Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 19 nëntor 2018: Katundaria kundër presidentit Macron. Trump në siklet nga CIA. Kujdes nga klanet mafioze arabe në Gjermani. Pse viti 536 ishte viti më i keq deri më tani? «Unë fitoj një milion euro në vit»: rroga e Friedrich Merzit, i cili dëshiron të bëhet shef i CDU-së, partisë së kancelares Merkel. Më në fund edhe zviceranët të kënaqur me Xhakën, Seferoviqin, Shaqirin, Mbabu. Drejtësia, padrejtësia dhe mizoria sipas shkrimtarit suedez Arne Dahl. Angela Merkel – kompetencë në vend të retorikës së zjarrtë. Abdelaziz Bouteflika, 81-vjeçar, në karrocë invalidi – dhe prapë dëshiron të kandidojë për president të Algjerisë.

Foto: Shutterstock



Katundaria kundër presidentit Macron
Gjatë fundjavës presidenti francez Emmanuel Macron ka folur në Berlin për paqen dhe miqësinë. Por, nga vendi i tij kanë jehuar protesta të fuqishme. Gati 300 mijë njerëz kanë demonstruar kundër politikës së tij. Barrikadave u është vënë flaka, kishte të lënduar. Përkrahja për Macron ka arritur pikën më të ulët, shkruan «Süddeutsche Zeitung». Protesta është para së gjithash revoltë e katundarisë franceze kundër Macronit. Shumicës i ka ardhur te hunda politika e presidentit. Fshatarët kanë ngritur barrikada kundër shtrenjtimit të benzinës dhe naftës. Në shikim të parë kundër presidentit po protestojnë shoferët, por në thelb, sipas gazetës gjermane, protestës po i prijnë banorët e fshatrave, qytezave dhe paralagjeve të metropoleve. Nga Bresti në Bretagne, nga tuneli i Mont Blancut te alpet, nga Calais në Marseille në Mesdhe: në mbi 2000 lokalitete ka pasur protesta kundër Macronit. Në Paris mijëra francezë brohoritën: «Macron démission», Macron jep dorëheqje. Përveç kundër shtrenjtimit të derivateve të naftës francezët po protestojnë kundër rritjes së tatimeve dhe shtrenjtimit të çmimeve të artikujve ushqimorë. Sipas një ankete 74 për qind e francezëve përkrahin protestën.

Të dielën në Gjermani u shënua «Volkstrauertag», dita e pikëllimit. Në këtë ditë kujtohet viktimat e luftës dhe sundimit të dhunshëm. Me këtë rast Macron mbajti një fjalim në Bundestag, në parlamentin gjerman. «Süddeutsche Zeitung» shkruan: «Me një rrëfim të shkurtër për dy ushtarë në Luftën e Parë Botërore Emmanuel Macron përgatiti një përfundim mbresëlënës të fjalimit të tij në Bundestagun gjerman të dielën. Është rrëfimi i poetit Ernst Stadler, i cili në vitin 1918 kishte dalluar në front një shkrimtar francez, veprat e të cilit i kishte përkthyer në gjermanisht. Stadler i shkroi atij një mesazh, me gjasë në gjermanisht, të cilin francezi nuk e mori vesh. Megjithatë, tregon Macron, ai iu kishte përgjigjur Stadlerit në frëngjisht: ‘Gjermani im i dashur, nuk po ju kuptoj, por ju dua’. Frymën e këtij rrëfimi presidenti do ta vendosë në realitet në mënyrë të papërsëritshme në fund të fjalimit të tij».

Trump në siklet nga CIA
Donald Trump sundon me mentalitet të biznesmenit. Ashtu i ka ndërtuar edhe raportet me vendet si Arabia Saudite. «Ju neve naftën, ne paratë, ju blini armë te ne, ne ju shesim» – pak a shumë kështu zhvillohen marrëdhëniet mes Mbretërisë saudite dhe Amerikës. Trump ka edhe lidhje biznesore në Arabinë saudite. Vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi me gjasë nga agjentët sauditë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll e ka vënë Trumpin në siklet të madh. Ai nuk mund ta mbrojë hapur princin e kurorës Mohamed Bin Salman. Aq më pak mund ta mbrojë tani, kur CIA, shërbimi sekret amerikan, po e akuzon direkt princin e kurorës se ka dhënë urdhër për vrasjen e gazetarit. Akuza e CIA, shkruan «Süddeutsche Zeitung», nuk mund të mbetet pa pasoja, por Trump nuk ka interes të acarojë raportet me Riadin. Ai e konsideron Arabinë Saudite si aleat të rëndësishëm. Trump e di se princi ka raporte të ngushta me dhëndrin e tij, Jared Kushner. Nëse princi do të ndëshkohej, kjo do të hidhte një hije të keqe edhe mbi familjen Trump.

