve.

Arrestohet shefi i auto-aleancës Renault, Nissan dhe Mitsubishi Motors – për shkak të lakmisë së madhe
«Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) në faqen e parë boton lajmin se të hënën në Tokio është arrestuar Carlos Ghosn, shef i auto-aleancës Renault, Nissan dhe Mitsubishi Motors për shkak të dyshimit për keqpërdorime dhe për shkak se nuk e kishte deklaruar rrogën e vërtetë. Pas arrestimit firmat për prodhimin e veturave po përgatisin shkarkimin e drejtorit. «Arrestimi i Ghosnit, i cili drejton edhe Renaultin, hedh hije mbi aleancën, ku edhe Franca është e involvuar si aksionare e Renaultit. Presidenti Emmanuel Macron tha se duke pasur parasysh stabilitetin e grupit të firmave, shteti do të jetë i vëmendshëm. Sipas tij është ende herët për të verifikuar përmbajtjen e akuzave».

Tradita shtetërore e vizitave – në botë dhe ndër ne
Kancelari apo kancelarja e Gjermanisë menjëherë pasi të marrë postin viziton Parisin. Kështu demonstrohet afërsia mes dy shteteve – Gjermanisë dhe Francës si dy vende të rëndësishme të Bashkimit Europian. Pastaj kancelari apo kancelarja viziton Poloninë, fqinjin e madh lindor. Në Spanjë ekziston kjo traditë: kryeministri vizitën e parë e bën në Marok. Por, kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez i është dashur të presë gjashtë muaj deri sa Mbreti maroken Mohamedi i VI-të ka gjetur pak kohë të lirë për ta pritur, shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Të hënën Sánchez lavdëroi marrëdhëniet «vëllazërore» mes dy shteteve. Spanja është shumë e interesuar për raporte të mira me Marokun, sepse ky vend është një lloj ure për refugjatë dhe migrantë nga Afrika, të cilët mësyjnë Europën. Sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme të Spanjës që nga fillimi i vitit kanë ardhur gati 56 mijë refugjatë; në tërë vitin 2017 kanë ardhur 23 mijë refugjatë. Shumica prej tyre vijnë përmes Marokut në Spanjë. Mes tyre sivjet kanë qenë 6 mijë marokenë. Në fillim të nëntorit Sánchez njoftoi se BE do të përkrahë luftën e Marokut kundër migrantëve ilegalë me 140 milionë euro. Më parë në Rabat, kështu quhet kryeqyteti i Marokut, pushtetarët ishin zemëruar pasi BE kishte bërë të ditur se do të përkrahte Marokun dhe Tunizinë me vetëm 55 milionë euro për ruajtjen e kufijve. Shumëkush në këto vende pyeste si është e mundur që Turqia dhe Libia të marrin miliarda, ndërsa Maroku e Tunizia vetëm disa trosha. (Fjala troshë nuk gjendet në fjalorin e Gjuhës Shqipe, por ky nuk është budallallëku i vetëm i perandorëve të gjuhës shqipe. Sidoqoftë, supozoj se së paku katër milionë shqiptarë e dinë ç’domethënie ka fjala troshë. Ka edhe disa lokale të mira në Prishtinë që quhen «Trosha»). Ah, po, e si është puna me traditën e vizitave në viset tona. Nuk ka fare traditë. Vizitat zhvillohen sipas ftesave. Pra, kush bën rahmet. Kryeministri i Shqipërisë vizitën e parë do të duhej ta bënte në Kosovë, të dytën në Maqedoni, të tretën në Itali, të katërtën në Greqi, të pestën në Berlin, të gjashtën në SHBA, pastaj në Turqi. Kryeministri i Kosovës do të duhej të kishte këtë agjendë vizitash: Tiranë, Shkup, Washington, Berlin, Bernë, Vjenë. Në fund në Ankara.

