Çfarë heronj u duhen shqiptarëve?

Nuk është hero, as viktimë ai që plaçkit vendin. Heronj janë qytetarët e lirë, të cilët bëjnë ndryshime të mëdha e pozitive, duke e bërë të mundshëm një shtet funksional dhe social. Poshtërim i një shoqërie nuk është vetëm kur atë e plaçkitin politikanët, siç ndodh në Kosovë që nga viti 1999. Poshtërim është kur kjo vjedhje masive mbulohet me përmendore heronjsh, me «akademi përkujtimore» mbi «epopetë» dhe «betejat legjendare» ose me rendimente mariuane si në Shqipëri.

Foto: Shutterstock



«Mjerë ai vend, të cilit i duhen heronj». Kjo fjali rrjedh nga pjesa teatrale «Jeta e Galileut» e Bertolt Brechtit. Pasi Galileu i është nënshtruar inkuizicionit, nxënësi i tij Andrea Sarti i tronditur thotë: «Mjerë ai vend që s’ka heronj!» Por, Galileu është i bindur në të kundërtën: «Jo. Mjerë ai vend, të cilit i duhen heronj». Çfarë dëshiron të thotë Brechti me këtë? Shkrimtari gjerman nuk ishte naiv. Ai e dinte se heronjtë i lënë përshtypje çdo shoqërie. Ata ngriten në piedestalin e vendit dhe populli duartroket, brohorit dhe është krenar për «bijtë dhe bijat e tij», kur arrijnë sukses në sport dhe në luftë, në beteja të shkencës dhe infrastrukturës. Brecht e kishte fjalën për shoqëritë e shtypura, të papjekura, të pakonsoliduara, të cilat në mungesë të demokracisë dhe shtetit funksional kultivojnë kultin e tepërt të heroit dhe shpresojnë se kështu më lehtë zgjidhen problemet. Ky fenomen ka qenë gjerësisht i përhapur në botën sovjetike: nga Moska në Siberi kishte aq shumë buste, përmendore e pllaka përkujtimore, saqë vizitorët mbesnin të habitur nga kjo hije e historisë.

Shtetet totalitare mungesën e mirëqenies përpiqen ta fshehin pas përmendoreve. Fenomeni sovjetik i përmendoreve përfshiu edhe vendet e Europës Lindore – nga Gjermania Lindore deri në Shqipëri prej vitit 1945 deri në vitin 1989, kur u rrëzua Muri i Berlinit. Chemnitzi gjerman u bë Karl-Marx-Stadt (Qyteti Karl Marx), ndërsa Kuçova shqiptare mori emrin Qyteti Stalin. Asgjë kundër Marxit, por mund të merret me mend si do të ishte ndier filozofi dhe ekonomisti gjerman po të kishte parë me sytë e tij se si po ia keqpërdorin emrin komunistët mizorë si Todor Zhivkov, Koçi Xoxe, Nikollai Çaushesku.

Kjo periudhë ka lënë gjurmë negative në shumë shoqëri të Europës Lindore. Ta zëmë te shqiptarët. Ndërsa gjatë sundimit komunist në Shqipëri si heronj konsideroheshin Enver Hoxha dhe banda e tij e vrasësve, në vitet ’90 hero u bë skafisti, trafikanti i drogës, i forti i tipit të Zani Çaushi, i cili në vitin 1997, kur pothuaj të gjitha institucionet e shtetit shqiptar u rrëzuan si kulla prej letre, ishte ai që me kallashnikov në dorë dhe me bandën e tij luante rolin e truprojës së kryeministrit italian Romano Prodit kur ai erdhi në Vlorë për të qetësuar shpirtrat e trazuar që kishin humbur kursimet në lojërat fantastike të kapitalizmit të egër të versionit shqiptar.

Dy dekada më vonë Shqipëria ende nuk ka arritur të shkëputet nga ky tip i heroit. Ministra e zyrtarë të lartë të shtetit vazhdojnë të mbajnë lidhje me baronë të krimit të organizuar, të ndërtojnë skema korruptive, të keqpërdorin tenderë për t’u pasuruar pa fund. Të tillët qëndrojnë në pozitat më të larta të shtetit.

