Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 29 nëntor 2018: Emri i tij: Harald Schmidt! Lartmadhëria e humorit gjerman. Fëmijët e klonuar të zotit He. Edi Rama në «Neue Zürcher Zeitung» mbi ndryshimet në Tiranë dhe të bukurën që mund të shkatërrojë kriminalitetin. Kundërshtarët e Erdoanit pa dhëmbë.

Harald Schmidt.



Emri i tij: Harald Schmidt! Lartmadhëria e humorit gjerman
Gazeta e përjavshme «Die Zeit» ka zhvilluar një intervistë të gjatë me Harald Schmidtin, gjeniun e humorit në Gjermani. Dy gazetarë kanë folur 4 orë me Schmidtin, i cili tallet me një koleg të sferës së humorit, i cili pasi pati lexuar një poezi të ashpër kundër presidentit turk kishte kërkuar ndihmë nga politikanët, sepse presidenti turk e kishte paditur. Në këtë intervistë Schmidt shpik gjysmë të vërteta, thotë se zgjohet në orën gjashtë të mëngjesit, por nuk shkon të notojë, sepse «unë kam njerëz që shkojnë të notojnë për mua», tregon se si tërë ditën shikon seri televizive amerikane dhe në pyetjen  se cili është politikani më i preferuar i tij, përgjigjet: «Ashiqare Trumpi. Ai po i fiton zgjedhjet. Pastaj ajo deviza e tij: s’dyshoj në Arabinë Saudite. Kështu qartë nuk kam dëgjuar të flet dikush tjetër. Dalëngadalë mësohesh me këtë  njësi matëse të ashpërsisë. Te ne ka vetëm paralajmërues, qortues dhe mendimtarë jokonvencional, të cilët lëre që nuk i kanë fituar zgjedhjet, por i kanë humbur në mënyrë bombastike». Natyrisht nuk është kurrë e sigurt nëse kjo që thotë Schmidt është mendim i tij apo vetëm shou. Sidoqoftë, intervista është një shou i vërtetë. Dhe gazetarët thonë se shqetësimi i tyre i vetëm ishte se a mjaftojnë dy faqe për këtë intervistë? Schmidt e ka braktisur televizionin, por malli i gjermanëve për rikthimin e tij është i pashuar.

Fëmijët e klonuar të zotit He
Gazeta «Süddeutsche Zeitung» boton një tekst të gjatë mbi një zhvillim në Kinë që ka zgjuar interesim dhe ngjallur trishtim në mbarë botën. Shkencëtari He Jiankui thotë se ka manipuluar në atë mënyrë gjenet dhe ka krijuar një njeri. Çka mbetet është trishtimi dhe pyetja nëse ai e di se çfarë po bën. Sepse, siç shkruan gazeta gjermane, këtu s’bëhet fjalë për klonimin e deles Dolly si para disa vitesh, por për njerëz.

Edi Rama në «Neue Zürcher Zeitung» mbi ndryshimet në Tiranë dhe të bukurën që mund të shkatërrojë kriminalitetin
Gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» ka rezervuar një faqe për të prezantuar Edi Ramën dhe ekspozitën e tij në Rostock të Gjermanisë. Pa marrë parasysh mendimet që mund të ketë opinioni në Shqipëri për politikën e Ramës si kryeministër, fakt është se çdo kryeministër i rajonit të Ballkanit vetëm mund të ëndërrojë të gëzojë një vëmendje të tillë nga mediat aq serioze europiane. Dhe «Neue Zürcher Zeitung», e themeluar më 1780, është medium i rëndësishëm europian. Në vijim disa citate nga intervista: «Kemi pasur një sistem arsimor shumë profesionist, si në shkollë po ashtu edhe në Akademinë e Arteve, e cila bazohej në modelin sovjetik. Domethënë: ligjërohej për artin figurativ, për realizmin socialist, dhe qëllimi ishte që të përgatitemi për t’u bërë të ashtuquajtur ushtarë të shpirtit dhe të marrin nën kontroll kullën e vrojtimit për socializmin. Por, historia e artit në Shqipërinë e shekullit ’20 mori fund me Gustave Courbet, gjithçka tjetër ishte e ndaluar, andaj na tërhiqte aq shumë». Pastaj: «Unë jam bërë ministër i Kulturës, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe në fund kryeministër në një vend, i cili në mënyrë thelbësore dallon nga të tjerët. Kam parë se e bukura vërtet mund të zgjidhë probleme dhe me atë rast u ndihmon njerëzve dhe qyteteve që të mendojnë ndryshe për veten. E bukura mund të shkatërrojë kriminalitetin dhe anarkinë dhe të mundësojë diçka si krenaria, identiteti dhe përkatësia. Së paku në Tiranë ajo e pati këtë efekt magjik». Tekstin e plotë e gjeni këtu: http://dialogplus.ch/edi-rama-ne-neue-zurcher-zeitung-e-bukura-mund-te-shkaterroje-kriminalitetin-131750

Kundërshtarët e Erdoanit pa dhëmbë
«Neue Zürcher Zeitung» sjell një shkrim nga Stambolli mbi gjendjen e opozitës turke, e cila merret tepër me vetveten, andaj s’ka fuqi të sfidojë qeverinë e ballafaquar me krizën ekonomike. Krizën e ndiejnë qytetarët: në krahasim me vitin e kaluar jeta në Turqi është shtrenjtuar për 25 për qind. Çmimet e energjisë janë ngritur edhe më shumë.
E.R.