Kujdes nga klanet mafioze arabe në Gjermani
Gjermania ende është Gjermani, por, megjithatë, për shkak të rritjes së numrit të huajve, edhe shoqëria gjermane po ndryshon. Në imazhin e përditshmërisë bien në sy turq, ballkanas, kurdë, njerëz nga Magrebi, shqiptarë, arabë. Në «Süddeutsche Zeitung» botohet një recension për librin e autorit Ralph Ghadban mbi klanet arabe në Berlin. Ghadban shkruan se në Gjermani vepron një klan i rrezikshëm libanez i quajtur «Mhallami»; ky klan mban lidhje edhe me turq dhe kurd. Ky klan është i specializuar për vjedhje, shantazh, delikte dhune, prostitucion dhe tregti me drogë. Megjithatë, recensenti i librit mendon se autori shpesh e tepron me formulime drastike sa i përket rrezikut nga klanet arabe.

Pse viti 536 ishte viti më i keq deri më tani?
Njerëzimi ka përjetuar kohëra të errëta, të rënda, të vështira – për shembull në shekullin e ’14, kur murtaja shpopulloi Europën. Luftërat fetare kanë qenë po ashtu shkatërruese. Por, sipas historianëve dhe studiuesve të klimës viti absolutisht më i tmerrshëm për të jetuar mbi tokë ka qenë viti 536 pas Krishtit. Kështu së paku mendon historiani Michael McCormick nga Universiteti i Harvardit, në revistën «Science», sipas «Süddeutsche Zeitung». Në vitin 536 shpërthimi i vullkaneve në Islandë shkaktoi një katastrofë botërore, me ç’rast u zu edhe dielli dhe bota rrëshqiti në një katastrofë. Nga Irlanda në Lindjen e Afërt e deri në Azi të lashtat nuk mbinë fare, në Kinë ra borë. Dielli gjatë tërë vitit ndriçoi si të ishte hënë, por pa ndonjë fuqi rrezatimi. Kështu ka raportuar edhe kronisti bizantin Prokopi. Për të zbuluar se çka i shkaktoi anomalitë meteorologjike, shkencëtarët analizuan bërthamën e një akullnaje në Zvicër. Në këtë bllok prej 72 metrash të gjatë mund të ndiqet historia klimatike dy mijë vjeçare.

«Unë fitoj një milion euro»: rroga e Friedrich Merzit, i cili dëshiron të bëhet shef i CDU-së, partisë së kancelares Merkel
Friedrich Merz ka qenë dikur politikan me perspektivë. Por, kur Angela Merkel mori drejtimin e CDU-së, partisë së madhe konservatore gjermane, mes Merz dhe Merkel u hap një hendek i madh. Ata s’mund të duronin njëri-tjetrin. Merz u tërhoq hap pas hapi nga politika, më 2009 kaloi tërësisht në ekonominë private. Prej vitesh Merz punon për një fond amerikan, i cili menaxhon miliarda. Sigurisht Merz nuk duhet të numërojë metelikët kur blen bukë. Ngaherë është supozuar si ai është milioner. Tani këtë e ka konfirmuar edhe vetë, shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Merz e ka bërë këtë, sepse kandidon për shef të CDU-së, pasi kancelarja Merkel ka thënë se nuk pretendon më të drejtojë partinë. Në fillim të dhjetorit një kongres i partisë do të zgjedhë kryetarin apo kryetaren e re. Që tani në Gjermani po zhvillohet një debat nëse Merz është kandidati i duhur. Thuhet se si milioner me avion të tijin privat ai ka jetuar larg njerëzve të rëndomtë. Sidoqoftë, shef i CDU-së dëshiron të bëhet dikush që është milioner nga puna e tij. Një dallim ky i vogël me Kosovën, ku politikanët hyjnë në politikë për t’u bërë milioner. Dhe bëhen. Dhe bëhen me metoda kriminale. Dhe nuk kanë përse t’i frikësohen drejtësisë.

