Çfarë kërkon Amerika nga Serbia? Ambasadori i Washingtonit në Beograd përgjigjet

Serbia duhet të qartësojë qëndrimin e saj ndaj Rusisë nëse synon të anëtarësohet në BE. Beogradi nuk mund t’i ofrojë imunitet diplomatik «punëtorëve humanitarë» rusë në Nish. Gjenerata të tëra të shqiptarëve kanë kërkuar pavarësi për shkak se Beogradi nuk i ka marrë parasysh nevojat e tyre. Ushtria e Kosovës nuk paraqet rrezik për askënd. Ambasadori amerikan në Beograd Kyle Scott ka folur hapur për gazetën «Blic» lidhur me marrëdhëniet amerikano-serbe.

Nga Moska apo nga Perëndimi: Ambasadori amerikan Kyle Scott gjatë një takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.



Kyle Scott është diplomat i karrierës dhe që nga fillimi i shkurtit të vitit 2016 ai shërben si ambasador në Republikën e Serbisë. Scott flet pothuaj pa gabime serbisht, është njohës i shquar i historisë së rajonit dhe Europës dhe ka një përvojë të gjatë në shumë organizata ndërkombëtare. Që në vitet ’80 Scott ka shërbyer si zyrtar konsullor në Zagreb. (Atëbotë SHBA-të kishin konsullatë në kryeqytetin kroat). Scott ka ushtruar detyra të ndryshme në diplomacinë amerikane si konsull i përgjithshëm i SHBA-ve në Milano, drejtor i Zyrës për Çështje të Rusisë në Zyrën e Departamentit të Shtetit për Punë të Euroazisë, zëvendësshef i misionit të SHBA-ve pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), këshilltar politik në ambasadën e SHBA-ve në Hungari dhe oficer politik në ambasadën amerikane në Moskë. Përveç serbishtes Scott flet edhe rusisht, italisht, hungarisht, hebraisht, gjermanisht dhe frëngjisht.

Ndonëse diplomat i karrierës Scott nuk ngurron të flasë hapur për problemet në marrëdhëniet mes Washingtonit dhe Beogradit. Gjatë vjeshtës, kur ministri nacionalist i Mbrojtjes i Serbisë Aleksandar Vullin, lavdëroi kriminelët e luftës, përfshirë edhe një gjeneral të dënuar për krimet e luftës në Kosovë, Scott tha se kjo sjellje e Vullinit dëmton imazhin e Serbisë. Reagimet në Serbi ishin të rëndomta: Vullin pyeti nëse ambasadori pret që ai të falënderohet për bombardimet, ndërsa ministri i Jashtëm Ivica Daçiq, i cili shpesh sillet sikur Serbia të jetë superfuqi, tha se Scott nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të Serbisë, sepse as diplomatët serbë nuk përzihen në politikën e brendshme amerikane.

Përkundër këtyre deklaratave Scott ka folur sërish – në numrin e vitit të ri të gazetës «Blic». Ai ka hedhur poshtë një tezë propagandistike serbe se ishte Perëndimi që shkatërroi Jugosllavinë: «Mendoj se keqkuptimi (mes Amerikës dhe Serbisë, v.j.) fillon nga vitet ’90 të shekullit të kaluar. Duhet pasur parasysh se as Amerika, as NATO nuk e kanë nisur konfliktin e përgjakshëm në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Ne u kyçëm tek kur popujt e Jugosllavisë treguan se janë të paaftë të zgjidhin konfliktin. Në këtë kuptim nuk shoh shumë dobi që gishti të drejtohet ndaj atij që nuk është fajtor». Sa i përket Kosovës Scott tha se nuk mendon që Ushtria e ardhshme e Kosovës paraqet ndonjë problem. «Nuk e kuptoj përse Ushtria e Kosovës do të ishte kërcënim më i madh se sa janë, për shembull, Ushtria e Serbisë, e Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë, Bullgarisë… (…) Ajo (Ushtria e Kosovës) duhet të formohet në kuadër të Kushtetutës së Kosovës e kjo kërkon konsultimin e të gjithë popujve që jetojnë atje. Ne e përkrahim pavarësinë e Kosovës dhe çdo shtet ka të drejtë në zgjedhjen e partnerit strategjik dhe që brenda territorit të vet të formojë forcat e sigurisë, por kjo kërkon pajtimin e të gjithë popujve që jetojnë në Kosovë».

