Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 27 nëntor 2018: Michelle Obama shkruan një libër dhe fiton 800 mijë dollarë për një promovim. A është kjo e moralshme? Kajro, qytet me 20 milionë banorë, para kolapsit. Ukrainë: Mbreti i çokollatave kundër Vladimir Putinit. Ministri i Jashtëm turk tregon se si gazetari Jamal Khashoggi u vra «brenda 7 minutave». Çudira zvicerane: kryetarja e komunës së Andermattit nuk kandidon dhe zgjidhet prapë – kundër vullnetit të saj. Emiratet e Bashkuara Arabe lirojnë shkencëtarin britanik.

Michelle dhe Barack Obama.



Michelle Obama shkruan një libër dhe fiton 800 mijë dollarë për një promovim. A është kjo e moralshme?
«Süddeutsche Zeitung» boton në faqen e tretë një tekst të gjatë mbi librin e ri të Michelle Obamas, të parës zonjë të parë me ngjyrë të Amerikës. Paraardhësit e saj kanë qenë skllevër, ndërsa ajo falë dijes e talentit ka realizua ëndrrën e saj amerikane. Megjithatë, gazeta gjermane pyet me ton kritik se si është e mundshme që Michelle Obama nuk tregohet pak më e rezervuar në betejën për të fituar para. «Becoming» titullohet libri në të cilin Michelle Obama përshkruan jetën e saj – nga fëmijëria dhe njohja me Barack Obamën deri te hyrja në Shtëpinë e Bardhë, të cilën e kanë ndërtuar po ashtu skllevërit. Michelle Obama po e prezanton librin në dhjetë qytete amerikane. Sipas gazetës gjermane firma «Live Nation» ia paguan asaj 800 mijë dollarë për çdo pjesëmarrje në promovim. Për pesë javë rreth dhjetë apo njëmbëdhjetë milionë dollarë – kjo nuk është shumë e vogël. Promovimi i librit bëhet në salla shumë të mëdha, ku marrin pjesë deri në 15 mijë veta. Vendet më të lira kushtojnë 30 dollarë, ndërsa shumica paguajnë mes 200 dhe 1000 dollarë për një mbrëmje me Michelle Obamën, e cila zakonisht intervistohet nga poetja Elizabeth Alexander ose nga Oprah Winfrey, Reese Witherspoon dhe Sarah Jessica Parker. Për fansat e mëdhenj të Obamës ofrohen VIP-pako. Për 3000 dollarë keni një vend në rendin e parë, një pjesëmarrje në pritje para se të fillojë promovimi, një rast individual për fotografi dhe një ekzemplar i nënshkruar nga vetë Michelle Obama. Radhët dy deri pesë kushtojnë 2750 dollarë. Për 1300 dollarë fiton të drejtën që bashkë me të tjerët të fotografohesh me zonjën Obama. Pas leximit të reportazhit krijohet përshtypja se edhe majtistët e salloneve si Obamat dinë të shtiren se politika në SHBA duhet të bëjë më shumë për të varfrit, por vetë banojnë në një shtëpi në lagjen elitare Kalorama të Washingtonit, në një vilë me 760 metra katrorë hapësirë banimi, tetë dhoma të fjetjes, nëntë banja e gjysmë, çmimi i vilës: 8,1 milionë dollarë. Natyrisht edhe paraardhësit e Obamas kanë bërë para – Clintonët, Bushët po se po, por ata edhe më herët ishin të pasur si dreqi. Por, ka edhe shembuj të tjerë: presidenti Jimmy Carter, tashmë 95-vjeçar, jeton në shtëpizën e tij me tri dhoma, të cilën e ka ndërtuar në vite ’60. Pas përfundimit të mandatit presidencial Carter është kthyer aty dhe vetë i pastron enët.

Kajro, qytet me 20 milionë banorë, para kolapsit
«Frankfurter Allgemeine Zeitung» sjell në faqen e tretë një reportazh gati njëfaqësh mbi kryeqytetin e Egjiptit, Kajron. Në këtë metropol jetojnë më shumë se 20 milionë njerëz, por infrastruktura është e ndërtuar për shumë më pak. Prapëseprapë qyteti çdo vit rritet për gjysmë milioni njerëz dhe kjo valë shoqërohet me ndërprerje të energjisë elektrike, në shumë vende digjet bërlloku në ambient të hapur, shtëllunga tymi me duhmë të rëndë ngjiten në lartësi dhe ajri i ngjitshëm përzihet me zallin e Saharës. Në arabisht Kajro domethënë «Ngadhënjimtarja». Autori i reportazhit mendon se është e mundshme që Kajro të dalë fitimtar edhe në këtë luftë. Dhe prezanton një sërë projektesh të infrastrukturës që janë në planifikim, mes tyre edhe një Dubai i vogël – sipas planeve të arkitektit britanik Norman Foster dhe me para të investitorëve nga Arabia Saudite, Kuvajti dhe Egjipti.

