Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 7 dhjetor 2018: Kush do ta trashëgojë Angela Merkelin në kreun e partisë CDU? Sudani Jugor planifikon të ndërtojë një kryeqytet të ri. 40 vjet demokraci në Spanjë. Noam Chomsky kremton 90-vjetorin e lindjes. Drama e Brexitit vazhdon.




Kush do ta trashëgojë Angela Merkelin në kreun e partisë CDU?
Me përjashtim të Helmut Kohlit askush nuk e ka drejtuar Unionin Kristiandemokrat (CDU) aq gjatë sa Angela Merkel. Sot kjo parti fillon kthesën e madhe: 1001 delegatë do të zgjedhin në Hamburg kryetarin apo kryetaren e re të partisë. Annegret Kramp-Karrenbauer, Friedrich Merz apo Jens Spahn – kush do të jetë shefi i konservatorëve gjermanë në të ardhmen? Merz ka qenë kryetar i Grupit Parlamentar të CDU-së, por pas ardhjes së Merkelit në pushtet ai humbi ndikimin dhe i frustruar u largua nga politika në vitin 2009. Që nga atëherë ky avokat ka fituar mirë para në ekonominë private. Nën drejtimin e tij CDU do të përfaqësojë vlera më konservatore. Merz është mbështetës i madh i bashkëpunimit transatlantik. Kramp-Karrenbauer ka qenë kryeministre e Saarlandit, krahinës territorialisht më të vogël gjermane. Sivjet ajo me kërkesë të kancelares Merkel la Saarlandin dhe shkoi në Berlin, ku u zgjodh sekretare e përgjithshme e partisë. Annegret Kramp-Karrenbauer (ose AKK, siç quhet shkurt) është e afërt me kancelaren Merkel. Në kongres kjo afërsi mund të jetë edhe bekim, edhe mallkim. Kandidati i tretë – Jens Spahn – i përket gjeneratës së re të politikanëve të CDU-së – është tejet konservator dhe kritik ndaj emigracionit. Spahn ka më së paku shanse. Sidoqoftë, pas 18 vitesh sot merr fund epoka e Merkelit si kryetare e partisë. Merkel është 64-vjeçare. Postin e kryetares ajo e dorëzon në Hamburg, në qytetin e saj të lindjes.

Sudani Jugor planifikon të ndërtojë një kryeqytet të ri
Në shtator palët ndërluftuese në Sudanin Jugor nënshkruan një marrëveshje për paqe. Tani, siç shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung», ky shtet dëshiron të ndërtojë një kryeqytet të ri. Nga mesi i nëntorit një delegacion i inxhinierëve marokenë dhe koreanë vizitoi rajoni e prekur nga lufta civile shumëvjeçare dhe inspektoi vendin e paraparë për kryeqytet. Mbreti i Marokut Mohamed VI ka shprehur gatishmëri të ndajë pesë milionë dollarë për të financuar një studio, me ndihmën e së cilës ekspertët koreanë do të skicojnë një plan për kryeqytetin. Ende kryeqytet i Sudanit Jugor është Juba, e themeluar nga grekët më 1922 si bazë tregtare në lumin Nil.

40 vjet demokraci në Spanjë
Për herë të parë të enjten tërë familja mbretërore spanjolle zuri vend nën kupolën e parlamentit në Madrid. Juan Carlos dhe Sofía, Felipe VI. përkujtuan kështu kalimin e Spanjës nga diktatura në demokraci, shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Më 6 dhjetor 1978 spanjollët, të përkrahur nga Mbreti i atëhershëm Carlos, miratuan Kushtetutën e re në një referendum. Që nga atëherë kjo ditë është festë nacionale. Kushtetuta është «një pakt i madh i bashkëjetesës dhe unitetit», tha Mbreti Felipe. Nga uniteti Spanja është larg. Konflikti i pazgjidhur me Kataloninë është sprova më e rëndësishme e demokracisë spanjolle.

Noam Chomsky kremton 90-vjetorin e lindjes
«Frankfurter Allgemeine Zeitung» boton në faqen e parë të rubrikës së kulturës një tekst mbi 90-vjetorin e lindjes së Naom Chomskyt, linguistit e polemistit amerikan, i cili propagandon socializmin. Në SHBA nuk ka parti të vërtetë socialiste dhe Chomsky këtë e shpjegon kështu: sipas tij në Amerikë nuk ka intelektualë radikalë, edhe majtistët janë ithtarë të pragmatizmit. Chomsky mendon se demokratët në SHBA nuk interesohen për klasën punëtore, kështu që marksizmi në SHBA ka qenë i pranishëm kryesisht nëpër universitete, pa arritur të organizohet. Chomsky është bir i emigrantëve hebraikë nga Lituania dhe Ukraina. Ai është bërë i famshëm si linguist, por edhe si kritik i kapitalizmit, i elitave, i Izraelit, i mendimit të manipuluar, i kompleksit ushtarako-industrailist. (Nganjëherë Chomksy nuk godet në shenjë, për shembull më 1999, kur kundërshtoi çlirimin e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës).

Drama e Brexitit vazhdon
Gazeta «Financial Times» shkruan se drejtues të konservatorëve në Britaninë e Madhe i kanë bërë thirrje kryeministres Theresa May të shtyjë një votim kritik mbi marrëveshjen e saj për Brexitin, për të gjetur kohë për një marrëveshje me të mirë me Brukselin. Në Britani kërcënon një rebelim i skeptikëve të BE-së.
E.R.