Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 3 dhjetor 2018: Gjermania i përkulet George H. W. Bushit. Policia e Izraelit propozon aktakuzë kundër kryeministrit Netanjahu. Ezra Pound, poet dhe adhurues i Mussolinit. Tru në vend të naftës në Katar. Europa pa iluzione.

Ezra Pound, poet dhe adhurues i Mussolinit.



Gjermania i përkulet George H. W. Bushit
Presidenti amerikan i viteve 1989-1993 George H. W. Bush vdiq të shtunën në mëngjes (sipas orës së Europës së Mesme), andaj gazetat e përditshme gjermane tek në numrat e tyre të së hënës patën mundësi të sjellin nekrologjitë e tyre të gjata mbi jetën e politikanit George H. W. Bush. Gazeta «Süddeutsche Zeitung» boton në ballinë një fotografi të Bushit dhe Helmut Kohlit, kancelarit të bashkimit gjerman, dhe një portret të Bushit në faqen e tretë. Helmut Kohli, i cili më së shumti i vlerësonte lojalitetet personale, ishte i ngjashëm me Bushin, shkruan gazeta nga Müncheni. «Për Gjermaninë Bushi ishte rast fatlum. Presidenti pa ngurrim e kuptoi se me rënien e Murit të Berlinit bashkimi (i Gjermanive) s’mund të ndalej. Dhe ai e dinte në mënyrë instinktive se kjo Gjermani duhet të lidhet me Amerikën: përmes NATO-s, aleancës perëndimore. Nëse Bush nuk do të kishte ngulur këmbë në parimet e thjeshta të besnikërisë në aleancë dhe lidhjes me perëndimin, atëherë çështja e bashkimit nuk do të kishte ecur aq lehtë».

Policia e Izraelit propozon aktakuzë kundër kryeministrit Netanjahu
Në ditën e fundit të punës shefi i policisë së Izraelit Roni Alsheich publikoi propozimet e hetuesve të tij për të ngritur aktakuzë kundër kryeministrit Benjamin Netanjahu. Bëhet fjalë për rastin e tretë të korrupsionit të Netanjahut – dhe ky rast është më i rrezikshmi, sepse, siç shkruan «Süddeutsche Zeitung», ka dëshmi nga bisedat e përgjuara dhe ish-këshilltari për media i Netanjahut, Nir Hefetz, është shprehur i gatshëm të dëshmojë. Netanjahu dhe gruaja e tij Sara akuzohen për marrje ryshfeti dhe mashtrim në një aferë që lidhet me koncernin e telekomit Bezeq.

Ezra Pound, poet dhe adhurues i Mussolinit
Ku i shkroi poezitë e tij Esad Mekuli? Ose Azem Shkreli? Apo Beqir Musliu? Kjo është një temë interesante. «Süddeutsche Zeitung» sjell një shkrim të gjatë mbi Ezra Poundin, poetin amerikan, i cili e adhuronte diktatorin italian Benito Mussolini, dhe vendin ku i shkroi 120 poezitë e tij («cantos»). Dhe ku i shkroi? Mbi një shkëmb nën fshatin Tirol.

Tru në vend të naftës në Katar
Gazeta konservatore gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» sjell një tekst mbi Bibliotekën e re Nacionale të Katarit të ndërtuar nga Rem Koolhaas. Si shumë vende të Gjirit Persik edhe Katari një ditë mund të mbesë pa naftë e gaz, burimi kryesor i pasurisë së këtij vendi. Andaj si shumë monarki të pasura po investon në objekte të kulturës. Rem Koolhaas është arkitekt holandez, njëri nga më të njohurit në botë. Do të ishte mirë të ndërtonte diçka në Prishtinë Rem Koolhaas. Por, do të ishte mirë, në radhë të parë, të ketë kjo shoqëri edhe politikanë që kanë sens për të bukurën, për arkitekturën e mirë e funksionale. Do të ishte mirë…

Europa pa iluzione
Në rastin e Kosovës shihet se Europa, më saktë Bashkimi Europian, është një fuqi pa dhëmbë. Saga e heqjes së vizave, që s’po hiqen qe sa vite, tregon mungesën e një strategjie për Ballkanin. Rrjedhimisht, gjermani Wolfgang Münchau, i cili shkruan për «Financial Times» ka të drejtë kur thotë se Europa nuk do të jetë kurrë superfuqi gjeopolitike. Politika «America first» e Donald Trumpit e ka goditur rëndë BE-në, por reagimi i BE-së ka qenë i dobët. Megjithatë, BE për shqiptarët është alternativa e vetme serioze. Dhe në perspektivën e afërt nga postet e tyre do të largohen politikanë aq qesharakë si Federica Mogherini dhe Johannes Hahn. Nuk do të befasohej asnjë vëzhgues i Ballkanit nëse të dy si të papunë angazhohen nga presidenti serb si këshilltarë.
E.R.