Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 8 dhjetor 2018: Annegret Kramp-Karrenbauer dhe e ardhmja e politikës konservatore gjermane. Franca I: Emmanuel Macron deshi të godasë murin me kokë, tani qëndron i mbështetur për muri. Franca II: Një drekë me Ségolène Royal në Paris: Është aq e thjeshtë: popullit francez i ka ardhur te hunda barra me tatime. Falë Trumpit një moderatore e programit televiziv të mëngjesit, pa gati asnjë përvojë në politikën e jashtme, emërohet ambasadore amerikane në OKB. Rita Ora shpjegon botën e saj përmes fotografive dhe tregon përse gjyshja e saj e qortonte Besim Sahatçiun, gjyshin e Rita Orës.

Rita Ora në «Süddeutsche Zeitung».



Annegret Kramp-Karrenbauer dhe e ardhmja e politikës konservatore gjermane
Gazetat gjermane i kushtojnë rëndësi të madhe zgjedhjes së Annegret Kramp-Karrenbauer në postin e kryetares së CDU-së, partisë më të madhe konservatore gjermane. Çfarë mund të pritet nga AKK, siç quhet në bazë të inicialeve kjo politikane? Gazeta «Süddeutsche Zeitung» shkruan se pesha e AKK si kryetare varet nga sjellja e kampit që pësoi humbje brenda CDU-së. Nëse ky kamp – këtu mendohet në mbështetësit e Friedrich Merz dhe Jens Spahn – e lufton fituesen e garës për kryetare, atëherë kristiandemokratët gjermanë nuk do të arrijnë atë që duan ta bëjnë: zgjerimin e bazës dhe kthimin e shumë zgjedhësve të humbur.

Gazeta «Flensburger Tageblatt» thekson se sa i përket stilit AKK mund t’i ngjajë shefes së deritanishme të CDU-së, Angela Merkel. Por, AKK ka një origjinë krejt tjetër – vjen nga pjesa më perëndimore e Gjermanisë dhe është katolike që beson në drejtësinë sociale. (Merkel është gjermanolindore, është rritur në diktaturën komuniste, dhe është bijë e një prifti protestant).

«Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) shkruan se Merkel mori dhuratë një shkop dirigjenti, por dirigjentja e re, AKK, ka nevojë më shumë për atë shkop. Sepse orkestra që ajo drejton ka shumë zëra. Me zgjedhjen e AKK delegatët e CDU-së pëlqyen vazhdimësinë në vend të eksperimentit. Megjithatë, shkruan FAZ, me Annegret Kramp-Karrenbauer partia nuk zgjodhi dikë që vetëm do të vazhdojë politikën e deritanishme. Kjo nënë e tre fëmijëve në fjalimi e saj të angazhuar tregoi se as në aspektin retorik nuk është një «Mini-Merkel». «Frankfurter Rundschau» nënvizon se suksesi i AKK do të matet nga rezultati elektoral që do të arrijë CDU në betejë kundër partisë nacionaliste Alternativa për Gjermaninë. Gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» (NZZ) kritikon shefen e deritanishme të CDU-së Angela Merkel, e cila në fjalimin e saj foli shumë për të kaluarën dhe meritat e saj në krijimin e një imazhi të ri të partisë të dërrmuar nga një skandal donacionesh, por nuk tha asgjë për të ardhmen e partisë. NZZ është shndërruar viteve të fundit në kritike të ashpër të Merkelit dhe kështu është shndërruar në gazetë të preferuar edhe nga mbështetësit e Alternativës për Gjermani. Arsyeja përse fitoi AKK dhe humbi Friedrich Merz, sipas NZZ, ka të bëjë me ambiciet e tyre: AKK dëshironte të jetë vetëm shefe e partisë dhe ta lë kancelaren Merkel të përfundojë mandatin më 2021, ndërsa Merz me fjalimin e tij konkurroi për postin e kancelarit. Pak njerëz besonin se Merz pas zgjedhjes së tij në krye të CDU-së do të bashkëpunojë pa probleme me Merkelin.