Më në fund edhe zviceranët të kënaqur me Xhakën, Seferoviqin, Shaqirin, Mbabu
Në kuadër të Nations League Zvicra ka luajtur të dielën futboll kundër Belgjikës, ekipit që llogaritet i pari në botë. Në 17 minutat e parë Zvicra hëngri dy gola dhe dukej sikur do të ishte një mbrëmje e mërzitshme, me titujt e rëndomtë të gazetave zvicerane, plot nënçmim ndaj futbollistëve, me atë nëntonin e poshtër se ky ekip nuk është i bërë për mrekulli të mëdha, shto këtu edhe disa shuplaka kundër trajnerit Vladimir Petkoviq. Por, të dielën në Luzern lojtarët e Zvicrës treguan çfarë potenciali kanë. Në minutën e ‘32 shënoi Rodriguez, në minutën e ’44 Seferoviq, në minutën e ’62 Elvedi, në minutën e ’84 Seferoviq. Pesë me dy për Zvicrën! Një spektakël që i ngjante atij të Kosovës në Maltë, ndonëse Malta nuk mund të krahasohet me Belgjikën sa i përket futbollit. «Ku do të ishte Zvicra pa lojtarët e huaj?», më pyeste mbrëmë një shok nga Prishtina. «Diku në vitet ‘70». Atëherë zviceranët fitore e quanin kur pas 7 golave që merrnin nga kundërshtari në fund arrinin të jepnin një gol. Pas fitores në Luzern kundër Belgjikës mediat janë qetësuar pak. «Tages Anzeiger» komenton: «Zvicra po e përfundon vitin me një vepër heroike kundër Belgjikës – dhe kësisoj ka treguar pasion, i cili deri më tani i ka munguar në turnirë të mëdhenj. Nëse shikojnë ranglistën e FIFA-s futbollistët zviceranë mund të jenë të kënaqur. Renditen në vendin e ‘8, para kombeve si Spanja, Argjentina apo Gjermania. Kjo dhe kualifikimi për turnirin final të Nations League sugjerojnë: ky ekip është klasë botërore». Ndërsa «Neue Zürcher Zeitung» nënvizon se Zvicra me fitoren kundër Belgjikës e ka tejkaluar veten. Fitorja është suksesi deri më tani më i madh i Vladimir Petkoviqit, ndërsa fatlumi i mbrëmjes ishte Haris Seferoviq: ai shënoi tre gola. Bash ai Seferoviqi, të cilin para një viti e fishkëllenin fansat, sepse nuk i shkonte gati asgjë për dore.

Drejtësia, padrejtësia dhe mizoria sipas shkrimtarit suedez Arne Dahl
Suedezi Arne Dahl është njëri prej autorëve më të popullarizuar në botë të romaneve kriminalistike. Për të romanet kriminalistike kanë sukses, sepse tematizojnë brutalitete, të cilat qëndrojnë pas çdo krimi. Në një intervistë për «Tages Anzeiger» Dahl tregon se si shkencëtar i letërsisë dhe 30-vjeçar ishte përpjekur të shkruajë kryevepra – «nuk funksionoi aq», thotë ai. Pastaj, vite më vonë, filloi të shkruajë romane kriminalistike. «Letërsia ka të bëjë me jetën dhe vdekjen. Mbi drejtësinë dhe padrejtësinë, të mirën dhe të keqen. Bëhet fjalë për anën e errët të ekzistencës. Te romanet kriminalistike kjo bëhet edhe më e qartë. Dhe: Këto romane kanë një publik më të madh. Nuk kam dashur të shkruaj vetëm për veten time». Autorët nga vendet nordike janë mbizotërues në zhanrin e romaneve kriminalistike, por ende nuk është shkruar një roman mbi vrasjen më spektakulare të historisë së Suedisë: vrasjen e kryeministrit Olof Palme më 1986. Arne Dahl ka një përfytyrim se si do të mund të shkruhej një roman për këtë rast: «Si autor them: Interesant do të ishte një komplot i madh, ku janë të përzier regjimi jugafrikan i aparteidit, ekstremistët e djathtë në shërbimin sekret suedeze apo CIA. Si njeri dhe suedez them: ndoshta është rastësi. Një narkoman me revole, i cili qëlloi Olof Palmen, i cili ishte naiv dhe vonë në mbrëmje ecte nëpër qytet pa truproje». Ka edhe një tragjedi tjetër suedeze për të cilën mund të shkruhet jo vetëm një roman: në vitin 2003 Mijailo Mijailoviq, një serb i lindur më 1978 në Suedi, theri me thikë ministren e Jashtme Anna Lidh. Në fillim supozohej se vrasësi kishte motive politike, më vonë Suedia pak a shumë është pajtuar me konstatimin se Mijailoviq kishte probleme psikike. Përndryshe librat e Arne Dahl janë përkthyer në 32 gjuhë.

