Çfarë mund të mësojnë të rinjtë e Kosovës nga Brexiti?

Pleqtë kanë votuar, të rinjtë i bartin pasojat. Kështu bëri vaki në Britaninë e Madhe – dhe jo ndryshe funksionon politika në Kosovë.

Herën e fundit kur fluturova në Prishtinë pranë vetes kisha një çift diku mes të shtatëdhjetave. Ai ishte mësues, ajo amvise. S’kishin jetuar keq. Nga Ulqini në Portorozh i njihnin të gjitha plazhet. Flisnin për shtëpinë e mirë që e kanë në Bregun e Diellit dhe tregonin se kishin kaluar tre muaj te djali në Zvicër. Tani po ktheheshin në Prishtinë, ku gjatë verës herë do të vadisnin bahçen, herë do të shkonin në Ulqin e Durrës për t’u çlodhur, natyrisht nganjëherë edhe në Fishtë, te ai restoranti i mirë për të cilin flet mbarë Prishtina ose së paku ajo pjesa e kamur e Prishtinës. Pleq të lumtur. Me pensione (jo aq të mira) dhe me mbështetje bukur të majme financiare nga djali që punon në Zvicër.

Gjatë fluturimit natyrisht ra llafi edhe i politikës. Pleqve të lumtur u pengonte gazi lotsjellës i Vetëvendosjes dhe tregonin se votojnë njërën prej partive të mëdha që e ka sjellë Kosovën buzë greminës. Nuk ishin budallenj pleqtë. Ata e dinin mirë se partia për të cilën votonin është e korruptuar dhe e zhytur thellë në krim, por kjo parti atyre ua siguronte qetësinë sipërfaqësore. Andaj pleqtë merrnin pjesë rregullisht në zgjedhje, sepse dëshironin të jetonin në qetësi dhe në dëm të gjeneratës së re, e cila zemërohet në Facebook, por nuk merr pjesë në zgjedhje. Dy pleqtë e Prishtinës ndërsa shijonin pijet në avion (plaku birrë, plaka lëng domatesh), thoshin: «Ndoshta jetojmë edhe 10 vjet, më së shumti. Përse t’ia prishim vetes rehatinë duke votuar për parti të tjera».

I njëjti fenomen është regjistruar edhe në Britaninë e Madhe me rastin e votimit për Brexit, për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Pleqtë kanë marrë pjesë në referendum dhe shumica e tyre kanë votuar për «exit», për dalje nga BE, sepse kështu kanë shpresuar se do të ruajnë privilegjet e tyre. Të rinjtë britanikë të enjten e kaluar ose kanë qëndruar në shtëpi, ose e kanë kaluar ditën në Facebook dhe Twitter. Kur Brexiti u bë realitet, nisi gjëma e madhe në Twitter. Na e keni grabitur ardhmërinë, pleq të mallkuar, thuhej në botën virtuale. Ju do të jetoni edhe 10 vjet me pasojat e këtij vendimi, ndërsa ne tërë jetën. Ju, egoistë e matufë, i keni mbrojtur interesat tuaja, ndërsa ne as tonat, as të fëmijëve tanë.

Ankesat e tilla janë qesharake. Pse? Sepse gjenerata e re në Europë mendon se jeta fillon e mbaron në Facebook dhe jo në kutinë e votimit. Pas miratimit të Brexitit shumë të rinj britanikë e kuptuan se pasojat duhet t’i bartin ata vetë, ndërsa pleqtë do të kontrabandohen disi, kuptohet me pensione të mira. Kur e panë se mbështetësit e Brexitit nuk kanë asnjë plan për të ardhmen pasbrexitiane, të rinjtë filluan të mobilizohen. Po nënshkruajnë një peticion online, po e mallkojnë Boris Johnsonin, i cili pasi kaloi referendumi u tha gazetarëve se nuk kishte kohë të shpjegonte si do të ecin punët e Britanisë së Madhe në të ardhmen, sepse po ngutej të shkonte të luajë kriket. Nacionalisti Nigel Farage i kishte gënjyer britanikët se Londra çdo javë paguante 350 milionë funte në arkën e Brukselit. Këto para, thoshte Farage, mund t’i investojmë në sistemin shëndetësor. Kur kaloi Brexiti, Farage tha se nuk i kujtohej të kishte premtuar se do të investoheshin 350 milionë funte në sistemin shëndetësor. Ditën e mirë, rini naive.

Nga kjo përvojë duhet të mësojnë edhe të rinjtë e Kosovës. Në ditën e zgjedhjeve po qëndruat në shtëpi, atëherë për fatin tuaj do të vendosin të tjerët, kryesisht gjeneratat e vjetra, të cilat pasi të vaditin bahçen nuk do të harrojnë të votojnë.

Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje ka qenë përherë temë diskutimi në Kosovë që nga viti 1999. Gati gjysma e votuesve abstenojnë, ndërsa diaspora gati e ka të pamundshme të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të barrierave burokratike. Rrjedhimisht, nuk është për t’u befasuar që gjeneratat mbi 50 vjeçare vendosin kush do të sundojë Kosovën, ndërsa ky vend dallohet për popullsinë më të re në Europë. Brexiti është një leksion i mirë jo vetëm për të rinjtë e Britanisë së Madhe, por edhe për gjeneratat e reja në Kosovë, në Maqedoninë shqiptare dhe në Shqipëri.