Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 26 nëntor 2018: Brexit – tragjedi dhe pikëllim. Me 130 vjet vonesë: socialdemokratët e Austrisë zgjedhin një grua për kryetare. Proteza, implantate dhe skandale. Canetti dhe Walser – letrat dhe letërsia. Zvicra: Brirë, gjykatës të huaj dhe agjentë. Një çmim për gazetaren e guximshme Masha Gessen.




Brexit – tragjedi dhe pikëllim
Në të gjitha gazetat e mëdha europiane temë e madhe sot është miratimi i marrëveshjes, e cila rregullon largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» citon kancelaren Angela Merkel, e cila flet për një situatë të dhimbshme e tragjike. Polaku Donald Tusk, president i Këshillit Europian, përpiqet me optimizëm, duke thënë se europianët kontinentalë dhe ata të ishullit britanik do të mbesin miq deri në ditën e fundit dhe një ditë pastaj. Nuk është e sigurt nëse kryeministrja britanike Theresa May do ta kalojë marrëveshjen në parlamentin britanik, tani për tani një shumicë duket iluzore. Gjithçka është e hapur: një Brexit kaotik, negociata të reja ose një referendum i ri? Negociatat e reja duken më pak të mundshme, sepse ky do të ishte një sinjal ndaj vendeve të tjera të BE-së që mendojnë të braktisin «klubin e Brukselit».

Me 130 vjet vonesë: socialdemokratët e Austrisë zgjedhin një grua për kryetare
Victor Adler (1852-1918) ka qenë njëri nga themeluesit e Partisë Socialdemokrate të Austrisë (SPÖ) dhe mjek. Edhe Pamela Rendi-Wagner është mjeke, është 47-vjeçare dhe në fundjavë është zgjedhur kryetare e SPÖ-së, rrafsh 130 vjet pas themelimit të kësaj partie. Rendi-Wagner iu referua Victor Adlerit pas zgjedhjes në postin e kryetares: si mjek, tha ajo, mund t’u ndihmoni njerëzve, si politikan mund t’u ndihmoni njerëzve duke përmirësuar kushtet e tyre jetësore. Rendi-Wenger, nënë e dy fëmijëve, ka punuar në Universitetin e Tel Avivin si shkencëtare, ndërsa burri i saj Micheal Rendi ishte ambasador i Austrisë në Izrael. Ai është pasardhës i një familjeje të njohur dhe të vjetër të tregtarëve hebraikë nga Vjena. Në qeverinë e kancelarit Christian Kern Rendi-Wenger ka qenë ministre e Shëndetësisë. Zgjedhjet e fundit parlamentare SPÖ i ka humbur. Kancelari konservator Sebastian Kurz qeverisë me popullistët e partisë FPÖ.

Proteza, implantate dhe skandale
«Süddeutsche Zeitung» paralajmëron në faqen e parë një hulumtim të gjerë mbi protezat dhe implantatet e rrezikshme në Gjermani, të cilat dëmtojnë pacientët për shkak të cilësisë së dobët. Në vitin 2017 janë konstatuar probleme në prodhimet mjekësore në Gjermani si kurrë më parë. Hulumtimi i «Süddeutsche Zeitung» është bërë në bashkëpunim me Konzorciumin për Gazetari Investigative (ICIJ). Rezultat i hulumtimit «Implant Files» është edhe një libër mbi këtë temë.

Canetti dhe Walser – letrat dhe letërsia
Elias Canetti është njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj hebrenj të shekullit XX. U lind në Ruse të Bullgarisë. Ruse është një qytet në breg të Danubit, në anën tjetër është Rumania. Falë Danubit Ruse ka qenë i lidhur me anije me Europën Perëndimore edhe në vitin 1905, kur u lind Canetti. Në veprën e tij të madhe – romane, ese e udhëpërshkrime – Canetti kujton fëmijërinë në qytetin e tij të lindjes dhe shumëllojshmërinë etnike me sllavë, rumunë, turq e shqiptarë. Gjatë jetës së tij Canetti ka jetuar në Britaninë e Madhe, në Austri dhe në Zvicër. Vdiq në vitin 1995 në Zürich, është i varrosur pranë James Joycit, një shkrimtari tjetër shtegtar irlandez. Pasi janë botuar e ribotuar të gjitha veprat letrare të Canettit, tani s’ka mbetur gjë tjetër përveç se të botohet edhe letërkëmbimi i tij. «Süddeutsche Zeitung» boton një recension jo aq entuziast për letërkëmbimin e sapo botuar të Canettit. Në 866 faqe mund të lexohen letrat që shkrimtari dërgoi mes viteve 1932-1994.

Në një recesion tjetër «Süddeutsche Zeitung» harxhon pak rreshta mbi librin më të ri të Martin Walserit, shkrimtarit të madh gjerman, i cili në mars feston ditëlindjen e ‘92. Walser nuk shkruan prej vitesh ndonjë vepër të madhe. Edhe kësaj radhe ai e kap lexuesin për fyti me poezi mbi fundin e jetës, vetminë, natyrën dhe stinët, politikën, vendlindjen, kolegët, sëmundjet dhe «armiqtë» në rubrikat e kulturës të gazetave. Në një varg Walser tregohet ksenofon: «Sa më shumë që dashuron dikë, / aq më shumë ai meriton dashurinë tënde».

Zvicra: Brirë, gjykatës të huaj dhe agjentë
Në shtypin zviceran sot dominojnë raportet e komentet mbi referendumet e së dielës. Siç kemi njoftuar: nisma për të mos ua prerë lopëve brirët ka dështuar, po ashtu edhe nisma që «gjykatësve të huaj» t’u ndalohet ndërhyrja në Zvicër, ndërsa zviceranët kanë pranuar iniciativën për spiunimin e mashtruesve të sigurimeve sociale. Në të ardhmen kush gënjen se është invalid, mund të përcillet e fotografohet nga detektivët. Me leje të shtetit.

Një çmim për gazetaren e guximshme Masha Gessen
Që nga viti 1994 ndahet Çmimi i Leipzigut për Mirëkuptim Europian. Mes të tjerëve këtë çmim e kanë marrë: publicisti polak Ryszard Kapuściński, shkrimtari serbo-hebraik Aleksandar Tishma, shkrimtari hungarez Imre Kertész, autori serb Bora Qosiq, historiani Eric J. Hobsbawm, shkrimtari boshnjak Xhevad Karahasan, autorja kroate Sllavenka Drakuliq, publicisti holandez Geert Mak, historiani gjerman Karl Schlögel. Sivjet me këtë çmim u nderua Åsne Seierstad, publicistë norvegjeze. Dhe, siç njofton «Tages Anzeiger», vitin e ardhshëm çmimi i është ndarë publicistes ruso-amerikane Masha Gessen, njërën prej kritikeve më të zëshme dhe më të bindshme të Vladimir Putinit. Libri i saj i fundit mban këtë titull: «E ardhmja e historisë. Si e fitoi dhe si e humbi Rusia lirinë». Përmes biografisë së katër të rinjve rusë autorja përshkruan erozionin e institucioneve demokratike. Vlera e çmimit është: 20 mijë euro.
E.R.