Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 4 dhjetor 2018: Shpresë për të paralizuarit – falë një terapie nga Zürichu. Plaçkitja e bankave – bën vaki edhe në Zvicër, jo vetëm në Prishtinë. Michelle Obama brenda dy javësh shet dy milionë libra. Universiteti i Sorosit largohet përfundimisht nga Budapesti. Klima – çështje e jetës apo vdekjes. Qeni besnik Sully ndahet nga ish-presidenti Bush. Ivan Turgenjevi – përjetësisht i dashuruar në Pauline Viardot.

Ivan Turgenjev dhe Pauline Viardot: një dashuri e pazakonshme.



Shpresë për të paralizuarit – falë një terapie nga Zürichu
Gazeta zvicerane «Tages Anzeiger» shkruan në numrin e sotëm se shkencëtari Martin Schwab dhe ekipi i tij nga Universiteti i Zürichut dhe Universiteti Teknik i Zürichut (ETH) kanë testuar një kundërtrup, i cili në rast të lëndimeve të kurrizit ndikon në regjenerimin e qelizave nervore. Tani pritet të fillojë testimi i kundërtrupit me 160 persona të paralizuar. Testet do të zhvillohen në disa qendra në Europë. Rezultatet e para priten as dy vitesh. Nëse rezultojnë pozitive, atëherë terapia mund të miratohet nga Swissmedic, agjencia që mbikëqyrë sistemin shëndetësor të Zvicrës. Testet e deritanishme paraprake kanë dhënë rezultate premtuese.

Plaçkitja e bankave – bën vaki edhe në Zvicër, jo vetëm në Prishtinë
Ditëve të fundit është njoftuar për disa raste të plaçkitjeve të bankave në Prishtinë dhe rrethinë. Njerëz të maskuar dhe armatosur futen në sportele të filialeve të bankave, kërcënojnë personelin, marrin paratë dhe ia mbathin. Populli, përmes mediave, mund të shikojë regjistrimet e kamerave. Fenomeni i plaçkitjes së bankave është i përhapur edhe në Zvicër, aty ku ka pak më shumë banka se në Prishtinë. Por, ndërsa në Kosovë plaçkitësit ende kanë mbetur te metodat «klasike», në Zvicër po përdoret me metodë e re: plaçkitësit po i hedhin në ajër bankomatët dhe pastaj i mbledhin paratë. Të premten e kaluar u hodh në ajër një bankomat në Arzo të kantonit të Tiçinos. Para një jave një bankomat u hodh në ajër në Coldrerio, jo larg Arzos. Në gjashtë muajt e fundit, sipas «Tages Anzeiger», në Europë numri i sulmeve ndaj bankomatëve është rritur për 21 për qind – nga 1700 në 2050 raste.

Michelle Obama brenda dy javësh shet dy milionë libra
Para dy javësh ish-Zonja e Parë e Amerikës, Michele Obama, botoi biografinë e saj me titull «Becoming». Ndërsa ajo po bën një xhiro nëpër Amerikë për të promovuar librin, njerëzit po tregojnë interesim të madh. Me një fjalë: libri po shitet si hallva. Brenda dy javësh janë shitur dy milionë ekzemplarë të biografisë së gruas së Barack Obamës. Që tani është libri më i shitur i vitit në SHBA. Libri është tashmë bestseller edhe në Gjermani, Francë dhe në Afrikën e Jugut.

