Çfarë mësuam nga këto zgjedhje?

Gara e ngushtë në shumë komuna tregon se – me të vërtetë – çdo votë është e rëndësishme. Këtu shihet vlera e vërtetë e demokracisë. Partitë e ashtuquajtura të mëdha nuk kanë arsye të festojnë aq, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje duhet të dalë pak nga Facebooku për të parë realitetin.



I.
Kush nuk voton, ai ose ajo pret që të tjerët të vendosin për të. Të mos votosh prapë ka ndikim në rezultatin zgjedhor. Nëse shumë njerëz nuk marrin pjesë në zgjedhje, atëherë edhe legjitimiteti i fituesve është i zbehtë. Megjithatë, fitorja është fitore, s’ka rëndësi juridike numri i pjesëmarrësve në zgjedhje. Duke pasur parasysh faktin se Kosova prej muajsh gjendet në një fushatë permanente zgjedhore, lodhja e njerëzve nuk duhet të befasojë askënd, andaj pjesëmarrja në garën elektorale të dielën ishte e kënaqshme. Gara e ngushtë në shumë komuna tregon se – me të vërtetë – çdo votë është e rëndësishme. Këtu shihet vlera e vërtetë e demokracisë. Në këtë kuptim zgjedhjet e së dielës janë një hap përpara sa i përket rritjes së cilësisë së procesit zgjedhor.

II.
Zgjedhjet lokale treguan – dhe kjo është ana negative – se Kosova mbetet e zhytur thellë në polarizim politik, në luftëra speciale mediale, në moçal shpifjesh, në «lajme» të porositura, në fushata madje raciste, inskenime, lansim aferash të paqena, me një fjalë: Kosova është viktimë e «fake news». Pjesëmarrja e shumë mediave në shkaktimin e tensioneve me lajme të rrejshme është pasqyrë e keqe dhe e dëmton seriozisht vetë profesionin e gazetarëve. Çdo medium ka të drejtë të anojë, të përkrahë një palë kundër palës tjetër, këtu s’ka fare asnjë problem, por këto zgjedhje (dhe ato parlamentare të 11 qershorit) shpërfaqën një defekt të madh: shpesh «gazetarët» nuk dallonin nga militantët partiakë. Stilizimi i zgjedhjeve si betejë për jetë a vdekje, neverit votuesit, por edhe lexuesit, për vëmendjen e të cilëve luftojnë mediat.

III.
Partitë e ashtuquajtura të mëdha nuk kanë arsye të festojnë aq. Lidhja Demokratike e Kosovës ruajti disa komuna të rëndësishme, por në Gjakovë dhe në Prizren është pothuaj e parëndësishme. Në Mitrovicë LDK ishte pa shans fare, në Ferizaj humbi. Në Prishtinë mbetet të shihet, sepse rezultati nuk është ende përfundimtar. Në Kamenicë LDK ka humbur bindshëm. Debakli i Partisë Demokratike ka filluar që më 11 qershor dhe vazhdoi edhe gjatë zgjedhjeve lokale. Disfata e sërishme e PDK-së në Mitrovicë, rreziku për humbjen e Prizrenit, humbja e Vushtrrisë, Rahovecit dhe Klinës, dorëzimi i Skenderajt janë një karton i kuq që elektorati anekënd po ia jep kësaj partie. Megjithatë, nuk duhet nënçmuar aftësinë e PDK-së për të befasuar edhe në situata të vështira. Në Prizren ajo arriti të gjejë një kandidat të pranueshëm dhe kështu ndikoi që të harrohet qeverisja e deritanishme, e cila assesi nuk ka qenë për mashalla. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në Gjakovë edhe për shkak se kryetarja aktuale deri para disa muajsh ishte me dy mendje: të vazhdojë karrierën politike në Prishtinë apo në Gjakovë. Në këtë qytet AAK pas ardhjes në pushtet në nivel qendror arriti të vë në lëvizje shumë mekanizma shtetërorë për të shënuar fitore. Kjo pati sukses. Nuk duhet nënçmuar as fitoren e AAK-së në një bastion të dikurshëm të LDK-së siç është Suhareka dhe fitoren në Rahovec.

IV.
Si parti antiestablishment Lëvizja Vetëvendosje ishte e sfiduar nga dy partitë «e mëdha»: LDK dhe PDK. Këto parti kanë qeverisur gjatë bashkë dhe përkundër akuzave brutale që ia bëjnë njëra-tjetrës për poenë politikë, shpesh kanë gjetur gjuhë të përbashkët dhe kanë bashkëpunuar ngushtë. Nëse VV fiton Prishtinën dhe Prizrenin (kjo do të merret vesh në ditët në vijim), atëherë ky do të ishte një rezultat spektakular. Gjasat për këtë janë të mëdha. Triumfi në Kamenicë ka një anë simpatike: fituesi është një politikan i ri që pushtoi zemrat e shumë zgjedhësve në një komunë të lënë totalisht anash deri më tani. Ndërsa partitë e mëdha janë kujdesur që autostradat e Kosovës t’i projektojnë nëpër arat dhe fushat e tyre, Anamorava ka mbetur një zorrë qorre dhe mbijeton kryesisht vetëm falë diasporës. Zgjedhjet lokale i dërguan një mesazh të qartë Vetëvendosjes: zemrat e votuesve nuk mund të fitohen më me fushatë e me propagandë kryesisht në Facebook. Në rastin e Prishtinës u pa që vetëm koalicioni me një parti private e shpëtoi Lëvizjen Vetëvendosje nga distafa. Këtë porosi duhet ta kuptojë mirë kryetari i deritanishëm i Prishtinës. Në përgjithësi VV në shumë komuna nuk kishte kandidatë të duhur, madje kishte edhe të tillë që më shumë prodhuan lajme mediale me llafe koti për konflikte në Lindjen e Afërt dhe me takime me imamë në Gjilan, thua se mileti po zgjidhte këshillin e ylemave dhe jo pushtetin komunal.