Angela Merkel – kompetencë në vend të retorikës së zjarrtë
Gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» është mjaft kritike ndaj kancelares gjermane. Aq kritike, saqë shumë nacionalistë gjermanë kanë filluar ta pëlqejnë këtë gazetë dhe të urrejnë gazetat e mëdha gjermane, të cilat, sipas tyre, nuk janë sa duhet kritike ndaj kancelares dhe politikave të saj tolerante ndaj migrantëve. Mbështetës të Pegidas, një organizate nacionaliste dhe antieuropiane, në Gjermani bëjnë thirrje që të lexohen gazeta zvicerane – këtu fjalën e kanë për «Neue Zürcher Zeitung» dhe për revistën «Weltwoche», e cila dikur ka qenë një gazetë javore e mirë, liberale, serioze, ndërsa sot është vetëm një fletushkë propagandistike e popullistëve zviceranë. Megjithatë, «Neue Zürcher Zeitung» nganjëherë boton edhe tekste afirmative për kancelaren Merkel. Kështu «tezja plakë», siç quhet «Neue Zürcher Zeitung» (numri i parë i gazetës u botua para 239 vitesh!), në numrin e së hënës publikon një shkrim të Herfried Münkler, profesor i teorisë politike dhe historisë së ideve në Universitetin Humboldit. Münkler shkruan se karakteri i përmbajtur i Merkelit ka krijuar përshtypjen në opinion se politika e saj ka qenë e pavendosur, por në vend të retorikës së zjarrtë ajo qeverisi me kompetencë. Konstatimi lapidar i autorit për qeverisjen e Merkelit: Alternativë më të mirë për kryeministre Gjermania nuk ka pasur.

Abdelaziz Bouteflika, 81-vjeçar, në karrocë invalidi – dhe prapë dëshiron të kandidojë për president të Algjerisë
Shumica e algjerianëve nuk njohin president tjetër përveç Abdelaziz Bouteflikës. Është zgjedhur në vitin 1999 dhe sundon ende. Tani ai është 81-vjeçar, gati i palëvizshëm për shkak të një sulmi në tru në vitin 2013, vartësit e tij e bartin me karroce invalidi. Ka politikanë që nuk duan të shkëputen nga pushteti, ndër ta është edhe Bouteflika. Sipas «Financial Times» partia e Bouteflikës ka paralajmëruar gjatë fundjavës se presidenti do të kandidojë sërish në pranverën e vitit të ardhshëm. Kështu Algjerinë e pret edhe një pesëvjeçar me një president pothuaj të paaftë për postin. Algjeria është eksportuese kyç i gazit natyror nga Afrika Veriore në Bashkimin Europian. Bernard Bajolet, ish-shef i shërbimit sekret francez dhe ish-ambasador në Algjeri, tha në shtator se Bouteflika po mbahet gjallë në mënyrë artificiale. Paraliza e këtij vendi të rëndësishëm në Afrikën Veriore ka ngjallur shqetësime edhe në BE. Paralajmërimi i kandidaturës së re të tij tregon se udhëheqja nuk ka arritur të merret vesh për pasardhësin e Bouteflikës. Shumë algjerianë e lavdërojnë presidentin se pas vitit 1999 ka arritur t’i japë fund dhunës politike mes islamistëve radikalë dhe ushtrisë në vitet ’90. Atëbotë në përleshjet mes tyre u vranë rreth 200 mijë veta. Në vitin 2010-2011 edhe në Algjeri pati protesta kundër sistemit. Por, vala e «pranverës arabe» nuk e përfshiu këtë vend, sepse regjimi reagoi me represion dhe me zbritje të çmimeve për artikuj ushqimorë. Por, nënvizon gazeta britanike, që nga viti 2014 Algjeria po harxhon rezervat devizore, ndërsa çmimi i naftës po bie. Nga viti 2014 rezervat devizore kanë rënë nga 178 miliardë dollarë në 88,6 miliardë dollarë (sipas të dhënave zyrtare të këtij viti). E.R.