Emmanuel Macron deshi të godasë murin me kokë, tani qëndron i mbështetur për muri
«Neue Zürcher Zeitung» (NZZ) i kushton një tekst të gjatë protestave në Francë kundër presidentit Emmanuel Macron. Esenca e tekstit është kjo: Macron po e paguan tani çmimin për shkak se prej se është zgjedhur president (para një viti e gjysmë) në Francë pak gjëra kanë ndryshuar. Më shumë se tri javë Macron mbrojti rritjen e tatimit të derivateve të naftës, ai deshi të godasë murin me kokë dhe tani është mbështetur për muri. Në shumë qytete të Francës po zgjerohet lëvizja e «gilets jaunes» (jelekëve të verdhë). Protestuesit gjatë protestave bartin jelekë të verdhë. Macron deshi të jetë shembull me masa për mbrojtjen e ambientit. Por, sipas NZZ, prioritetet e tij nuk po i interesojnë shumicës së francezëve. Macron në fushatën elektorale kishte premtuar një «revolucion», por me këtë fjalë francezët nuk kuptojnë shpëtimin e planetit apo rolin udhëheqës të Francës në Europë – ata vetëm duan që të përmirësohen kushtet e tyre të jetesës. Gazeta supozon se Macron mund ta ketë nënçmuar lëvizjen protestuese të atyre që janë të varur nga udhëtimi me veturë për shkak se në Paris mbi 60 për qind e banorëve nuk kanë veturë. Banorët e kryeqytetit nuk mund të kuptojnë se si humbin nervat francezët e provincës për shkak se nafta do të shtrenjtohet për disa centë. Por, për një amvisëri me fëmijë dhe me një rrogë prej 1700 euro (kaq është rroga mesatare në Francë) 7 centë më shumë për një litër naftë mund të jenë goditje e rëndë. «Gilets jaunes» përfaqësojnë një shtresë të mesme të frikësuar se do të ketë më pak para në kuletë.

Një drekë me Ségolène Royal në Paris: Është aq e thjeshtë: popullit francez i ka ardhur te hunda barra me tatime
«Lunch with the FT», drekë më «Financial Times», kështu quhet një rubrikë e gazetës britanike. Intervistuesi zgjedh një restorant dhe fton një personalitet të rëndësishëm për të biseduar. Këtë të shtunë «FT» ka folur me politikanen socialiste Ségolène Royal, e cila ka qenë kandidate për presidente të Francës. Ajo thotë se njerëzve në Francë u ka ardhur shpirti te hunda nga tatimet. Dhe tani po protestojnë – me e pa jelekë të verdhë. Royal thekson se presidenti Emmanuel Macron së pari rriti tatimet për pensionistë dhe hoqi tatimet për personat shumë të pasur. Kjo çfarë po ndodhë tani, thotë politikania socialiste, është konfirmim i parashikimeve të saj. E veçanta e «Lunch with the FT» është se në faqen e gazetës publikohet edhe menyja e bashkëbiseduesve. Royal dhe gazetari i «Financial Times» u takuan në restorantin «La Terrasse Molitor» në 13 Rue Nungesser et Coli në Paris. Çfarë porositën për të pirë e ngrënë? Në vijim menyja (pa përkthim) dhe çmimet ashtu siç e ka botuar «Financial Times»: «L’Invincible» detox drink €5.50, «L’Antidote» detox drink €5.50. Sea bream carpaccio x 2 €34.00. Cod €24.00. Scallops €35.00. Side order of grilled cauliflower x 2 €6.00. Lime tarts x 2 €20.00. Espresso €4.00. Bottle of San Pellegrino complimentary. Total €134.00». Një drekë për 134 euro dhe një bisedë e mirë. (Sa për krahasim: rroga minimale në Kosovë për punëtorët nën moshën 35-vjeçare është 130 euro).

