Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 10 dhjetor 2018: Gjashtë deputetë shkojnë për të pirë birra në një bar në Reykjavík, llomotisin me orë të tëra fjalë vulgare kundër grave – dhe tani Islanda debaton për një skandal të madh. Shtet postkomunist totalitar dhe mafioz, kleptokraci – kështu e përshkruan Rusinë gazetarja Masha Gessen në librin e saj të ri. A do t’ia dalë Macron që me një fjalim të fusë situatën nën kontroll? Nekrologji për Ludmilla Aleksejeva, një figurë qendrore e lëvizjes ruse për të drejtat e njeriut. Qeveria e Marokut dëshiron të shesë hotelin më të famshëm të Marrakeshit. Viktor Orban, kryeredaktori i 480 gazetave besnike ndaj qeverisë.

Hoteli La Mamounia.



Gjashtë deputetë shkojnë për të pirë birra në një bar në Reykjavík, llomotisin me orë të tëra fjalë vulgare kundër grave – dhe tani Islanda debaton për një skandal të madh
Islanda është vend i njohur për barazinë gjinore, shkruan «Süddeutsche Zeitung». Më 1980 në Islandë një grua u zgjodh presidente – ajo ishte e para grua në botë që u zgjodh në mënyrë demokratike në këtë funksion. Më 2009 Islanda zgjodhi kryeministre një grua homoseksuale. Në raportin e «Global Gender Gap» Islanda nëntë vite me radhë e ka zënë vendin e parë. Para disa vitesh ministri i Jashtëm Gunnar Bragi Sveinsson shkroi në një gazetë britanike në përkrahje të të drejtave të grave dhe bëri thirrje që burrat, si pjesë e problemit, të bëhen pjesë e zgjidhjes, duke ndryshuar sjelljet dhe zhdukur stereotipat e rrezikshëm. Ndoshta Sveinssonit nuk i kujtohet më se çfarë ka menduar vite më parë. Para tri javësh ai bashkë me pesë shokë të tij, të gjithë parlamentarë të opozitës, shkuan në barin «Klaustur» në Reykjavík për të pirë birra dhe folur për politikën. Në të vërtetë gjashtë parlamentarët folën më së shumti për gratë në parlament. «Ajo është vajzë e ëmbël», «ajo duket më pak epshore se para dy vitesh». Gjatë mbrëmjes u dëgjuan edhe fjalë të tjera shumë më të rënda, vulgare, të neveritshme të deputetëve kundër kolegeve deputete. Përveç Sveinssonit i pranishëm në ndejën në barin «Klaustur» në Reykjavík ishte edhe ish-kryeministri Davið Gunnlaugsson, kryetar i Partisë së Qendrës. Bisedën, sipas «Süddeutsche Zeitung», e regjistroi një mysafir i lokalit, i cili ua dha mediave nën pseudonimin «Marvin». Burrat deputetë tallen me gratë, invalidët dhe homoseksualët. Në Islandë tani ka një kuiz me pyetjen: a bëhet fjalë për repera-gangsterë apo për politikanë? Teatri i qytetit në afat rekord e ka vënë në skenë një version të dramatizuar të ndejës në bar. Kryetari i parlamentit u ka kërkuar falje grave, invalidëve dhe komunitetit LGBTQ. Ministrja e Kulturës, Lilja Alfredsdóttir, e cila ishte atakuar me fjalë vulgare e të ndyra nga deputetët e barit «Klaustur», tha se e kishte përjetuar këtë si keqpërdorim dhe i quajti kolegët e saj njerëz të dhunshëm. Shoqëria nuk guxon të lejojë të udhëhiqet nga politikanë të tillë, tha ajo. Më së shumti zemërim ngjallën sulmet e deputetëve kundër Freyja Haraldsdóttir, një aktiviste e njohur dhe ish-parlamentare, e cila vuan nga një sëmundje eshtrash dhe është e lidhur për karroce invalidësh. Ish-kryeministri Gunnlaugsson dhe tre deputetë u përpoqën të kërkojnë falje. Asnjëri nga gjashtë deputetët nuk kanë dhënë dorëheqje deri më tani. Këshilli i Etikës i Parlamentit ka filluar një hetim. E keqja e kësaj afere, sipas ish-kryeministrit Gunnlaugsson, është se në Islandë mund të përgjohesh ndërsa gjendesh në restorant. Të premten që shkoi «Marvini» misterioz bëri publik identitetin e tij. Bëhet fjalë për Bára Halldórsdóttir, një grua 42-vjeçare, ajo ka një djalë, një grua, një qen dhe dy mace. Bára Halldórsdóttir është islandeze, grua lezbike – dhe invalide.

