Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 13 dhjetor 2018: Në kokën e terroristit: shkrimtari Yasmina Khadra mbi atentatin në Strasburg. Si qeverisin popullistët? Gojën plot e punët kurrqysh. Një shembull nga Roma. Vera më e popullarizuar austriake bart emrin e një nazisti. Një dasmë në Indi për 100 milionë dollarë. Filmat me aktore në rolin kryesor sjellin më shumë para. 10 ditë para zgjedhjeve në Kongo digjen makinat e votimit.

Yasmina Khadra.



Në kokën e terroristit: shkrimtari Yasmina Khadra mbi atentatin në Strasburg
Europa është stolisur. Në prag të festave kudo – nga Zagrebi në Oslo, nga Madridi në kryeqytetet e vendeve baltike – janë hapur tregjet e Krishtlindjeve. Por, atmosfera festive turbullohet nga masat e rrepta të sigurisë. Shumë njerëzve u kujtohet 19 dhjetori i vitit 2016, kur terroristi tunizian rreth orës 20:00 u fut furishëm me një kamion në një treg të Krishtlindjeve në Berlin dhe me atë rast ua mori jetën 12 njerëzve, ndërsa plagosi 70. Të martën në mbrëmje krimineli Chérif C., 29-vjeçar dhe i dënuar për 27 vepra, vrau në një treg Krishtlindjesh në Strasburg dy njerëz, i treti është gjallë, por me tru të vdekur, ndërsa prej 12 të plagosurve 7 janë në rrezik për jetën. Gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» e ka pyetur shkrimtarin algjerian me banim në Paris, Yasmina Khadra, se si funksionon një terrorist. Khadra, i cili në të vërtetë quhet Mohammed Mousesehoul, shpjegon: «Xhihadisti nuk është në gjendje të mendojë vetë. Ai është një i çmendur, që jeton në halucinacionin e tij vrastar. Atij i vjen gërdi nga vetja e tij, sepse ai dëshiron të vdesë. Ëndrrat e tij kanë vdekur. Tani ai dëshiron t’i zhdukë ëndrrat e të tjerëve dhe ta pengojë festën e tyre». Khadra, i lindur më 1955, para se të bëhej shkrimtar ka shërbyer në ushtrinë algjeriane. I ati i tij luftoi kundër francezëve, i biri qe i detyruar të shërbejë në ushtri dhe të studiojë në akademinë ushtarake. Khadra luftoi tetë vjet në Algjeri kundër terrorizimit të Front islamique du Salut (FIS). «Armiqtë tanë ishin nipat dhe fqinjët tanë. Kam luftuar terrorizmin, kam varrosur miq, kam ngushëlluar nënat e fëmijëve të vrarë – dhe kam mbijetuar». Më 2005 Khadra u bë i njohur në mbarë botën me romanin «L’Attentat» (Atentatorja, në gjermanisht).

Si qeverisin popullistët? Gojën plot e punët kurrqysh. Një shembull nga Roma
Para dy vite e gjysmë kryetare e Romës u zgjodh Virginia Raggi nga lëvizja populliste Pesë Yjet (Movimente 5 Stelle). Ajo premtoi se do ta zgjidhë problemin e bërllokut dhe do të rregullojë transportin publik. Që nga atëherë, shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung», gjendja në Romë është keqësuar edhe më shumë. Tani në një impiant për trajtimin e bërllokut në veri të Romës ka shpërthyer zjarri. Në oborrin e depos tani janë 3000 tonelata bërllok që duhet trajtuar. Për çdo ditë në Romë përpunohen 500 deri 600 tonelata bërllok. Italia dhe bërlloku – kjo është një histori e gjatë. Në të kaluarën qeveritë italiane synonin të gjenin politikanë budallenj në Tiranë që do të merrnin bërllokun nga Italia për të asgjësuar. Rritja e vetëdijes ambientale në Shqipëri ka penguar një katastrofë të tillë, siç parandaloi edhe sjelljen e armëve kimike siriane. Por, sipas «Frankfurter Allgemeine Zeitung», jo vetëm Roma përballet me problemet e bërllokut. Rajoni i Campania në veri të Napolit, mes Caserta, Casal di Principe dhe Castel Volturno quhet «Terra dei Fuochi», toka e zjarrtë, për shkak se djegies së bërllokut. Ku ka mungesë rregulli, nuk është larg mafia. Me vite të tëra nga biznesi me bërllok ka përfituar edhe Comorra, mafia e Napolit dhe rrethinës.

