Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 15 dhjetor 2018: Nepotizmi – nga koha e Marc Aurelit deri te Donald Trumpi e Rexhep Taip Erdoani. Hebreu i fundit i Afganistanit. «Heisszeit» – fjala e vitit në Gjermani. Gabimet dhe profecitë e Pascal Bruckner – një përkujtim në 70-vjetorin e lindjes. Lufta e konservatorëve britanikë kundër Europës. Në Greqi ka mbijetuar sistemi i vjetër i klientelizimit. Europian, emigrant, humanist – një retrospektivë e pikturave të Oskar Kokoschkas në Zürich, i cili më 1959 i bëri një portret në Londër piktorit shqiptar Çatin Saraçi.

Urë në Dresden. Pikturë e Oskar Kokoschka.



Nepotizmi – nga koha e Marc Aurelit deri te Donald Trumpi e Rexhep Taip Erdoani
Po qarkullojnë supozime se Donald Trumpi e ka ndërmend ta bëjë dhëndrin e tij shef të shtabit në Shtëpinë e Bardhë. (Në Kosovë dhëndri i Ramush Haradinajt di menaxhon paratë e Sigurimeve Shëndetësore). Në këtë mënyrë qeverisjeje Trump dhe Haradinaj kanë diçka të përbashkët me Rexhep Taip Erdoanin e Turqisë: Ai e ka bërë dhëndrin e tij Berat Albajrak ministër të financave. Gazeta «Süddeutsche Zeitung» shkruan se nepotizmi ka një histori të gjatë. Fjala nepotizëm rrjedh nga fjala latine nepos – që domethënë nip, pasardhës. Nënkancelari i Austrisë Christian Strache kishte thënë se sapo të vijë në pushtet, do t’i japë fund nepotizmit të partive të vjetra. Dhe si erdhi në pushtet Strache e bëri gruan e tij të ngarkuar për çështje të kafshëve në partinë e tij FPÖ. Në Perandorinë Romake nepotizmi kishte pothuaj rang kushtetutës. Pas vdekjes së perandorit, pushtetin e merrte i biri i tij. Pas perandorit e filozofit Marc Aurel në vitin 180 pas Krishtit pasardhës i tij në post u bë i biri i tij Komodusi, i cili s’përtonte të rrihej në arenë dhe, siç nënvizon gazeta gjermane, në listat e perandorëve më idiotë ai është ndër të parët. Ndoshta ia kalon vetëm Kaligula, i cili e pasoi në post Tiberin, vëllain e gjyshit të tij. Ndër veprat më pak të dëmshme të Kaligulës ishte emërimi i kalit për konsull. Në gjermanisht për fjalën nepotizëm ka disa sinonime. Zviceranët e quajnë «Vetterliwirtschaft» (ekonomi kushërinjsh), në dialektin shvabë flasin për «Vetterleswirtschaft» në Bavari «Spezeln», në Rajnë (Rhein) «Kölsche Klüngel». Por, fjalori gjerman Duden përmban edhe një variant femëror: «Cousinenwirtschaft», ekonomi kushërirash.

Hebreu i fundit i Afganistanit
«Süddeutsche Zeitung» boton një portret të Zabolon Simantov, i cili është hebreu i fundit i Afganistanit. «Unë rri këtu për t’u kujdesuar për sinagogën», ka deklaruar Simantov për «Times of Israel». «Po të mos isha këtu, prona do të shitej qëmoti». 52-vjeçari Simantov dëshiron të ruajë trashëgiminë hebraike në Afganistan, ku sipas disa vlerësimeve në shekullin e ’19 jetonin 40 mijë hebrenj. Gjurmët e tyre shtrihen deri te koha e ekzilit babilonik. Më vonë Kabuli ishte qendër e shkëmbimit dhe shitblerjes së mallrave në rrugët tregtare mes Azisë qendrore dhe Indisë. Atëbotë tregtarët hebraikë i përkisnin elitës së qytetit. Pas themelimit të Izraelit më 1948 mijëra hebrenj vendosën të shpërngulen në shtetin e ri.

«Heisszeit» – fjala e vitit në Gjermani
Në Zvicër para disa ditësh u zgjodh fjala e vitit. Ajo është: shqiponja dykrerëshe («Doppeladler»). I referohet debatit të zhvilluar në Zvicër pasi dy lojtarë futbolli me origjinë nga Kosova e bënë gjestin me shqiponjë në ndeshjen e futbollit mes Zvicrës dhe Serbisë në Kampionatin Botëror të Futbollit në Rusi. Tani edhe në Gjermani është zgjedhur fjala e vitit. «Frankfurter Allgemeine Zeitung» njofton se Shoqata për gjuhën gjermane (GfdS) e ka zgjedhur fjalën «Heisszeit» si fjalë të vitit 2018. «Heisszeit» përshkruan stinën e thatë dhe me vapë të madhe të verës. Me këtë përzgjedhje linguistët alarmojnë mbi ndryshimet klimatike në botë. Këto ndryshime janë vërejtur sidomos sivjet gjatë verës.

