Çfarë mund të thuhet për apokalipsin

Tani, pas zgjedhjes së Donald Trumpit, amerikanët ia bëjnë me gisht njëri-tjetrit dhe pyesin, kush është fajtor për këtë. Por këtu bëhet fjalë për gjëra që janë më të mëdha se pyetja kush do të bëhet president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara.

«Hedhja e fajit njëri-tjetrit është humbje kohe dhe energjie. Sepse për apokalipsin mund të thuhet një gjë: ai na godet të gjithëve», mendon Jeffrey Eugenides. Ilustrimi: Shutterstock

Këtu në Amerikë secili ia lë fajin tjetrit. Natën kur Donald Trumpi u zgjodh president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, një koleg shkrimtar me prejardhje koreane më dërgoi një SMS, në të cilin shkroi: «Po filloj t’i urrej të bardhët». Në radio dhe televizion dhe në gazeta po thuhet se përgjegjësinë për kthesën tronditëse e bart shumica e burrave të bardhë, të cilët kanë zgjedhur Trumpin, apo shumica e grave të bardha të martuara, të cilat iu bashkuan atyre, ose numri i vogël i grave në përgjithësi që votuan për Hillary Clinton, ose fakti se afro-amerikanët nuk vërshuan vendvotimet, siç kishin bërë për Obamën, ose «vigani i fjetur» elektoral latinoamerikan që nuk u zgjua nga gjumi. Të gjithë janë të shastisur, të gjithë bëjnë me gisht për të fajësuar tjetrin, dhe po ata zgjedhës të pjesës së poshtme të shtresës së mesme, të cilët më 2008 dhe 2012 përkrahën Obamën (dhe me të cilët atëbotë u treguan solidarë edhe liberalët e majtë), tani po hidhen në «koshin e të mjerëve», për të cilët kishte folur Clinton në një tubim elegant për mbledhje të donacioneve në New York.

Është bukur e habitshme që ne pas këtyre zgjedhjeve, të cilat për hulumtuesit e opinionit publik ishin një katastrofë, menjëherë po kapemi për anketat postelektorale për të kuptuar ç’domethënie kanë këto zgjedhje. Është e çuditshme sa shpejt disa duan që pas zgjedhjeve t’i ridefinojnë Shtetet e Bashkuara si fashiste, ndonëse Hillary Clinton humbi për një fije floku. Në Michigan asaj i munguan vetëm 12 mijë vota, në Wisconsin 27 mijë, dhe në përgjithësi ajo ka fituar shumicën e votave të zgjedhësve. Nëse gjërat do të kishin ecur vetëm pak më ndryshe, demokratët tani nuk do të duhej të kërkonin fajtorët, nuk do të duhej të qortonin njëri-tjetrin apo të tërhiqeshin në qoshe etnike.

Për këtë arsye dua që për një çast këtu t’i harroj shifrat dhe të propozojë një eksperiment mendimesh. Le t’i marrim me mend dy grupe zgjedhësish amerikanë, të themi njëri grup nga Brooklyn, tjetri nga shtresa punëtore në pjesën veriore e Midwestit, dhe të dy këto grupe në kinemanë lokale shikojnë filmin «The Hunger Games». Sot fiksionet distopike i joshin shumë njerëzit përtej çdo kampi politik, dhe pikërisht kështu qëndron puna edhe me personat me të cilët po bëjmë testin këtu. Ata nga Brooklyn e pëlqejnë «figurën kryesore të fuqishme dhe feminine» të filmit, të luajtur nga Jennifer Lawrence dhe në rrafshin teorik pajtohen me motivet e drejtësisë sociale, të cilat i karakterizon rrëfimi. Edhe punëtorët nga Midwesti e pëlqejnë Jennifer Lawrence. Por kurthi në të cilin ndodhet ajo – lufta për mbijetesë kundër vëllezërve dhe motrave të saja proletare për të argëtuar një elitë të përkëdhelur -, atyre nuk u duket si teori. Ata bash aty e shohin jetën e tyre.

