Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 6 dhjetor 2018: Dy gra zgjidhen ministre në Zvicër. Presidenti i Meksikës heq dorë nga pallati dhe aeroplani. Dhe ia shkurton vetes rrogën. Një turk pritet të jetë zëvendëspresident i Shërbimit Sekret të Gjermanisë – dhe ballafaqohet me paragjykime e sulme të pështira.

Viola Amherd (demokristiane) dhe Karin Keller-Sutter (liberale) duke dhënë betimin si mimnistre te Zvicrës.



Dy gra zgjidhen ministre në Zvicër
Për herë të parë në histori Parlamenti i Zvicrës ka zgjedhur brenda një dite dy gra në Bundesrat, siç quhet qeveria e Zvicrës. Sipas gazetës «Tages Anzeiger» zgjedhja është e pashembullt. Viola Amherd (Demokristiane) dhe Karin Keller-Sutter (liberale) u zgjodhën në raundin e parë – dhe me 148 respektivisht 154 vota arritën rezultatin më të mirë në raundin e parë në 40 vitet e fundit. Zgjedhja e dy grave në qeverinë zviceranë vlerësohet si sukses i barazisë gjinore. Deputetja socialdemokrate Susanne Leutenegger Oberholzer tha se qartësia me të cilën u zgjodhën Amherd dhe Keller-Sutter shënon një «moment historik» dhe tregon se pjesëmarrja e grave në pushtet në Zvicër është «e pakthyeshme». Qeveria e Zvicrës i ka vetëm shtatë ministra. (Zëvendësministra nuk ka). Pas zgjedhjes anëtarët e kabinetet ndajnë ministritë. Ata që janë zgjedhur më herët në poste, kanë të drejtë të ndërrojnë resorin – nëse duan. Zakonisht ministrat dhe ministret e reja marrin ato ministri që mbesin.

Presidenti i Meksikës heq dorë nga pallati dhe aeroplani
Andrés Manuel López Obrador menjëherë pasi ka marrë postin e kryetarit të Meksikës ka marrë vendim që të gjitha udhëtimet e tij t’i bëjë me linja të rregullta të fluturimit, shkruan «Neue Zürcher Zeitung». Avioni i presidentit, ka thënë ai, do të shitet. Me paratë e shitjes presidenti dëshiron të luftojë varfërinë. Avioni, një Boeing Dreamliner 787-8, bart emrin e heroit meksikan të pavarësisë José María Morelos y Pavón dhe është blerë në vitin 2012 për 218,7 milionë dollarë. Përveç avionit presidencial López Obrador dëshiron të shesë edhe 60 aeroplanë dhe 70 helikopterë të qeverisë meksikane. López Obrador ia ka shkurtuar edhe vetes rrogën për 40 për qind – tani merr 108’000 pesos (rreth 5 mijë euro).

Një turk pritet të jetë zëvendëspresident i Shërbimit Sekret të Gjermanisë – dhe ballafaqohet me paragjykime e sulme të pështira
Sinan Selen u lind në vitin 1972 në Turqi. Së fundi ka punuar si përgjegjës për siguri i gjigantit turistik gjerman TUI. Tani ai pritet të emërohet zëvendëspresident i Shërbimit Sekret të Gjermanisë (Bundesamt für Verfassungsschutz). Ky shërbim nuk duhet të ngatërrohet me shërbimin e jashtëm sekret BND (Bundesnachrichtendienst). Selen është rritur në Köln, si gjimnazist ka shkruar për një gazetë të nxënësve, pastaj ka studiuar drejtësi dhe në Zyrën Federale të Policisë Kriminalistike ka qenë përgjegjës për mbrojtjen e kancelarit Gerhard Schröder dhe ministrit të Brendshëm Otty Schily. Gazeta «Süddeutsche Zeitung» e përshkruan Sinan Selenin si zyrtar shembullor të shtetit. Por, jo të gjithë gjermanët mendojnë kështu. Në rrjetet sociale politikanë të partisë nacionaliste AfD (Alternativa për Gjermaninë) e atakojnë Selenin për shkak të përkatësisë së tij etnike si turk; njëkohësisht ata e alarmojnë opinionin se një «mysliman» i dërguar nga Rexhep Taip Erdoani po merr drejtimin e Shërbimit Sekret Gjerman. Së pari: Selen ka hequr dorë ngaherë nga shtetësia turke, së dyti: prindërit e tij liberalë nuk kanë ndikuar që ai të përcaktohet se cilën fe do ta përqafojë. Selen, shkruan «Süddeutsche Zeitung», nuk është mysliman. Për Krishtlindje ai do të vizitojë një meshë. Me sa duket racistëve në Gjermani nuk do t’u mjaftojë as kjo.
E.R.