Shtet postkomunist totalitar dhe mafioz, kleptokraci – kështu e përshkruan Rusinë gazetarja Masha Gessen në librin e saj të ri
Masha Gessen është gazetare ruso-amerikane dhe njëra prej kritikeve më të ashpra të regjimit të Vladimir Putinit. Së fundi Gessen ka publikuar librin «Ardhmëria është histori. Si e fitoi dhe si e humbi lirinë Rusia» (ky është titulli në gjermanisht). «Süddeutsche Zeitung» e prezanton këtë libër me një recension të gjatë. Gessen, sipas gazetës gjermane, shpjegon në mënyrë elegante dhe me teza të fuqishme se përse pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në Rusi dështoi demokracia. Autorja e përshkruan Rusinë në bazë të biografive të katër personave – Shana, Masha, Serjosha dhe Ljosha. Ata i përkasin asaj gjenerate, në jetën e së cilëve u realizua procesi i fitimit dhe humbjes së lirisë. Ata u lindën në vitet ’80 në kohën e Perestrojkës dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991, ishin tinejxherë në vitet e transformimit postkomunist dhe si të rinj të rritur u bënë dëshmitare e dëshmitarë të ardhjes së Vladimir Putinit në pushtet dhe radikalizimit të shtuar të pushtetit të tij si dhe të luftës kundër Ukrainës. Gessen nuk ndalet vetëm te biografitë e protagonistëve të librit, por bën edhe një analizë mbi shkaqet e dështimit të demokracisë në Rusi në vitet ’90. Në orvatjen për të gjetur nocionin përkatës për të përshkruar Rusinë e sotme, Gessen arrin në këtë përfundim: Rusia sot është shtet totalitar, një kleptokrati dhe një shtet mafioz.

A do t’ia dalë Macron që me një fjalim të fusë situatën nën kontroll?
Donald Trump shkroi këto ditë se gjatë protestave në Paris janë dëgjuar thirrje: «E duam Trumpin». Përveç presidentit amerikan askush tjetër nuk e ka dëgjuar një thirrje të tillë, por Trump dhe e vërteta rrallëherë vallëzojnë bashkë. Ndërsa Trump ka folur siç flet, presidenti francez Emmanuel Macron ose ka heshtur, ose ka lavdëruar policinë dhe kritikuar dhunën e shkaktuar nga lëvizja e jelekëverdhëve. Sonte Macron do të flasë, shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Presidenti do t’i drejtohet kombit në orën 20:00. Presioni kundër Macron është rritur pas protestave të së shtunës, të katërtat në serinë e protestave. Sipas ministrit të Brendshëm Christophe Castaner në mbarë vendin të shtunën protestuan 136 mijë jelekëverdhë. Për herë të parë në kohë paqeje në rrugët e Parisit kanë qarkulluar automjete të blinduara. Këto automjete me peshë prej 13 tonelatash hoqën barrikadat që po digjeshin në Paris. Sa serioze është situata në kryeqytetin francez tregojnë këto fakte: Kulla e Eiffelit (Ajfelit), Louvre, Grand Palais dhe muze të tjera janë mbyllur nga frika e trazirave. Dy shtëpitë e operës, Comédie Française dhe teatro të tjera anuluan shfaqjet, 36 stacione të metrosh u mbyllën, po ashtu edhe shumë restorante dhe dyqane. «Ndërkohë shërbimet sekrete franceze po hetojnë indikacionet se llogari në Twitter të dirigjuara nga Kremlini kanë vënë në qarkullim mjaft fotografi nga skenat që i përngjanin luftës civile në Paris. Ekziston dyshimi se presidenti rus mund të jetë i interesuar në destabilizimin e mëtejmë të Francës», shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung».

Nekrologji për Ludmilla Aleksejeva, një figurë qendrore e lëvizjes ruse për të drejtat e njeriut
Ka vdekur në Moskë Ludmilla Aleksejeva, e cila me dekada të tëra ka qenë një aktiviste e famshme për të drejtat e njeriut. Edhe në vitet e fundit të jetës së saj ajo, shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung», merrte pjesë në seanca gjyqësore dhe në demonstrata. Në vitin 2009 ajo u arrestua në Moskë – atëbotë ishte 82-vjeçare. Gratë në moshën e saj shkojnë më së shumti në barnatore. Ajo kritikonte shkeljen e të drejtave të njeriut. E lindur më 1927 në Krime, Aleksejeva u angazhua për lirinë e shprehjes në Bashkimin Sovjetik. Më 1969 humbi kjo historiane vendin e punës. Më 1976 themeloi bashkë me të tjerë Grupin e Helsinkit në Moskë, por një vit më vonë qe e detyruar të emigrojë në Amerikë. Më 1993 u kthye në Rusi dhe në fillim të viteve 2000 u bë anëtare e këshillit për të drejtat e njeriut të presidentit, por e braktisi atë kur Putin ia shkurtoi kompetencat. Aleksejeva kishte parashikuar se në vitin 2017 Rusia do të jetë shtet demokratik, por këtë deklaratë e tërhoqi pasi Kremlini aneksoi Krimenë. Duhet pritur ende ardhjen e demokracisë, tha ajo – sepse shumë rusë ende janë të infektuar me «sindromin imperial». Të shtunën Ludmilla Aleksejeva vdiq në një spital në Moskë në moshën 91-vjeçare.