John Bolton sot feston 70-vjetorin e lindjes
«Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) ka një traditë të mirë: boton portrete të vogla kur personalitete të politikës botërore festojnë ditëlindje të rëndësishme. Sot ditëlindjen e tij të ’70 e feston John Bolton, këshilltar për siguri nacionale i Donald Trumpit. Bolton është ai diplomati amerikan që para së Kosova të shpallte pavarësinë kishte alarmuar administratën e George W. Bushit që të mos ngutej me pranimin e shtetit të ri në Ballkan. Në atë kohë Bolton ishte mysafir i rregull në televizionin propagandistik rus «RT». Pasi Trump fitoi zgjedhjet, Bolton filloi të komentojë me tone pozitive politikën e presidentit. Ku tjetër pos në Fox News, mullirin e propagandës pro Trumpit. Ideologjikisht, shkruan (FAZ), mes Boltonit dhe Trumpit nuk ka dallime, përveç në rastin e Rusisë. Bolton e ka quajtur përzierjen e Moskës në zgjedhjet amerikane në vitin 2016 një «shpallje të vërtetë lufte». Bolton është aktiv në politikën amerikane të sigurisë që nga koha e Ronald Reaganit. Kur në pranverë Trump e përzuri këshilltarin e tij për siguri nacionale H. R. McMaster, radha i erdhi Boltonit për t’u futur në kabinet. Gjatë një vizite në Kiev Bolton tha se SHBA nuk kundërshtojnë një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, e cila do të përfshinte ndryshimin e kufijve. Bolton njihet si unilateralist, por nuk është neokonservator me prirje misionari. Ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Washington gjatë kohës së Bushit. Bolton edhe sot mendon se lufta kundër Irakut ka qenë e drejtë. Para se të merrte postin e tanishëm kërkoi që të rrëzohen regjimet në Korenë e Veriut dhe të Iranit. Por, kohëve të fundit sa i përket Koresë së Veriut Bolton po hesht, sepse shefi i tij, Doland T. po thotë se është dashuruar në Kim Xhong-Unin, djaloshin e rrumbullakët, i cili, sipas mediave zvicerane, shkollën fillore e ka kryer në Bernë – natyrisht me emër tjetër dhe i deklaruar si i biri i një diplomati koreano-verior.

Mrekullia e gazetës cilësore
Ku shihet cilësia e një gazete? Shihet te numri i korrespondentëve dhe redaktorëve kompetentë. Ta zëmë kur bëhet fjala për tema në lidhje me Amerikën. Në faqen e tretë të «Frankfurter Allgemeine Zeitung» një gazetar me përvojë dhe njohuri të gjera për Amerikën shkruan për guvernatorin e ri të Kalifornisë, Gavin Newsom. Ai e quan Donald Trumpin racist dhe figurë qesharake – me gjasë Trump do të jetë së shpejti edhe vjehrri i ish-gruas së Newsomit. E kuptuat? Nuk ka gazetar më të poshtër se ai që i lë lexuesit në baltë. Ja shpjegimi: Gruaja e parë e Gavin Newsom quhet Kimberly Guilfoyle. Ajo është gazetare dhe deri në verë të këtij viti ka punuar për Fox News. Kimberly Guilfoyle tani është në lidhje me djalin e Trumpit, Donald Jr., i cili është divorcuar së fundi. Në faqen e tetë pason një koment i gjatë nga një gazetar që ka raportuar me vite nga Washingtoni për «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Tema e tij: si po e zbaton Washingtoni me sanksione edhe kundër Europës politikën e tij të jashtme. Në faqen e ’15 një gazetare shkruan nga Phoenix (Arizona) për mësimet që mund të nxjerrin mediat amerikane nga rasti Acosta. Jim Acosta është ai gazetari i CNN-it, të cilit Shtëpia e Bardhë ia ndaloi raportimin nga Shtëpia e Bardhë pas një fjalosjeje me Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë. Në të vërtetë, Acosta këmbëngulte në pyetjet e tij, Trump humbi kontrollin, siç e humb sa herë që i përmenden hetimet mbi lidhjet e tij me Rusinë. Në faqen e ’18, tashmë kemi arritur te rubrika e ekonomisë, korrespondenti për çështje ekonomike nga Washingtoni shkruan se pasaniku amerikan Michael Bloomberg ia ka dhuruar 1,8 miliardë dollarë Universitetit privat Johns Hopkins. Falë këtyre parave kjo shkollë do të pranojë edhe studentë të varfër, të cilët nuk kanë para për të paguar shpenzimet e larta për studime. Kështu në të ardhmen edhe fëmijët nga familjet e varfra në SHBA do të kenë mundësi të regjistrohen në një universitet që ishte i rezervuar kryesisht për fëmijë të të pasurve. Nga Frankfurti një autor me shkurtesën guth. shkruan në faqen ‘19 se ekonomia amerikane, sipas një studimi të Econpol Europe, deri më tani ka përfituar 18,4 miliardë dollarë nga taksat ndëshkuese doganore kundër Kinës. Faqe 23: Një gazetar me shkurtesën lid. raporton nga New Yorku se në San Francisco mijëra njerëz nuk kanë strehë mbi kokë. Tani një taksë e re ndaj ndërmarrjeve pritet t’u ndihmojë atyre. Faqe 24: I njëjti autor shkruan se shefi i Apple Tim Cook angazhohet për rregulla më të ashpra ligjore për fushën e teknologjisë. Gati dhjetë artikuj vetëm me tema nga SHBA-të! Në një numër gazete! Sa për krahasim: Asnjë medium shqiptar nuk ka korrespondent në Washington. Një popull me dy shtete, rreth pesë milionë banorë në Ballkan dhe me siguri mbi dy milionë në vendet e Bashkimit Europian dhe në Amerikë. Pra, s’ka korrespondent në Washington, por politikanët dhe partitë e Tiranës e Prishtinës çdo muaj gjoja për lobim u paguajnë mijëra e mijëra dollarë kompanive për relacione publike në kryeqytetin amerikan. Janë para të qytetarëve këto. Lobimet viteve të fundit janë personalizuar krejtësisht dhe nuk kanë të bëjnë më me interesa të larta shtetërore. Një, dy apo tre gazetarë seriozë shqiptarë në Washington do të mund të hidhnin pak dritë edhe në këtë pyll të errët.