Universiteti i Sorosit largohet përfundimisht nga Budapesti
Gazeta «Neue Zürcher Zeitung» raporton mbi largimin definitiv të Central European University nga Budapesti në Vjenë. Kjo shkollë e lartë prestigjioze përkrahej financiarisht nga filantropi George Soros. Por, presioni i madh i qeverisë hungareze të Viktor Orbanit i detyroi drejtuesit të mbyllin kampusin në Budapest dhe të gjejnë hapësirë të re veprimi në Vjenë. Rektori Michael Ignatieff, një intelektual kanadez, i cili ka shkruar për të drejtat e njeriut edhe në Kosovë, nuk ia përmendi emrin Viktor Orbanit të hënën, por tha: «Nuk do të mendoj më gjatë se çfarë i sillet në mendje këtij njeri që drejton këtë shtet». Ignatieff tha se zhvendosja e Central European University është një ditë e zezë për lirinë në Hungari. Kjo është Hungaria e Viktor Orbanit: përzë shkolla të mira perëndimore dhe pranon ballkanas të korruptuar si Nikolla Gruevski.

Klima – çështje e jetës apo vdekjes
Në prag të hapjes së Samitit të ’24 të Klimës sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje shteteve të veprojnë me nguti për të shmangur një «kaos klimatik», shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Ndryshimet klimatike, sipas tij, janë çështjes e jetës apo vdekjes. Banka Botërore ndërkohë paralajmëroi se mes viteve 2021 dhe 2025 do të ndajë 200 miliardë dollarë për luftimin e ndryshimeve klimatike. Meqë në Prishtinë këto ditë po flitet shumë për ajrin e ndotur: athua çfarë bëjnë autoritetet e Kosovës për të mbrojtur ambientin? E kam fjalën për masa konkrete, jo për deklarata boshe. A ka mundësi të ndalohet ngrohja me qymyr? A ka mundësi që policia të veprojë kundër atyre që ngrohen me qymyr? A ka mundësi që një fundjavë të ndalohet qarkullimi me vetura në Prishtinë? Shoqëritë kreative bëjnë teste për të parë nëse kufizimi i qarkullimi me veturë përmirëson cilësinë e ajrit? Sipas «Frankfurter Allgemeine Zeitung» qeveria gjermane sapo ka ndarë 500 milionë euro më shumë për «Programin urgjent: ajri i pastër». Kështu për ajrin e pastër Gjermania ndan 1,5 miliardë euro. 423 milionë janë ndarë për të ndërhyrë teknikisht dhe reduktuar gazrat e kamionëve të vegjël, të cilët qarkullojnë me naftë.

Qeni besnik Sully ndahet nga ish-presidenti Bush
«Frankfurter Allgemeine Zeitung» boton një fotografi në të cilën shihet qeni Sully përballë arkivolit me trupin e ish-presidentit George H. W. Bush, i cili vdiq në fundjavë. Sully, një labrador, e kishte shoqëruar Bushin nga qershori. Bush vuante nga sëmundja e parkinsonit. Pas vdekjes së Barbara Bush, Sully kishte për detyrë të shoqërojë ish-presidentin, ai ishte i trajnuar të hapë dyert, të shtypë butonin në rast urgjence dhe t’i sjell gjësende ish-presidentit. Një zëdhënës i familjes Bush botoi fotografinë me shënimin: «Mission complete».

Ivan Turgenjevi – përjetësisht i dashuruar në Pauline Viardot
«Frankfurter Allgemeine Zeitung» boton një recension mbi librin «Ivan Turgenjev dhe Pauline Viardot. Një dashuri e pazakonshme». Pauline Viardot-Garcia (1821-1910) ishte këngëtare, kompozitore, pedagoge e muzikës, dashamirëse e artit. Ishte, mbi të gjitha, një yll artistik në qiellin e perëndive me shije kulturore. Rridhte nga një familje muzikantësh spanjoll. Në rolet e Dezdemonës, Fidès dhe Normës ajo tërhoqi vëmendjen e publikut kudo në Europë. Ivan Turgenjevi, atëbotë shkrimtar ambicioz i një familjeje të kamur ruse, ishte i entuziazmuar me magjinë e Pauline Viardot-Garcia. Më 1843 e dëgjoi për herë të parë në Shën Petërsburg dhe krejt jetën e tij ai kushtoi kësaj dashurie ideale, duke i vrapuar pas Pauline Viardot kudo në Europë, deri në fund të jetës.
E.R.