Qeveria e Marokut dëshiron të shesë hotelin më të famshëm të Marrakeshit
Ka qytete që janë të njohura për hotelet e tyre të famshme. Marrakeshi në Marok e ka një hotel vërtet të famshëm: «La Mamounia». Këtu do të flenë këto ditë politikanë të rëndësishëm si Angela Merkel dhe zyrtarë të lartë të OKB-së. Me rastin e nënshkrimit të Paktit të Migrimit në Marrakesh në «La Mamounia» nuk ka dhoma të lira. Një dhomë për një natë kushton 600 euro, një suitë mbi 5000 euro. Gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkruan se në kopshtin e «La Mamounia» tani po vilen portokajtë. Së fundi revista amerikane e arkitekturës «Architectural Digest» e ka renditur «La Mamounia» në mesin e shtatë hoteleve historikisht më të rëndësishme të botës. Tani «La Mamounia» është bërë i njohur edhe për një arsye tjetër: qeveria e Marokut dëshiron ta shesë këtë hotel për 300 milionë euro. Këto para pritet të derdhen në arkën e shtetit për ndihma sociale. Disa marokenë janë të shqetësuar me këtë synim të qeverisë. Ata e krahasojnë «La Mamounia» me Kullën e Eiffelit (Ajfelit) apo me Kështjellën e Versailles (Versajës). «La Mamounia» konsiderohet pjesë e trashëgimisë kombëtare të qytetit të Marrakeshit, i cili gjendet pranë kodrave të Atllasit. Në këtë hotel kanë banuar Edith Piaf, Nelson Mandela, Tom Cruise dhe sidomos Winston Churchilli. Kryeministri britanik ikte nga dimrat e ftohtë dhe me shi në Britaninë e Madhe dhe vinte në Marrakesh për të pikturuar. Gjatë Konferencës së Casablancas (Kazablankës) më 1943 ai e mori presidentin amerikan Franklin D. Roosevelt në një shëtitje në Marrakesh – «the most lovely spot in the world», kështu e quante qytetin Churchilli. Në këtë hotel Alfred Hitchcock-u ka xhiruar filmin «The Man Who Knew Too Much» (me Doris Day dhe James Stewart). Këtu u xhirua edhe filmi «Morocco» (Maroku) me të famshmen Marlene Dietrich. «La Mamounia» bart emrin e princit Moulay Mamoun, djalit të katërt të Sulltanit Sidi Mohamed Ben Abdellah, i cili sundoi në shekullin e ’18. Në kohën e tij ishte traditë që sundimtari t’ia dhurojë bijve të tij për dasmë një kopsht të madh me shtëpi jashtë kasabasë. Në vitin 1922 arkitektët Henri Prost dhe Antonio Marchisio fituan konkursin për të ndërtuar hotelin «La Mamounia». Arkitektët ndërlidhen arkitekturën tradicionale marokene me Art déco. Në fillim hoteli kishte 50 dhoma, sot i ka 137 dhe 71 suita. Më 1986 dhe më 2010 hoteli u rinovua tërësisht dhe kjo nuk u pëlqeu të gjithë mysafirëve të shpeshtë. Dizajneri francez i modës Yves Saint Laurent dhe partneri i tij Pierre Bergé ia kthyen shpinën hotelit kur panë se në hotel po hynin edhe mysafirë me sandale dhe pantallona të shkurtra.

Viktor Orban, kryeredaktori i 480 gazetave besnike ndaj qeverisë
Gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» shkruan se kryeministri hungarez Viktor Orban ka vendosur me dekret bashkimin e 480 gazetave, magazinave, kanaleve televizive dhe radiove si dhe mediave Online. Këto media janë besnike ndaj qeverisë. Ato do të veprojnë nën kulmin e një fondacioni dhe janë shpallur çështje me rëndësi strategjike nacionale. Konsolidimi i mediave proqeveritare i mundëson Orbanit të propagandojë edhe më shumë idenë e tij për «demokracinë iliberale»; shumica e mediave proqeveritare mbijetojnë falë reklamave që marrin nga autoritetet. Një ndër arsyet përse Orban i koncentron mediat nën kulmin e një fondacioni ka të bëjë me frikën e tij se mund të ketë konflikte me oligarkët.
E.R.