Çfarë e bën Zvicrën më inovativen në botë?

Në rangimin e ri të Forumit Botëror Ekonomik Zvicra i lë pas vetes 137 vende. Ajo mbetet vendi me aftësinë më të lartë konkurruese në botë.

Globi i shkencës dhe inovacionit, Gjenevë. BarryTuck / Shutterstock.com

Për të tetin vit me radhë Zvicra shpallet vendi më i zot për konkurrencë i botës. Ky është gjithsesi përfundimi i studimit vjetor të Forumit Botëror Ekonomik. Pas saj vijnë Singapori dhe SHBA-të. Për më tepër, në krahasim me një vit më parë, Zvicra e ka përsosur akoma më shumë performancën e saj. Që nga instalimi i metodologjisë së re të vlerësimit, nga 1 deri në 7 pikë, Zvicra e ka mesataren 5,8. Dhe, ky është maksimumi i arritur ndonjëherë. Në konkurrencë për studimin e fundit ishin 138 vende vlerësuar në këndvështrim të 12 kategorive kryesore.

Dhe, Zvicra prin në katër nga dymbëdhjetë kategoritë e vlerësimit. Në njëmbëdhjetë kategori ajo është në top-10. E vetmja ku ajo për shkak të natyrës ndahet krahasimisht keq – e 39-ta nga 139 vendet – është madhësia e tregut. Ajo është maja në eficiencën e tregut të punës, në ambientin direkt të biznesit, në modelin e biznesit të ndërmarrjeve, në inovacion dhe, për herë të parë, në gatishmërinë teknologjike. Fundja, Zvicra e ka një ndër ekosistemet më të frytshme të inovacionit, e transmetojnë mediat zvicerane agjencinë e tyre të lajmeve, sda.

Sistemi politik dhe infrastruktura në përgjithësi janë nxitëse, shkollat e larta dhe universitetet janë të shkëlqyeshme. Njëkohësisht Zvicra i tërheq talentet më të mëdha. Një përparësi për vendin përbëjnë edhe koncernet e mëdha, dendësia e rrjetit të ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla, si dhe bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet shkencës dhe ekonomisë. Disavantazhe të Zvicrës janë deflacioni dhe mungesa e konkurrencës, shkruan raporti. Për më tepër, ekzistojnë akoma barriera për themelimin e firmave, barriera relativisht të larta për qasje në tregun e vendit dhe përfaqësimi krahasimisht i ulët i grave në tregun e punës.

Përparime në aftësinë konkurruese kanë arritur Holanda, e cila e ka spostuar Gjermaninë nga vendi i katërt. Një kalim prej tre vendesh ka bërë Suedia, duke dalë në vendin e gjashtë dhe Britania e Madhe, e cila pozicionohet në vendin e shtatë. Ndonëse ky vlerësim iu refrohet të dhënave para Brexitit. Vendet jugore dhe lindore ngelin relativisht larg top-10-ës. Spanja ka avansuar për një vend dhe pozicionohet e 32-ta, kurse Italia ka shkuar një vend mrapa dhe del e 44-tra. Portulalia ka rrëshqitur për tetë vende, duke rënë në pozitën e 46-të. Greqia ka rënë për pesë pozita dhe zë vendin e 86-të. ks