Rrëfimet distopike sot janë të popullarizuara për shkak se prekin frikën e përgjithshme. A nuk e ndjeni edhe ju? Gumëzhimën e pahetueshme të apokalipsit që po na pret? Për herë të parë ne njerëzit si specie po e vërejmë se ekzistenca jonë në këtë planet është e padurueshme, rezultat i një historie reproduktive suksesi, e cila ishte aq gjithëpërfshirëse, saqë e kundërprovon darvinizmin dhe çon drejtpërdrejtë në zhdukjen tonë. Në rrafshin e kapshëm po zhvillohen luftëra, të cilat po i bëjnë të pastrehë pjesë të mëdha të popullsisë së botës. Sistemet fisnore dhe primitivizmat po forcohen, po aq sa planet për të ndërtuar mure.

Si grupi ynë nga Brooklyni ashtu edhe ai nga Midwesti po e ndjejnë këtë trazim. Si reagim kundër kësaj grupi nga Brooklyni i bashkohet lëvizjes «Occupy Wall Street», mbështet Bernie Sandersin dhe më vonë Hillary. Grupi proteston kundër dhunës vdekjeprurëse policore, angazhohet për të drejtat e homoseksualëve dhe të njerëzve transgjinorë, përkrahë energjinë e erës dhe solare dhe porosit rregullisht perime ekologjike.

Por për shtresën e punëtorëve nga Rust-Belt në pjesën e epërme të Midwest e gjithë kjo duket tepër e largët. Nga dritaret ata shohin fabrikat e rrënuara dhe ordinancat e metadonit në qendrat e qyteteve të tyre, ku dikur ishte banka apo barnatorja. Shokët e tyre të shkollës fillore qëmoti janë pensionistë të parakohshëm, të humbur apo të vdekur nga mbidoza e drogës. Dhe fëmijët e tyre kanë nevojë për ushqim dhe rrobe. Ata nuk shohin zgjidhje të plotë të këtyre problemeve, nuk shohin rrugëdalje apo, në kuptimin spiritual, nuk e shohin udhën që të çon në vatër. Dhe kur vjen në këto vise Donald Trumpi ata reagojnë në mënyrë instinktive dhe të papajtueshme, duke e zgjedhur Trumpin.

Të martën në mbrëmje ka ndodhur diçka që është më e madhe se zgjedhjet amerikane. Ishte tronditja më e re në krizën e vazhdueshme të kapitalizmit. Dhe kjo tronditje kërkon një reagim, i cili nuk i njollos njerëzit që punojnë, nga dëshpërimi i të cilëve ushqehet. Zgjedhjet qenë populliste, por s’kishte popullist për ta zgjedhur. Këto zgjedhje hodhën anash të dy partitë amerikane. Vetëm një parti që arrin t’i qaset punës kundër padrejtësive të mëdha ekonomike, do të ketë edhe forcën për të hequr padrejtësitë shoqërore.

Grupi nga Brooklyni, i cili e ka fort për zemër drejtësinë sociale, nuk është armiku i natyrshëm i shtresës së punëtorëve nga Midwesti. Me vende pune të dinjitetshme dhe me shansin për ardhmëri edhe njerëzit nga Midwesti do të pranonin gjithçka që synojnë banorët e Brooklynit, qoftë kjo martesa mes gjinive të njëjta, marrëveshja e Parisit për klimën apo zgjedhja e një presidenteje. Duke mos ia lënë fajin asnjërit grup nuk domethënë se askush nuk është fajtor. Domethënë se hedhja e fajit njëri-tjetrit është humbje kohe dhe energjie. Sepse për apokalipsin mund të thuhet një gjë: ai na godet të gjithëve.

Jeffrey Eugenides, lindur më 1960 në Detroit, fitoi çmimin Pulitzer për romanin e tij «Middlesex», i cili e bëri të popullarizuar në mbarë botën. Romani i tij i parë «Motrat vetëvrasëse» më 1999 u filmua nga Sofia Coppola. Eugenides ligjëron lëndën e shkrimit kreativ në Princeton University në New Jersey. Ky shkrim u botua në gazetën «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung».