Çfarë ndikon në mënyrën se si votojmë?

Disa shënime mbi psikologjinë e votimit në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Foto: Shutterstock



Ka shumë faktorë që ndikojnë në vendimet tona para dhe gjatë votimit. Përkatësia partiake, qëndrimet dhe vlerat, edukimi dhe niveli i arsimit, gjinia, gjendja ekonomike, shëndeti dhe shumë faktorë të tjerë ndihmojnë në dhënien e votës sonë në çdo palë zgjedhje. Prandaj është gati e pamundur të thuhet se vetëm një faktor çon në marrjen e vendimit të votimit.
Por, dihet se fjalimet e kandidatëve kanë një ndikim shumë të vogël tek votuesit. Megjithatë, ka mundësi të jetë vetëm një «x-faktor» që ndikon në rezultatin e zgjedhjeve dhe i cili është më pak i qartë se thjesht ideologjia politike. Shkencëtarët nga fusha të ndryshme kanë analizuar me vite të tëra psikologjinë e sjelljes gjatë votimit për të identifikuar atë element të mistershëm që mund të ndikojë në votën tonë. Me sa duket ka disa faktorë të pavetëdijshëm që mund të ndikojnë në mënyrë sinjifikative në sjelljen tonë për të votuar.

Njerëzve u pëlqen të mendojnë se vendimet e tyre të rëndësishme bëhen gjithnjë me vetëdije të plotë dhe në mënyrë racionale, por në realitet proceset, emocionet, mendimet dhe paragjykimet e pavetëdijshme gati gjithmonë luajnë një rol të madh. Kjo është arsyeja pse sjelljet tona sa i përket votimit mund të ndikohen kaq lehtë nga fenomene psikologjike. Në fakt, sipas hulumtuesve të shkencave të politikës, kur bëhet fjalë për politikë, të gjitha vendimmarrjet janë të pavetëdijshme.

Përderisa ka faktorë të llojllojshëm individualë që mund të ndikojnë në mënyrën e të votuarit, duke filluar nga ato me të thjeshta si renditja e kandidatit në një fletëvotim deri te ato më komplekse si raca apo gjinia, në psikologjinë e të votuarit ekzistojnë disa fenomene të ripërsëritura që duket se janë disa prej me të rëndësishëmeve. Kjo është një përpjekëje për të shpjeguar menyrën e votimit.

Paragjykimi negativ dhe neveria

Askujt nuk i pëlqen një fushatë negative, por ne mund të shohim më shumë marketing negativ se çdo gjë tjetër gjatë fushatës zgjedhore. Kjo ndodhë për një arsye të thjeshtë – sepse funksionon. Siç duket, një lidhëshmëri negative ka shumë më shumë gjasa të na bëjë të votojmë (për atë kandidatin tjetër) sesa një lidhëshmëri pozitive. Kjo ngjan për arsye të paragjykimeve të negativitetit – një fenomen ku truri ynë ka një tendencë të ruajë informacionin negativ më lehtë dhe më shumë se informacionin pozitiv.

Kjo do të thotë njëkohësisht se truri ushqen vendimmarrjen më shumë me emocione negative se sa ato pozitive, prandaj edhe dominojnë emocionet negative gjatë vendimmarjeve. Nëse e shikojmë këtë në rastin e votimit, kjo do të thotë se ne si votues kemi shumë më shumë gjasa të votojmë nëse e urrejmë një nga kandidatët se sa nëse i pëlqejmë të dy kandidatet njëjtë apo thjesht e pëlqejmë një më të mirë. Një reklamë sulmuese që na bën të ndiejmë neveri për veprimet e një kandidati ka më shumë gjasa të na bëjë të shkojmë në zgjedhje se sa një reklamë që thjesht pasqyron gjërat e mira që ka bërë kandidati. Prandaj, kur politikanët theksojnë cilësitë negative të kundërshtarit të tyre rrisin pjesëmarrjen e mbështetësve.

Faktikisht, çdo lidhje negative me një kandidat mund të ndikojë në gjasat që ne të votojmë për të, pa marrë parasysh se a ka të bëjë kjo me kandidatin aktual apo jo. Nëse lidhim një fatkeqësi të madhe natyrore me një zyrtar aktual, atëherë ai ka gjasa të humb votuesit sidomos gjatë periudhës elektorale.

Edhe moti i keq në ditën e zgjedhjeve mund të dëmtojë ata politikanë të cilët rikandidojnë. Edhe mënyra se si ndihemi si votues në ditën e votimit mund të ndikojë gjithashtu. Është shumë interesante se ndjenjat e neverisë na shtyjnë të bëhemi më shumë konservator.

