Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 30 nëntor 2018: Pse u largua nga posti drejtori i zyrës për luftimin e spastrimit të parave në Zvicër, shqiptari S.O.? Një franceze zgjidhet kryetare e Gjeorgjisë. Aeroporti i ri i Stambollit – një «xhami» e mobilitetit. Shpresë në shkretëtirën e Kajros.

Aeroporti i ri i Stambollit.



Pse u largua nga posti drejtori i zyrës për luftimin e spastrimit të parave në Zvicër, shqiptari S.O.?
Gazeta «Tages Anzeiger» shkruan se nën presionin e hetimeve interne që kanë filluar kundër tij, drejtori i zyrës për luftimin e spastrimit të parave në Zvicër S.O. është larguar vetë nga posti. Më parë disa punëtorë të zyrës ishin ankuar te shefja e policisë federale mbi sjelljet arrogante të S.O. Menjëherë u dha urdhër për një analizë të sjelljeve të drejtorit dhe u vendos që ai përkohësisht të lirohet nga detyrat, por jo nga posti. Para se të mbarojnë hetimet interne S.O. paraqiti dorëheqjen. Shumica e punëtorëve ishin ankuar për klimën e keqe të punës nën drejtorin S.O. dhe për dobësitë e tij në udhëheqjen e institucionit. Gazeta raporton se S.O. ishte fajësuar se të gjitha rastet i merrte ai vetë për t’i analizuar, nuk i besonte gati askujt dhe nuk i trajtonte drejtë punëtorët. Edhe vetë kritikët, ndërkaq, thonë se S.O. ka kryer punë të mira në zyrën për luftimin e spastrimit të parave në Zvicër. Ai ka doktoruar në Universitetin e Gjenevës mbi historinë e kushtetutave shqiptare, pastaj ka punuar si referent për çështjet e spastrimit të parave në një bankë në Gjenevë, më 2009 kaloi konkursin për shërbim diplomatik dhe punoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës. Pas dy vitesh ai u punësua në zyrën për luftimin e spastrimit të parave në Zvicër. S.O. bëri të ditur përmes avokatit të tij se me policinë federale ka nënshkruar një deklaratë, e cila përmban një klauzolë për të heshtur për arsyet e largimit. Zyra për luftimin e spastrimit të parave në Zvicër është një institucion shumë i rëndësishëm. Vetëm vitin e kaluar janë lajmëruar 4684 raste të dyshimta.

Një franceze zgjidhet kryetare e Gjeorgjisë
Gazeta «Neue Zürcher Zeitung» boton një artikull mbi zgjedhjen e Salome Surabishvili në postin e presidentes së Gjeorgjisë. Familja e Surabishvili emigroi në Francë para rreth një shekulli. Salome Surabishvili ka qenë diplomate franceze dhe ka shërbyer në disa vende, edhe në Tbilisi, kryeqytetin e Gjeorgjisë, kur më 2003 u emërua ambasadore. Më vonë presidenti i atëhershëm Mihail Sakashvili e pyeti presidentin francez Jacques Chirac nëse mund t’ia «huazonte» Gjeorgjisë diplomaten Surabishvili. Chirac pranoi. Surabishvili u bë ministre e Jashtme, notoi nëpër ujërat shpeshherë të vrullshme të politikës gjeorgjiane dhe tani është gruaja e parë presidente e këtij vendi – i njohur si atdhe i Stalinit dhe prodhues i verërave.

Aeroporti i ri i Stambollit – një «xhami» e mobilitetit
Në rubrikën e kulturës «Frankfurter Allgemeine Zeitung» sjell një tekst mbi aeroportin e ri të Stambollit të ndërtuar nga arkitekti britanik Nicholas Grimshaw. Pasi ka realizuar disa projekte në Gjermani (IHK, Bursa e Berlinit, Messehalle 3 në Frankfurt), terminalin e tretë të Heathrow në Londër, aeroportin e Zürichut dhe Shën Petersburgut, Grimshaw ka ndërtuar aeroportin e ri të Stambollit, i cili kur të përfundojë krejtësisht do të jetë limani më i madh ajror në botë, përmes së cilit çdo vit do të kalojnë 150 milionë pasagjerë. Gjermanët mund të jenë xhelozë. Aeroporti i ri i Berlinit është dashur të hapet në nëntor të vitit 2011. Nuk është hapur ende. Dhe krejt Gjermania çmendet së qeshuri me këtë katastrofë planifikuese të autoriteteve gjermane.

Shpresë në shkretëtirën e Kajros
Edhe gazeta «Süddeutsche Zeitung» i kushton vëmendje arkitekturës dhe raporton për një projekt të biznesmenit gjerman Wolfgang Plattner në Kajro. Në shkretëtirë, 30 kilometra në perëndim të Kajros, planifikuesi i patundshmërive Palm Hills Development – bazuar në një plan spektakular të studios së arkitekturës nga Frankfurti, Albert Speer und Partner (AS + P) nga Frankfurti – synon të ndërtojë të ndërtojë «Badya City»: një qytet për 150 mijë banorë në një hapësirë prej 1260 hektarë. Projekti është pjesë e planit për të shkarkuar pak Kajron.
E.R.