Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 5 dhjetor 2018: Patriarku i politikës gjermane mbështet Friedrich Merzin për pasardhës të Merkelit. Magjia e leximit. Elitat e kanë helmuar shoqërinë, thotë ish-ministri gjerman i financave Peer Steinbrück. Si të luftoni stresin? Këshilla nga personalitete prominente – nga kirurgu i zemrës Omer Xhemali deri te trajneri Vladimir Petkoviq. Kina, krahas Rusisë, po ndikon në dëmtimin e vlerave demokratike në botë.

Kandidatët për kryetar të CDU-së: Friedrich Merz, një kritik i ngahershëm i Angela Merkelit, Annegret Kramp-Karrenbauer, sekretare e përgjithshme e partisë, dhe Jens Spahn, ministër i Shëndetësisë.



Patriarku i politikës gjermane mbështet Friedrich Merzin për pasardhës të Merkelit
Të premten kongresi i CDU-së, partisë së kancelares gjermane Angela Merkel, do të zgjedhë kryetarin apo kryetaren e re. Merkel ka deklaruar se nuk do të kandidojnë më, por e ka ndërmend të qëndrojë në post vetëm si kancelare. Kandidatë për kryetar të CDU-së janë: Friedrich Merz, një kritik i ngahershëm i Merkelit, Annegret Kramp-Karrenbauer, sekretare e përgjithshme e partisë, dhe Jens Spahn, ministër i Shëndetësisë. «Financial Times» raporton se pak para kongresit të CDU-së ka folur Wolfgang Schäuble, kryetar i parlamentit gjerman, njëri nga politikanët më me ndikim në Gjermani, i cili quhet edhe patriark i CDU-së. Schäuble mbështet Friedrich Merzin me argumentin se ai është proeuropian, përkrahës i aleancës transatlantike dhe politikan që dëshiron të ruajë ekonominë e tregut me komponentë socialë.

Magjia e leximit
Në gazetën zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» boton një faqe me recensione të shkurtra mbi librat e rinj për fëmijë. 12 redaktorë e redaktore dhe gazetarë prezantojnë nga një vepër. Në prag të Krishtlindjeve dëshira e njerëzve për të lexuar supozohet të jetë më e madhe. Kjo vlen edhe për fëmijët.

Elitat e kanë helmuar shoqërinë, thotë ish-ministri gjerman i financave Peer Steinbrück
Gazeta zvicerane «Tages Anzeiger» sjell një intervistë të gjatë me ish-ministrin gjerman të financave Peer Steinbrück, i cili është anëtar i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Steinbrück është politikan i fjalëve të qarta. Kur ishte ministër ai e kërcënoi Zvicrën me pushtim nga kalorësia e kaubojve – nëse Zvicra nuk i jep fund praktikës së sekretit bankar, i cili ua mundëson shumë gjermanëve që paratë e tyre t’i fshehin në Zvicër dhe kështu t’i ikin tatimit. Steinbrück thotë se nuk është penduar për këtë kërcënim, por thekson se ai vetëm është kërcënuar me kalorësi, ndërsa kanë qenë amerikanët ata që vërtet e detyruan Zvicrën të zhbëjë sekretin bankar. Steinbrück akuzon elitat politike, mediale, shkencore dhe sportive se me papërgjegjësinë e tyre i kanë helmuar shoqëritë perëndimore dhe kështu kanë mundësuar rritjen e ndikimit të popullistëve. Si shembull të korrupsionit ai përmend FIFA-n. Steinbrück parafrazon Marxin, sipas të cilit çdo teprim krijon një antitezë.

Si të luftoni stresin? Këshilla nga personalitete prominente – nga kirurgu i zemrës Omer Xhemali deri te trajneri Vladimir Petkoviq
Gazeta «Tages Anzeiger» i ka pyetur 9 figura prominente të Zvicrës se çfarë bëjnë kundër stresit. Ushqimi, sporti e gjumi janë vendimtarë për cilësinë e jetës. Trajneri i kombëtares së Zvicrës, kroati me shtetësi zvicerane Vladimir Petkoviq, thotë se ushqehet si futbollistët, sepse çfarë është mirë për sportistët s’mund të jetë keq për njerëzit e rëndomtë. Petkoviq thotë se një miks i shëndoshë i mishit dhe peshkut si dhe shumë perime janë zgjidhja e preferuar për t’u ushqyer. Ai tregon se luan tenis, vrapon rregullisht dhe skijon. Mjeku shqiptar Omer Xhemali, shef i klinikës së zemrës në Spitalin e Qytetit të Zürichut, thotë se cak i tij i përditshëm është: të ha sa më shumë pemë e perime, të pi sa më shumë ujë, të kufizojë ngrënien e mishit dhe katër herë në javë të vrapojë – me këmbë ose me biçikletë. Me rëndësi, sipas dr. Xhemalit, është që së paku gjysmë ore para se të flini t’i lini anash telefonat dhe aparatet e tjera.

Kina, krahas Rusisë, po ndikon në dëmtimin e vlerave demokratike në botë
«Süddeutsche Zeitung» shkruan se krahas Rusisë asnjë vend tjetër nuk bën më shumë se Kina për të dëmtuar politikën dhe shoqërinë amerikane. Po ashtu asnjë vend nuk ka mjete më të fuqishme për ta bërë këtë se Kina. Në këtë përfundim ka arritur një studim i Hoover Institution nga Universiteti i Stanfordit në Kaliforni dhe Qendra e Marrëdhënieve SHBA-Kinë e Shoqatës së Azisë (Asia Society). Sipas këtij studimi Kina përpiqet në mënyrë sistematike të imponojë agjendën e saj politike, të shtypë mendime alternative dhe të fitojë përkrahjen e akterëve politikë në SHBA. Në shënjestër janë organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe universitetet, institutet hulumtuese, studentët kinezë në SHBA, mediat dhe komuniteti kinez që jeton në SHBA.
E.R.