Perceptimi luan rol të rëndësishëm

Të gjithë e dimë se ne tentojmë të ndjehemi të ndikuar në mënyrë të pavetëdijshme në lidhje me njerëzit në bazë të paraqitjeve të tyre, por duket se dukja e mirë është më e rëndësishme në zgjedhje se sa shumica e njerëzve mendojnë. Kandidati më tërheqës ka një avantazh të madh, veçanërisht gjatë kohërave të krizave. Në fakt, ky efekt bëhet edhe më i theksuar sa më shumë të jetë i ekspozuar një kandidat, që do të thotë se mund të jetë mjaft i fuqishëm në kohërat e sotme të lajmëve shume dinamike përmes mediave sociale.
Megjithatë, është më rëndësi të ceket se kjo nuk ka të bëjë aspak me një bukuri apo estetikë objektive. Më shumë se një politikani tërheqës ne instinktivisht i besojmë një kandidati i cili na përngjan neve si zgjedhës dhe duket të jetë më shumë si ne. Se çka do të thotë «si ne» definohet nga secili person veç e veç. Për shembull për njerëzit me paragjykime racore apo gjinore, etnia dhe gjinia luajnë më shumë rol.

Shëndeti dhe mënyra se si ndihemi gjatë ditës së votimit mund të ndikojnë gjithashtu. Nëse votuesit mendojnë për sëmundjet, atëherë kjo mund t’i inkurajojë të mendojnë negativisht rreth dallimeve të ndryshme. Kjo do të thotë njëkohësisht se nëse njerëzit nuk ndihen mirë ditën e votimit, ata ka gjasa më shumë të favorizojnë një kandidat të pashëm se një me dukje fizike më pak atraktive. Është diçka që ne në ndërdije dëshirojmë ta arrijmë.
Por, për ata me paragjykime më pak të theksuara, perceptimi që një politikan është i ngjashëm me veten tonë është ajo që ka më së shumti rëndësi. Njerëzit kanë tendencë të votojnë për një kandidat, i cili ndan statusin e tyre ekonomik, nivelin e arsimit ose tiparet e personalitetit se sa për një kandidat që nuk i ndan këto veti. Këto ngjashmëri bazohen në perceptimin dhe jo në një realitet objektiv.

Frika ndikon

Sipas disa hulumtimeve, nëse dëshironi të aktivizioni një elektorat pak më konservator, frika mund të jetë mënyra më efektive për ta bërë këtë. Kur humbet një «luftë», veçanërisht në kohë të vështira ekonomike, ose në kohëra të tjera të frikës, elektorati vendos djathas. Kjo ka të bëjë me atë se njerëzit dëshirojnë t’i përmbahen traditave. Megjithatë, ky efekt është i kufizuar në qoftë se bartës i listës është një politikan konservator, i cili nuk e ka zgjidhur me sukses problemin, pasi njerëzit preferojnë më shumë një kandidat të fortë në detyrë kur kohët janë të mira se sa kur kërkohet ndryshimi. Prandaj, gjatë fushatës së zgjedhjeve, fjalimet që përmendin dhe theksojne rrezikun (qoftë ai lokal apo global) apo paqëndrueshmërinë ekonomike luajnë rol të madh në përcaktimin e votës.

Në anën tjetër, disa studime tregojnë se ndikimi më i madh psikologjik i frikës në marrjen e vendimit për votim vjen për shkak se elektorati i analizon me shumë kujdes deklaratat politike. Votuesit e frikësuar kërkojnë me kujdes të vërtetën dhe nuk u besojnë kandidatëve për të cilët është dëshmuar se kanë gënjyer. Kjo është një prej arsyeve që reklamat që ndjellin frikë te njerëzit mund të dështojnë.

A ka peshë vota ime?

Me të gjithë këta faktorë që mund të ndikojnë në mënyrën se si votojmë, disa njerëz pyesin nëse votat e tyre kanë rëndësi fare apo jo. Sidomos duke pasur parasysh, qe mënyra e votimit nganjëherë është fenomen grupor. Në fund të fundit, a nuk është i gjithë sistemi i manipuluar nga faktorët e jashtëm dhe të paparashikueshëm? Jo krejtësisht.
Ndonëse këta faktorë të pavetëdijshëm mund të ndikojnë në mënyrën se si ne votojmë, ata prapëseprapë nuk anashkalojnë logjikën e shëndoshë. Për shembull, nëse jeni absolutisht kundër të gjithë kandidatëve që kanë një politikë të caktuar, pa marrë parasysh se çfarë është ajo politikë, nuk do të ketë shumë mundësi për të ndryshuar mendjen tuaj. Faktorët e lartpërmendur thjesht luajnë rol kur jeni të pavendosur ose nuk mund të përcaktoheni për një kandidat.

Megjithatë, nëse e ndieni veten të tërhequr ose të refuzuar prej një kandidati dhe nuk mund ta thuani për çfarë arsye, është e mundur që faktorët e pavetëdijshëm të kenë ndikim. Prandaj, mund të jetë e dobishme t’u bëni një vështrim të dytë të gjithë kandidatëve dhe programeve të tyre për të kuptuar se çfarë mund të ndikojë në marrjen e vendimit për votën tuaj në mënyrë që të vendosni sipas kushteve tuaja.

Pa marrë parasysh se cilin kandidat apo cilën parti do të votoni – kjo është dytësore, sepse gjëja më e rëndësishme është të veproni – dhe të VOTONI!