E tepërt të thuhet se heronj të tillë janë tragjedia e Shqipërisë. Sundimi i tyre ka shkaktuar një fatkeqësi, për të cilën do të duhej të flisnin sidomos demografët: Shqipëria po shpopullohet qe 25 vjet dhe trendi po shënon rritje sidomos viteve të fundit. Po ikin shqiptarët për shkak se nuk po shohin si hero një prokuror që e merr punën seriozisht, nuk po shohin një ekonomist që menaxhon arkën e shtetit si duhet, nuk po shohin rektorë universitetesh që e kryejnë me nder punën, drejtorë administrate dhe shefa kadastri që zbatojnë ligjin. Nëse këta do të kryenin punën si duhet, do të ishin heronj. Jo heronj që me mendjelehtësi hidhen në zjarr e beteja, por heronj kritikë, qytetarë të pjekur, të gatshëm për të kundërshtuar me mendje dhe jo me fuqinë e muskujve.

«Nëse poshtërimi vazhdimisht është fati ynë, atëherë me të duhet të përballemi me krenari!», shkruan Stefan Zweig. Kjo është një e vërtetë universale që duhet të përvetësohet edhe nga shqiptarët. Poshtërim i një shoqërie nuk është vetëm kur atë e plaçkitin politikanët, siç ka ndodhur në Kosovë që nga vitit 1999. Poshtërim është kur kjo vjedhje masive mbulohet me përmendore heronjsh, me «akademi përkujtimore» mbi «epopetë» dhe «betejat legjendare». Vërtet beson dikush me mendje të kthjellët se aeroportit të Prishtinës ia kenë vënë emrin «Adem Jashari» për të respektuar Adem Jasharin? Emri i tij është vetëm një çek blanko për ta dhënë me koncesion me kushte skandaloze limanin ajror të Kosovës dhe për ta bërë çerdhe të nepotizmit.

Vërtet beson dikush me mendje të shëndoshë se kanë dashur ta nderojnë Ibrahim Rugovën kur autostradës nga Vërmica në Merdarë ia kanë vënë emrin e tij? Emri i Ibrahim Rugovës vetëm figuron në kontrata që s’i ka parë shoqëria e Kosovës dhe të cilat kanë shërbyer për një plaçkitje kolosale të buxhetit të Kosovës. A e di ndokush sa ka kushtuar vërtet kjo autostradë? Në fillim thuhej: rreth 450 milionë euro, tani flitet për rreth 900? Hero sot në Kosovë do të ishte një prokuror që fillon hetimet për këtë skandal të madh. Në mungesë të heronjve të tillë mediat e sistemit dhe militantët partiakë përpiqen ta bëjnë hero dhe viktimë njëkohësisht, për shembull, Sami Lushtakun, një ndër figurat më të dëmshme të politikës në Kosovën e pasluftës. Pasi falë «meritave të luftës» është bërë njëri nga pasanikët më të mëdhenj të Kosovës, Lushtakut tani duhet t’i jepet edhe dekorata e viktimës, e cila e shfajëson nga të gjitha dyshimet për pasurim të paligjshëm, kërcënim gazetarësh e deputetësh, fyerje vulgare.

Në një shoqëri të shtypur dhe jodemokratike, ku deputeti blihet si kafsha në pazar, ka lloj-lloj formash të lirisë. Vaclav Haveli thoshte se liri domethënë edhe kur të lejojnë të shkopsitësh këmishën para se të varin në litar. Në viset tona shqiptare disa lirinë e kuptojnë si liri për të lavdëruar kriminelët edhe të korruptuarit. Me heronj të tillë s’ka ardhmëri. Nuk është aspak rastësi që Sami Lushtaku është qytetar nderi i Vlorës. Nuk është as Ibrahim Rugova, as Gazmend Zajmi, as Esad Mekuli, as Dervish Rozhaja, as Fehmi Agani.