Falë Trumpit një moderatore e programit televiziv të mëngjesit, pa gati asnjë përvojë në politikën e jashtme, emërohet ambasadore amerikane në OKB
Donald Trump i pëlqen të shikojë «Fox News», kanalin superkonservator televiziv, i cili duartroket para se presidenti amerikan të thotë diçka. Kush e lavdëron publikisht presidentin, kush e mbron dhe e shpjegon politikën e tij ka më shumë gjasa të shpërblehet me poste e privilegje. Heather Nauert ka qenë moderatore e programit të mëngjesit të «Fox News». Në prill 2017 ajo u bë zëdhënëse e Rex Tillersonit, shefit të atëhershëm të diplomacisë amerikane. Tillerson, shkruan «Süddeutsche Zeitung», mendonte se Nauert është aleate e Shtëpisë së Bardhë brenda Departamentit të Shtetit. Nauert nuk gëzonte besimin e ministrit. Ndërkohë Trump e ka përzënë Tillersonin nga posti dhe të premten, në një postim në Twitter, e quajti «budalla» dhe «dembel». Me këto fjalë Trump rrëshqiti edhe pak më thellë në moçalin e tij politik. Njëkohësisht presidenti njoftoi se do ta emërojë Heather Nauertin ambasadore të SHBA-së në OKB. Para se ajo të marrë postin, duhet të japë pëlqimin senati. Nauert nuk ka ndonjë përvojë në politikën e jashtme. Para saj këtë funksion e kanë ushtruar George H. W. Bushi, i cili vdiq më 30 nëntor, dhe Madeleine Albright. Edhe ambasadorja e deritanishme Nikki Haley s’kishte përvojë diplomatike, por ajo së paku kishte bagazh politik si guvernatore e shtetit South Carolina.

Rita Ora shpjegon botën e saj përmes fotografive dhe zbulon disa sekrete
Këngëtarja Rita Ora sapo ka thyer një rekord: ajo është artistja britanike me më së shumti hite në mesin e top-ten (13 sish). «Süddeutsche Zeitung» e ka ftuar Rita Orën të komentojë jetën e saj private e publike përmes fotografive. Në një fotografi shihen Rita Ora, motra e saj, nëna e tyre dhe London Bridge, ura e famshme e Londrës. Rita Ora thotë se i kujtohet mirë koha kur ka ardhur në Londër nga Kosova: shëtitje të pafundme nëpër metropolin britanik me të ëmën dhe motrën – dhe gjithkund «këto ndërtesa të pabesueshme, kisha, ura». «Nëna ime është psikiatre, ajo ka studiuar në Rusi dhe ende është e lumtur me babanë tim. Motra ime është njëra nga menaxheret e mia». Në një fotografi tjetër Rita Ora shihet në Prishtinë, me rastin e kthimit në qytetin e lindjes për të xhiruar një spot. Këtë vizitë ajo e përshkruan si momentin më të jashtëzakonshëm të karrierës së saj. Thotë se kur kishte ardhur të xhirojë spotin për këngën «Shine Ya Light» kishte pritur se do të vijnë disa kosovarë për ta parë e përkrahur, por për befasinë e saj erdhi gati gjithë Kosova. «Kurrë nuk kam qarë më shumë nga emocionet». Në një fotografi tjetër shihet Rita Ora me ambasadorin e Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci. Ata qëndrojnë para hyrjes së ambasadës, pasi Rita Ora merr titullin «ambasadore e nderit» e Kosovës. Një «big deal» e quan këngëtarja këtë titull. «Unë dhe ai herë pas here jemi në kontakt. Dorën në zemër kjo detyrë (ambasadore e nderit, v.j.) nuk kërkon shumë punë. Unë thjeshtë duhet të ngjallë pak vëmendjen. Dhe të theksojë sa vend i bukur është Kosova. Për shembull në një intervistë si kjo. Problemi është: deri më tani Kosova nuk ka imazh të duhur. Por, njerëzit atje janë shumë zemërmirë. Meqë jemi kaq pak, ndihemi si familje e madhe. Kur e takon një kosovar në botën e jashtme, ti menjëherë familjarizohesh me të». Në fotografinë e radhës shihet një njeri pas kamerës. «ky është gjyshi im. Ai quhet Besim Sahatçiu dhe ka qenë regjisor i njohur kosovar. Së fundi një rrugë ka marrë emrin e tij në Prishtinë. Ai përherë e mbante në gojë një cigare që digjej, andaj gjyshja ime e qortonte ashpër. Vërtet e mbyti duhani. Kemi pasur një raport shumë të veçantë: ai ka qenë i vetmi artist tjetër në familjen tonë. Askush nuk më ka kuptuar më mirë».

E.R.