Vera më e popullarizuar austriake bart emrin e një nazisti
Kush ka qenë në Austri për dëfrim, me siguri mund të ketë pirë verë të kuqe Zweigelt. «Pas çdo gllënjke Zweigelt ti i afrohesh edhe më shumë identitetit austriak», thotë historiani nga Vjena, Robert Streibel. Asnjë hardhi tjetër nuk mbillet më shumë në Austri se Zweigelt. Por, vera Zweigelt, shkruan «Süddeutsche Zeitung», ka një problem. Emri i verës rrjedh nga Friedrich «Fritz» Zweigelt, një botanist austriak, i cili më 1922 e prodhoi verën e kuqe Zweigelt duke kryqëzuar llojet e rrushit St. Laurent dhe Blaufränkisch. Zweigelt nuk ishte dashamir vetëm i verës, por edhe përkrahës i flaktë i nazistëve. Më 1933, pesë vjet pasi Austria «u bashkua» me Gjermaninë e Adolf Hitlerit, Zweiglet u anëtarësua në partinë e ndaluar naziste NSDAP. Më 1945 Zweigelt u dënua me gjashtë muaj burg për shkak të  nxitjes së urrejtjes. Pastaj gjithçka u harrua. Harresa ka qenë një kohë të gjatë një specialitet austriak. Ndonëse më 1938 gati e tërë Vjena doli në rrugë për t’i brohoritur ardhjes së Hitlerit, pas Luftës së Dytë gati të gjithë austriakët shtireshin sikur kanë qenë të pushtuar nga bashkëkombësi i tyre Hitleri. Nazistë ishin vetëm gjermanët, ndërsa austriakët viktima. Kjo qasje ka ndryshuar, por në shumë nivele të politikës austriake ende ka mohues të rolit të austriakëve gjatë nazizmit. Sa i përket verës Zweigelt: një nismë e artistëve nga Vjena propozon që kësaj pijeje t’i ndërrohet emri. Për shembull «Blauer Montag». Në gjuhën popullore kështu quhet e hëna, kur njeriu do të rri në shtrat pasi ka pirë verë gjatë tërë fundjavës.

Një dasmë në Indi për 100 milionë dollarë
Dasmat në Indi janë ndër ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm në jetën private. Pasanikët kujdesen që dasmat të shndërrohen edhe në ngjarje publike. Për shembull familja Ambani në Mumbai: gjatë fundjavës kjo familje ka filluar një festë para festës, një dasmë para dasmës. Sipas «Süddeutsche Zeitung» dasma ekstravagante do të kushtojë afër 100 milionë dollarë. Dhe do të zgjasë një javë. Kulmi i dasmës ishte të mërkurën: Isha Ambani, 27 vjeçare, dhe Anand Piramal, 33, i biri i një baroni të patundshmërive në Indi, ndezën zjarrin e dasmës, sipas traditës hinduse. Ky akt shoqërohet edhe me premtimet e shenjta të martesës. Nusja e dhëndri njihen që nga fëmijëria, ata gjatë vjeshtës u fejuan në pranë Liqenit të Comos në Itali. Të dy familjet i përkasin klaneve më të pasura të Indisë. Babai i nuses Mukesh Ambani është shef i perandorisë biznesore Reliance Industries. Ai është biznesmeni më i pasur i Indisë dhe «peshon» 43,7 miliardë dollarë. Familja e dhëndrit Piramal ka në xhirollogari 4 miliardë dollarë – një shumë që duket qesharake në krahasim me pasurinë e familjes Ambani. Në dasmën para dasmës kryesore, që u organizua gjatë fundjavës, morën pjesë mbi 5000 mysafirë, të cilët zaptuan të gjitha hotelet me pesë yje të qytete Udaipur me pallatet e tij historike. Në dasmë ishte yjet e Bollywoodit, përfshirë edhe Priyanka Chopra, e cila sapo është martuar me Nick Jonas, por në mesin e mysafirëve u pa edhe Hillary Clinton, e cila është mike e familjes Ambani. Kur i ke 43,7 miliardë dollarë pasuri nuk është befasi të të vijë në dasmë edhe Hillary Clinton.

Filmat me aktore në rolin kryesor sjellin më shumë para
Në fillim të vitit agjencia e aktorëve CAA dhe firma  Shift7 filluan një studim mbi ndryshimet eventuale në kinema pas debatit «Mee Too». Rezultatet e studimit janë botuar tani dhe janë të habitshme: filmat në të cilët gratë luajnë rolin kryesor, mesatarisht sjellin më shumë para se filmat në të cilët burrat luajnë rolin kryesor, njofton «Süddeutsche Zeitung». Studimi tregon se burrat marrin honorare më të larta kur luajnë në një film, por filmi nuk sjell më shumë para se kur një aktore luan rolin kryesor.

10 ditë para zgjedhjeve në Kongo digjen makinat e votimit
Gazeta britanike «Financial Times» shkruan në versionin Online se një zjarr në një magazinë në Kinshasa, kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos, i ka shkatërruar mijëra makina të votimit, të cilat duhej të përdoreshin në zgjedhjet presidenciale të shtyra disa herë. Djegia po konsiderohet si zjarrvënie dhe ka thelluar tensionet në vend. Deri në zgjedhje kanë mbetur 10 ditë dhe dyshohet se autoritetet nuk do të kenë mundësi të sigurojnë makina të reja të votimit për të garantuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kinshasa, qyteti më i madh i Kongos. Zgjedhjet janë shtyrë dy vite me radhë. Presidenti Joseph Kabila gjendet qe 17 vjet në pushtet dhe tani e ka ndërmend të heq dorë nga posti. Por, djegia e makinave të votimit ka shtuar zërat që thonë se Kabila po përpiqet të ndikojë në rezultatin zgjedhor.
E.R.