Çfarë pamë dhe kë të zgjedhim të dielën?

Ndryshimet e mëdha fillojnë nga lagjja, sheshi dhe qyteti, nga fshati dhe shtegu, ku ecën jeta e njeriut.



Asnjë qytetar i Kosovës nuk mund të ankohet për mungesë të aktiviteteve politike gjatë këtij viti. U mbajtën zgjedhjet parlamentare, pasi muaj më parë «partia më e madhe» nisi fushatën elektorale me shpresën se edhe njëherë do ta marrë një mandat 4-vjeçar. Dhe për këtë provokoi zgjedhjet e parakohshme. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare i dëshpëroi elementët e krimit të organizuar, që sa për formalitet bartin kravata dhe e quajnë veten kryetarë e presidentë partish. Qeveria u bë si u bë: me kurthe e lojëra të nëntokës, me një kabinet që ka po aq ministra sa Kina dhe zëvendësministra sa India, nëse India vërtet ka zëvendësministra.

Pasi qeveria filloi punën, nisi fushata për zgjedhjet lokale. Çfarë pamë dhe kë të zgjedhim të dielën? Pamë kandidatë qesharakë për asambletë komunale, palaço që politikën e shohin si aktivitet në shërbim të krimit të organizuar. Pamë dembelë që duan të zënë vend në Kuvendin e Komunës. Pamë hajdutë që në nivel lokal duan të imitojnë hajdutët e ligës së parë. Pamë militantë që premtonin një botë të mrekullueshme nëse ata do të merrnin pushtetin komunal. Pamë skena bizare të grave të kandidatëve, të cilat detyroheshin të thoshin ca fjalë të mëdha për «më të dashurit e tyre» dhe s’arrinin të belbëzonin më shumë se ca fjalë pa kuptim. Pamë kandidatë që premtonin sistem arsimor si në Finlandë, ndërkohë që gjendja në arsimin kosovar është tmerrësisht e mjerë. Pamë kandidatë që premtonin investime sa për të trullosur elektoratin, sepse edhe vetë e dinë se asnjë investitor nuk vjen në një vend ku zyrtarët e shtetit kërkojnë ryshfet, favore, ndere, dhurata. Këta janë kandidatët e së kaluarës, kandidatët që duan ta mbajnë Kosovën peng.

Por, Kosova ka edhe një shpirt kryengritës. Rrjedhimisht, gjatë fushatës pamë kandidatë për asamble komunale dhe për kryetar të komunës përkatëse, të cilët denjësisht prezantuan programet e tyre. Pamë kandidatë të tillë në Prishtinë dhe në Prizren, në Gjakovë dhe në Mitrovicë, në Suharekë dhe në Kamenicë, në Podujevë dhe në Ferizaj. Dhe në shumë qytete të tjera të Kosovës. Zgjidhni këta njerëz. Ata janë të shumtë në partitë opozitare, të paktë, pothuaj joekzistent, në partitë e krimit të organizuar, të cilat kontrollojnë shtetin, falin borxhe, shkarkojnë borde, emërojnë borde, blejnë «telefona të mençur» me para buxheti, krekosen e çirren se po bëjnë punë të mëdha për Kosovën dhe vazhdojnë me avazin e vjetër: fundosjen e Kosovës. Zgjedhjet e 11 qershorit kanë treguar se Kosova ka potencial për të ndërprerë trendin negativ. Zgjedhjet e 22 tetorit janë një shans për kryengritje të re. Kryengritje paqësore, me votë. Kundër të keqes, kundër hajdutëve, kundër dallaveraxhinjve, kundër vrasësve dhe të korruptuarve. Për një Kosovë tjetër. Të pastër dhe properëndimore. Ndryshimet e mëdha fillojnë nga lagjja, sheshi dhe qyteti, nga fshati dhe shtegu, ku ecën jeta e njeriut.