Gabimet dhe profecitë e Pascal Bruckner – një përkujtim në 70-vjetorin e lindjes
 «Frankfurter Allgemeine Zeitung» boton një tekst të shkurtër me rastin e 70-vjetorit të lindjes së filozofit francez Pascal Bruckner. Në veprën e tij «Rendi i ri i dashurisë» Bruckner lan hesapet me «dashurinë e lirë» (pa kufizime) dhe me «revolucionin seksual» të propaganduar nga e majta e vitit 1968. Bruckner studioi te Roland Barthes. Në veprën «Dënesja e burrit të racës së bardhë» ai polemizoi kundër ideologjisë së botës së tretë dhe ishte ndër të parët që tematizoi «ndërgjegjen e vrarë të Perëndimit». Në ese të tjerë ai u mor me pozën e viktimës në shoqëri dhe me «racizmin imagjinar». Sipas tij nocioni «Islamofobi» është përhapur për ta mbrojtur islamin nga çdo kritikë fetare – në një analogji perverse me antisemitizmin. Bruckner ka ligjëruar në universitetet elitare franceze dhe amerikane. Ai e ka përkrahur luftën kundër Irakut më 2003 – «një gabim», siç e ka pranuar. Më 2007 e mbështeti Nicolas Sarkozy në garën për president. Pastaj Bruckner e pranoi se Sarkozy ishte një «zhgënjim». Bruckner nënshkroi një peticion kundër kriminalizimit të burrave që u pëlqen të dëfrehen me prostituta. Bruckner shkruan edhe romane. Njëri ndër ta është filmuar nga Roman Polanski. Para katër vitesh Bruckner botoi autobiografinë «Un bon fils»: babai i tij ishte një nazist protestant dhe antisemit, i cili gjatë luftës punoi në Siemens në Berlin dhe më vonë në Vjenë. Emancipimin seksual dhe barazinë gjinore ai e quan të arriturën më të madhe të viteve ’60. Tani Bruckner është kandidat për anëtar të Académie française. Kush pranohet aty, konsiderohet i pavdekshëm.

Lufta e konservatorëve britanikë kundër Europës
Gazeta «Financial Times» i kushton një artikull të gjatë betejës së konservatorëve (tories) të Britanisë së Madhe kundër Bashkimit Europian. Ky delirium kundër BE-së i ka shkatërruar tre kryeministra dhe e ka sjellë partinë në rrezik. Kjo luftë 30-vjeçare kundër BE-së i ka varrosur politikisht Margaret Thatcher-in, John Major-in dhe David Cameron-in. Tani në radhë për t’u varrosur politikisht është Theresa May.

Në Greqi ka mbijetuar sistemi i vjetër i klientelizimit
Në gazetën zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» historiani Ekkehard Kraft, një njohës i mirë i Ballkanit dhe sidomos Greqisë, qëmton të dhëna të ndryshme për të dëshmuar se, përkundër krizës së madhe financiare, në Greqi ende funksionin sistemi i vjetër i klientelizmit. Të dhënat aktuale mbi situatën ekonomike duken optimiste vetëm në shikim të parë. Në vitin 2017 ekonomia – e cila nga viti 2008 ishte tkurrur për një të katërtën – u rrit për 1,4 për qind, por kjo ishte rritja më vogël në BE. Në kulmin e krizës papunësia ishte 27,5 për qind, ndërsa gjatë verës ra nën 20 për qind. Por, papunësia do të ishte shumë më e madhe nëse Greqinë të mos e kishin braktisur gjysmë milioni njerëz që nga shpërthimi i krizës. Mes tyre janë 180 mijë me diploma universitare. Raporti më i ri i World Economic Forum (WEF) njofton se sa i përket konkurrencës Greqia gjendet në vendin e ’57, i parafundit në mesin e shteteve të BE-së, pas Greqisë vjen vetëm Kroacia. Nepotizmi dhe patronazhi klientelist vazhdojnë të mbijetojnë në Greqi. Kryeministri Aleksis Cipras e emëroi një kushëri në një post të rëndësishëm në qeveri, babai i Nikos Papas, ministër dhe besnik i Cipras, u caktua drejtor i ndërmarrjes së trafikut urban në Selanik. Edhe gjendja në sistemin e drejtësisë nuk është më e mirë. Një procedurë gjyqësore zgjat zakonisht 52 muaj – më gjatë se në 154 shtete të tjera.

Europian, emigrant, humanist – një retrospektivë e pikturave të Oskar Kokoschkas në Zürich
«Neue Zürcher Zeitung» i kushton një kritikë të gjatë retrospektivës së pikturave të ekspresionistit Oskar Kokoschkas të hapur në Kunsthaus të Zürichut, në galerinë e qytetit. Kokoschka e dinte se ç’është lufta – ka qenë ushtar në Luftën e Parë Botërore. Ai ishte i traumatizuar prej saj. Ai ishte refugjat – si antifashist i bindur ai iku nga atdheu i tij Austria dhe shkoi në Pragë. Për t’i shpëtuar më vonë pushtimit të Çekosllovakisë nga Adolf Hitleri Kokoschka emigroi në Londër. Atje ai luftoi kundër nazizmit me mjetet që kishte – me piktura të tharta e satirike. – Në vitet ’30 piktori shqiptar Çatin Saraçi punoi në Ambasadën Shqiptare në Londër. Në Londër Saraçi, një kritik acidik i Mbretit Zog, më 1939 u njoftua me Oskar Kokoschkan, i cili më 1959 i bëri një portret Çatin Saraçit, por kjo është një histori tjetër…
E.R.