Çfarë planesh kanë ndaj Ballkanit dy kandidatët për president të Austrisë?

Norbert Hofer nga partia populliste austriake FPÖ dëshiron t’i thellojë marrëdhëniet me serbët në Ballkan dhe atakon pavarësinë e Kosovës. Alexander Van der Bellen kërkon integrimin e vendeve të rajonit në BE.

Cili do të jetë kryetar i Austrisë? Norbert Hofer dhe Alexander Van der Bellen.



Të dielën jo vetëm zgjedhësit në Drenas do të vendosin se kush do të jetë në krye të komunës së tyre. Po ashtu edhe 6’399’572 qytetarë austriakë me të drejtë vote do të zgjedhin presidentin e ri të vendit. Në këtë raund të dytë zgjedhor do të garojnë Norbert Hofer nga partia populliste FPÖ dhe Alexander Van der Bellen, i cili ka një përvojë të gjatë si politikan i gjelbër. Zgjedhjet presidenciale austriake filluan më 24 prill. Në raundin e parë Hofer dhe Van der Bellen morën më së shumti vota dhe u kualifikuan për raundin e dytë, i cili u mbajt më 22 maj. Rezultati ishte tepër i ngushtë: Van der Bellen fitoi me 50,35 për qind të votave. Por pasi FPÖ u ankua se fletëvotimet e dërguara me postë ishin hapur para kohe dhe rezultati u ishte kumtuar edhe mediave, Gjykata Kushtetuese e Austrisë e anuloi balotazhin dhe përcaktoi 2 tetorin si datë për rimbajtjen e raundin të dytë. Në fillim të shtatorit opinioni jo vetëm austriak u befasua kur Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se disa fletëvotime përmbanin gabime, andaj zgjedhjet u shtynë për datën 4 dhjetor.

Për vendet e Ballkanit është me rëndësi sidomos qëndrimi i kandidatëve ndaj rajonit, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm të Austrisë si urë lidhëse politike dhe historike mes Europës Lindore dhe asaj Perëndimore. Nëse i biem shkurt, atëherë kandidatët mund të përshkruhen kështu: Norbert Hofer nga partia populliste FPÖ dëshiron t’i thellojë marrëdhëniet me serbët në Ballkan, ndërsa Alexander Van der Bellen kërkon integrimin e vendeve të rajonit në BE.

Në një intervistë me të dy kandidatët, të zhvilluar nga gazeta Kurier, ata kanë folur edhe për Ballkanin. Në pyetjen nëse e është realist dhe i dëshiruar anëtarësimi i shteteve të Ballkanit në BE aty nga viti 2020, Hofer është përgjigjur: «Është e dëshirueshme që shtetet e Ballkanit të pranohen në BE. Para 25 vitesh atje zhvillohej luftë e tmerrshme. Sot me shtetet pasardhëse (të Jugosllavisë) po zhvillohen negociata, kjo duhet përshëndetur. Nëse shtetet përkatëse vërtet janë të pjekura për anëtarësim, kjo do të shihet gjatë negociatave. Në rastin e Serbisë aktualisht pengesë është çështja e Kosovës. Por edhe brenda BE-së ka shtete, si për shembull Spanja, të cilat nuk e kanë pranuar Kosovën si shtet më vete. Këtu do të kërkohet shumë shkathtësi diplomatike, por besoj se Serbia sjell me vete parakushte të mira për anëtarësim».

Van der Bellen është përgjigjur se «asnjë vend nuk ka marrëdhënie më të ngushta ekonomike dhe historike me Ballkanin Perëndimor se Austria. Për të gjithë vëzhguesit nuk ka dyshim se në periudhën afatmesme duhet të ketë perspektivë të anëtarësimit për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor». Van der Bellen shtoi se hyrja në BE e vendeve të Ballkanit duhet të përkrahet nga Austria.

Kandidatët për postin e presidentit të Austrisë kanë mendime të ndryshme sa i përket Bosnjës. Hofer tha se nëse referendumi për pavarësi i Republika Srpskës zhvillohet në pajtim me Kushtetutën dhe nëse për këtë voton shumica, atëherë duhet filluar me kujdes këtë proces të shkëputjes. Duke iu referuar Kosovës Hofer ka thënë se sidomos në Ballkan «e kemi parë se ku mund të çojnë përpjekjet për pavarësi pa negociata». Një deklaratë e tillë e Norbert Hofer është absurde, sepse shpalljes së pavarësisë së Kosovës i kanë paraprirë negociatat në Vjenë nën drejtimin e ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari dhe diplomatit austriak Albert Rohan.

Van der Bellen kundërshton idenë e copëtimit territorial të Bosnjës. Ai mendon se shkëputja e entitetit serb nga Bosnja do të ishte në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas Van der Bellen synimet për ndryshim të kufijve janë problematike.

Kandidati Norbert Hofer e ka quajtur veten «mik të Serbisë», ndërsa shefi i partisë së tij FPÖ, Heinz Christian Strache, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka marrë pjesë në një miting të Partisë Përparimtare Serbe të Tomislav Nikoliqit dhe Aleksandar Vuçiqit dhe me atë rast e ka quajtur Kosovën «zemër të Serbisë». FPÖ është duke luftuar në Austri për votat e komunitetit serb. Rreth 300 mijë serbë jetojnë në Austri, prej tyre gati 100 mijë në Vjenë. Kësisoj kryeqyteti austriak është qendra më e madhe urbane e serbëve jashtë Ballkanit. Hofer ka vizituar së fundi Beogradin, ku është takuar me presidentin serb Tomislav Nikoliq, i cili njihet si provokator ndaj Kosovës, pavarësinë e së cilës ai nuk dëshiron ta pranojë kurrë. Nga Beogradi Hofer u ka dërguar këtë mesazh dashurie serbëve që jetojnë në Austri: «Këta janë njerëz që mendojnë si ne, ndajnë vlerat e njëjta, kanë të njëjtën kulturë si ne. Kemi vetëm gjuhë tjetër».

Në Austri jetojnë rreth 30 mijë shqiptarë (shumica nga Kosova dhe Maqedonia). Llogaritet se rreth 20 mijë sish kanë të drejtë vote. Politikën e partisë FPÖ kundër pavarësisë së Kosovës, aleancën me Nikoliqin dhe Vuçiqin dhe përkrahjen e tendencave të serbëve të Bosnjës për shpartallimin e këtij vendi politologu nga Vjena Vedran Xhihiq në një intervistë për televizionin gjerman ARD e ka quajtur «diletantizëm të rrezikshëm» dhe sulm kundër politikës së jashtme austriake. Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Sarajevë, diplomati austriak Valentin Inzko, ka deklaruar se FPÖ po luan me zjarr në Ballkan dhe mbështetja e planeve separatiste të serbëve të Bosnjës mund të çojë në një luftë të re.