Nancy Pelosi dhe droga e quajtur politikë
Ajo është 78-vjeçare. Demokrate. Politikane me përvojë në Amerikë. Në një fotografi të vjetër ajo shihet me John F. Kennedyin – në vitin 1961. Nancy Pelosi është gjatë në biznesin e politikës. Gazeta «Tages Anzeiger» shkruan se Pelosi tani e ka ndërmend të kandidojnë për kryetare të Dhomës së Përfaqësuesve, njërën nga dhomat e Kongresit Amerikan. Disa demokratë kanë thënë se nuk do të votojnë për Pelosin, duke kërkuar një kandidat të ri apo kandidate të re. Dhe kanë të drejtë. Partisë Demokratike në Amerikë i duhet një freskim edhe me fytyra. Por, edhe në Amerikë politika për disa politikanë është drogë. Dhe nga kjo drogë s’duan të heqin dorë as në moshën 78-vjeçare.

Urra, plani i ri i qarkullimit të trenave në Zvicër
«Neue Zürcher Zeitung» shkruan për planin e ri të qarkullimit të trenave në Zvicër, i cili do të publikohet më 9 dhjetor. Ky është lajm i rëndësishëm për një vend si Zvicra, ku çdo ditë qindra-mijëra njerëz udhëtojnë me tren dhe autobus. Ndryshime të mëdha nuk do të ketë, por ofertat do të zgjerohen dhe harmonizohen. Në trenat e rinj «FV-Dosto» do të ketë më shumë vend për pasagjerët – 10 për qind më shumë, siç e ka llogaritur ndërmarrja shtetërore e hekurudhave, SBB. Me këta trena janë të mundshme kompozicionet deri në 400 metra dhe deri në 1300 pasagjerë. Trenat «FV-Dosto» disponojnë me një teknikë, e cila mundëson që të ecin më shpejt nëpër kthesa. Por, testet që janë bërë kanë treguar se në pjesën e epërme të vagonëve ka dridhje pak më shumë se në trenat tjerë. Menjëherë është lajmëruar prodhuesi, i cili duhet të ndërmarrë masa përkatëse.
E.R.