Çfarë shkruajnë sot gazetat e Europës Perëndimore?

Pasqyra e shtypit e datës 25 nëntor 2018: Kryeministri nën akuzë se ka kidnapuar të birin e vet. Një nostalgjik i të gjitha diktaturave. Asgjë nuk është më diskriminuese se varfëria, thotë filozofi dhe dramaturgu gjerman Bernd Stegemann. Burrat brutalë të Rexhep Taip Erdoanit blejnë armë në Zvicër. 23 vjet në parlament – në moshën 44-vjeçare bujku Toni Brunner largohet nga parlamenti zviceran.

Dekori i filmit «Good Bye, Lenin». Foto: DPA



Kryeministri nën akuzë se ka kidnapuar të birin e vet
Në Republikën e Çekisë politika i ngjan një seriali turk apo latinoamerikan. Intriga, thashetheme, afera, shpifje dhe krime të tjera. Kryetari i shtetit, një komunist, dyshohet se ka probleme me alkool, e do fort Vladimir Putinin, ëndërron t’i vrasë gazetarët, përqesh viktimat e komunizmit. Kryeministri Andrej Babish, një oligark i njohur, po ballafaqohet me akuza të rënda: dyshohet se me rastin e renovimit të një hoteli, i cili bart emrin «Foleja e lejlekut» dhe gjendet afër Pragës, janë bërë manipulime me patundshmëri me qëllim që të përfitohen më shumë para nga fondet e Bashkimit Europian. Në një tekst të gjatë «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung» shkruan se skandali ka marrë një dimension tjetër prej se i biri i Babishit e akuzon babanë e vet të ketë urdhëruar kidnapimin e tij në Krime. Pra, djali akuzon babanë se e ka kidnapuar. Pse? Djali thotë se qëllimi ka qenë që të pengohet për të dhënë dëshminë për aferën me gjasë korruptive.

Një nostalgjik i të gjitha diktaturave
Në filmin «Good Bye, Lenin» Christine Kerner pëson një sulm në zemër. Është viti 1989, Kerner është nisur të shkojë në Pallatin e Republikës, një ndërtesë monumentale e Gjermanisë lindore, komuniste. Pas sulmit në zemër Kerner bie në koma dhe nuk zgjohet tetë muaj. Gjatë kësaj kohe ndodhin zhvillime dramatike, mes tyre bie edhe Muri i Berlinit. Kur zgjohet nga koma, Christine Kerner ende beson se Gjermania e saj lindore ekziston. Dhe për t’ia mbajtur gjallë këtë iluzion i biri i saj bën gjithçka. Kërkon kudo nëpër dyqane prodhime të Gjermanisë lindore dhe i këndon këngë revolucionare. Prodhimet e Gjermanisë perëndimore paketohen me ambalazh lindor, kur nëpër ndërtesa shfaqen posterë të Coca Colës, familjarët përpiqen të gjejnë arsyetime. Në një moment pranë dritares së pacientes një helikopter bart përmendoren e Leninit. «Good Bye, Lenin» është ndër filmat më të mirë dhe më komikë mbi rënien e sistemit komunist të Gjermanisë lindore.

Gati tri dekada pas rënies së Murit të Berlinit dhe bashkimit të Gjermanive ende ka nostalgjikë të sistemit komunist. Një të tillë të dielën e portreton «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung». Bodo Quart quhet ky nostalgjik, i cili Gjermaninë e tij lindore e ka gjetur në Korenë Veriore. Quart ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore (SED), ndërsa sot i shoqëron grupet e turistëve gjatë vizitave në perandorinë komuniste të Kim Xhong-Unit. Quart e përjeton si fyerje nëse i thua se Koreja e Veriut është diktaturë. Sipas tij, diktaturë nuk ka qenë as Gjermania lindore, komuniste.

Asgjë nuk është më diskriminuese se varfëria, thotë filozofi dhe dramaturgu Bernd Stegemann
Bernd Stegemann është dramaturg, por bota e teatrit është e ngushtë për të. Ai ka themeluar një lëvizje majtiste në Gjermani, e cila angazhohet për më shumë drejtësi sociale. Në maj ai ishte në Zürich në hapjen e Takimeve të Teatrove të Zvicrës. Në një intervistë për gazetën «Neue Zürcher Zeitung» ai atëbotë thoshte: «Neoliberalizmi është ideologji hegjemoniste, si Krishterimi dikur». Në numrin e së dielës të «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung» Stegemann thotë: «Asgjë nuk është më diskriminuese se varfëria». Stegemann angazhohet për një politikë tjetër sociale, e cila do të mbështeste sidomos gratë dhe njerëzit me origjinë të huaj.

Burrat brutalë të Rexhep Taip Erdoanit blejnë armë në Zvicër
Gazeta zvicerane «NZZ am Sonntag» njofton se organizata «Osmanen Germania», e cila është e ndaluar në Gjermani për shkak se konsiderohet si krahu i armatosur dhe përkrahës i presidentit turk Rexhep Taip Erdoan, po e shfrytëzon Zvicrën si terren për organizim. Gazeta ka gjetur disa dokumente të autoriteteve hetimore gjermane, ku thuhet se sa i përket logjistikës, armëve dhe parave Zvicra luan një rol të rëndësishëm për «Osmanen Germania». Turqia, sipas «NZZ am Sonntag», ndan para për blerjen e armëve të «Osmanen Germania». Mehmet Bagci, ish-presidenti i këtij grupi, ndërkohë i arrestuar, ka porositur në Zvicër një pushkë automatike të markës «Scorpion» dhe tre karikatorë me municion.

23 vjet në parlament – në moshën 44-vjeçare bujku Toni Brunner largohet nga parlamenti zviceran
Ai ishte 17-vjeçar kur u elektrizua nga politika dhe u anëtarësua në Partinë Popullore të Zvicrës (SVP). Atëbotë Toni Brunner punonte me prindërit e tij si bujk në Zvicrën lindore. Më 1995 Brunner u zgjodh deputet në parlamentin zviceran. Atëherë ishte 21-vjeçar. Më i riu parlamentar në historinë e Zvicrës. Këtë fundjavë, siç shkruan «NZZ am Sonntag», Brunner tha: «Boll më», pas 23 vitesh ai, tani 44-vjeçar, nuk do të kandidojnë më për të qenë anëtar i parlamentit. Gjatë karrierës së tij politike Brunner ka qenë edhe kryetar i SVP-së, një parti që shpeshherë e tepron me popullizëm djathtist, retorika antieuropiane dhe kundër të huajve. Njëherë është diskutuar në parlament edhe për heqjen e imunitetit të Tini Brunnerit për shkak se sekretariati i partisë kishte lansuar në gazeta një «reklamë» me titullin: «Kosovarët masakrojnë me thikë zviceranët». Kjo fushatë nisi pasi dy shqiptarë goditën me thikë një zviceran, i cili ishte «Schwinger», siç quhen pehlivanët në Zvicër. Gjyqësia zvicerane i ka dënuar disa eksponentë të partisë për shkak të kësaj «reklame».
E.R.