Mbreti i çokollatave kundër Vladimir Putinit
«Frankfurter Allgemeine Zeitung» portreton Petro Poroshenkon, presidentin e Ukrainës, i cili pas eskalimit të fundit të marrëdhënieve me Rusinë gjendet në fokus të politikës botërore. Petro Poroshenko u lind më 1965 në Bolhrad, jo larg deltës danubiane. Babai i tij ishte drejtor i disa fabrikave, ndërsa i biri, pas shërbimit në ushtrinë sovjetike dhe studimeve të ekonomisë, tregoi interesim për tregtinë e jashtme. Kjo ishte gjatë kohës së Perestroikës. Poroshenko është i martuar me një mjeke, çifti ka katër fëmijë. Në Ukrainë dhe më gjerë Poroshenko është i njohur si pronar i fabrikës së çokollatave «Roshen». Por, Poroshenko ka qenë aktiv edhe në fusha të tjera, për shembull në anijendërtim. Një fabrikë të çokollatave në Rusi ai e ka mbyllur vitin e kaluar. Poroshenko ka qenë që nga fillimi i viteve 2000 mbështetës i kursit proeuropian të Ukrainës.

Ministri i Jashtëm turk tregon se si gazetari Jamal Khashoggi u vra «brenda 7 minutave»
Gazeta zvicerane «Tages Anzeiger» boton një intervistë me ministrin e Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu, i cili flet, mes tjerash, edhe për rastin e vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Çavuşoğlu thotë se nuk beson që njerëzit që kanë ardhur nga Arabia Saudite për të eliminuar Khashoggin kanë vepruar kokë më vete. Kryediplomati turk shprehet i habitur me deklaratën e Donald Trumpit, i cili e ka mbrojtur princin trashëgimtar Mohamed Bin Salman, duke thënë se ndoshta ai ka qenë në dijeni për përgatitjen e vrasjes, por ndoshta edhe nuk ka qenë. Çavuşoğlu thotë se ka ende shumë pyetje pa përgjigje: «Ku ka ofruar ndihmë në vendin e ngjarjes? Ku është kufoma?» Ministri i Jashtëm turk tregon se i ka dëgjuar incizimet e shërbimeve sekrete mbi vrasjen e Khashoggit. «Është vrarë brenda 7 minutave. Ishte vrasje me paramendim. Ata nuk vendosën ta vrasin pasi nuk arritën ta bindin të kthehet (në Arabinë Saudite). Dëgjohet se si mjeku i forenzikës i këshillon të tjerët: dëgjoni ju muzikë ndërsa ai copëton trupin. Vërehet si ai kënaqet me këtë».

Çudira zvicerane: kryetarja e komunës së Andermattit nuk kandidon dhe zgjidhet prapë – kundër vullnetit të saj
«Tages Anzeiger» portreton politikanen lokale zvicerane Yvonne Baumann. Ajo së fundi kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryetares së komunës së Andermattit, një fshat malor në kantonin Uri, dhe kishte njoftuar popullin se nuk do të kandidonte më. Por, me sa duket ajo bëri hesapin pa hanxhiun. Hanxhiu, në këtë rasti populli elektoral i Andermattit, e rizgjodhi Yvonne Baumann sërish kryetare të komunës – kundër vullnetit të saj. Ajo mori 244 vota, ndërsa kandidati zyrtar 116. Andermatti është fshat i njohur në Zvicër edhe për shkak të projektit turistik Swiss Alps të multimiliarderit dhe investitorit egjiptian Samih Sawiris. Në Kuvendin e komunës së Andermattit kishte njerëz që dyshonin në aftësitë e kryetares së komunës për shkak se ajo nuk flet ndonjë gjuhë të huaj. Kur nuk ishte në punë, politikanët lokalë vepronin kokë në vete dhe përpiqeshin të izolonin kryetaren. Në mesin e 1300 banorëve të Andermatti u ngjall shpirti kryengritës, tipik për zviceranët e Urit. «Qytetarët e shqetësuar» formuluan një afishe në mbështetje të Baumannit. Tani ajo ka deklaruar se deri në fund të javës do të vendosë nëse do të pranojë verdiktin popullor apo jo. (Përndryshe: Samih Sawiris është shtetas edhe i Malit të Zi. Së fundi ai ka hapur në rivierën e Malit të Zi hotelin «The Chedi»).

Emiratet e Bashkuara Arabe lirojnë shkencëtarin britanik
«Financial Times» njofton për lirimin e Matthew Hedges, shtetas dhe shkencëtar britanik, i cili ishte i dënuar në Emiratet e Bashkuara Arabe me burim të përjetshëm – gjoja për shkak të spiunazhit. Lirimi i tij shtendos raportet mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Britanisë së Madhe. Hedges ishte arrestuar në maj në kuadër të hulumtimeve shkencore që po bënte mbi zhvillimet ushtarake pas Pranverës Arabe. Më 2011 edhe liderët e Emirateve të Bashkuara Arabe u sfiduan nga islamistët dhe aktivistët e tjerë, të cilët kërkonin më shumë demokraci.
E.R.