Scott foli edhe për historikun e konfliktit të Kosovës: «Pajtohem me presidentin Aleksandar Vuçiq se në Serbi ka shumë mite lidhur me Kosovën. Nuk kontestohet se Kosova ka luajtur një rol të madh historik e kulturor në jetën e serbëve, por po ashtu nuk mund të mohohet se Kosova me breza të tërë ka popullatë shumicë shqiptare e jo serbe. Mund të mos pajtohemi me atë se çfarë ka ndodhur në vitet ‘90, por mendoj se shumica e popullit qartë ka kërkuar pavarësi duke menduar se Beogradi nuk po err parasysh nevojat e tij». Scott paralajmëroi se udhëheqjet a Beogradit e të Prishtinës i presin vendime të vështira. «Mendoj se dialogu i brendshëm që e ka iniciuar Vuçiq për çështjen e Kosovës do të sjellë debat të hapur për të dhe do të përpunojë opsione ashtu që marrëdhëniet të normalizohen në të ardhmen. Natyrisht se do të jetë vështirë të arrihet te përgjigja e drejtë, por mendoj se ky dialog dhe ai në Bruksel duhet të japin kontributin e zgjidhjes dhe se udhëheqjet a Beogradit e të Prishtinës i presin vendime të vështira. Të vetmen zgjidhje stabile dhe afatgjatë do ta sjellin bisedimet dhe marrëveshja e drejtpërdrejtë ndërmjet serbëve e shqiptarëve përfshirë dhe dialogun Brukselit të cilën përkrahim», nënvizoi Scott.

Ambasadori Scott bëri thirrje që Serbia të qartësojë qëndrimin e saj ndaj Rusisë nëse synon të hyjë në BE. Konkretisht ai përmendi rastin e të ashtuquajturës Qendër Humanitare Ruso-Serbe në Nish, jo larg kufirit me Kosovën. Moska ka kohë që kërkon që Beogradi t’u ofrojë imunitet diplomatik «punëtorëve humanitarë» rusë në Nish. Scott tha se debati është ndezur për shkak se pala ruse po kërkon që zjarrfikësit të kenë imunitet diplomatik dhe territorial. «Kjo nuk është normale. Edhe ne, edhe udhëheqja e Serbisë, do të duhej të pyeteshim pse kjo është kaq e rëndësishme për Moskën dhe pse rusët e kërkojnë këtë. Çfarë themi ne? Serbia duhet të jetë e kujdesshme dhe e dyshimtë sepse kjo kërkesë nuk është në rregull. Ne vazhdojmë të kemi dyshime dhe të pyesim cilët janë qëllimet finale për dhënien eventuale të statusit diplomatik të kësaj qendre në Nish». Një imunitet të tillë nuk e kanë ushtarët e NATO-s, të cilët herë pas here qëndrojnë në Serbi, tha Scott.

Diplomati amerikan tha se serbët me gjasë kanë pasur pritje të mëdha se pas fitores së Donald Trumpit politika amerikane ndaj Ballkanit do të ndryshojë. «Ndoshta këto pritje janë tepër të mëdha sepse të gjitha shtetet politikën e bazojnë në interesa dhe nuk ka ndryshime thelbësore as në administratën e presidentit Trump, e cila është e përkushtuar ndaj rëndësisë së Europës dhe integrimit të plotë të Serbisë në BE». Në tetor të vitt 2016, pak ditë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, revista serbe «Nedeljnik» njoftoi ekskluzivisht ballinë se kishte zhvilluar intervistë me kandidatin republikan për president Donald Trump dhe me atë rast Trump i paskësh kërkuar falje Serbisë për bombardimet e vitit 1999. Menjëherë nga shtabi zgjedhor i Trumpit u tha se intervista nuk ishte zhvilluar kurrë dhe gjithçka ishte shpifje.