Çfarë e pret tani Britaninë e Madhe?

Ekonomisti Alban Nevzati nga Shoqata Financiare Zvicerano-Shqiptare (http://safassociation.ch/) analizon pasojat e Brexitit për Britaninë e Madhe.

Foto: Shutterstock

Reagimet e para ndaj lajmit për Brexit në tregjet financiare shihen te tregtia me valuta, të cilat tregtohen brenda 24 orëve. Jeni japonez, dollari amerikan dhe frangu zviceran, të cilat shihen si valuta për të strehuar paratë, kanë shtuar dukshëm vlerën e tyre në raport me funtën britanike. Rritja e vlerës së frangut mund ta detyrojë Bankën Kombëtare të Zvicrës të intervenojë në tregjet valutore dhe të ndikojë që niveli i kamatave të jetë edhe më negativ.

Pas hapjes së tregjeve europiane në tregjet e aksioneve po shihet një ditë me shifra të kuqe, domethënë negative. Më së shumti do të pësojë indeksi britanik i aksioneve FTSE. Por edhe tregjet e mëdha europiane dhe tregu i SHBA-ve me gjasë duhet të bëjnë zhvlerësime të mëdha. Tregjet e aksioneve, të cilat tashmë janë të goditura, do të kenë nevojë për pak kohë ndërsa të qetësohen pas referendumit të djeshëm. Vendimi britanik ka pasoja të mëdha për këtë vend dhe për Bashkimin Europian.

Pas dorëheqjes së kryeministrit David Cameron do të zgjidhet një lidership i ri në Britaninë e Madhe. Kjo do të ndodhë dikur në vjeshtë të këtij viti. Negociatat për largimin nga Bashkimi Europian do të fillojnë sipas të gjitha gjasave vetëm pasi të instalohet një udhëheqje e re në Downing Street 10. Deri më tani, Boris Johnson (prijës i kundërshtarëve të BE-së) dhe dhe Theresa May (një euroskeptike) janë dy përfaqësuesit më prominent për udhëheqjen e re britanike.

Duke pasur parasysh turbulencat në tregjet globale dhe pasigurinë e krijuar për të ardhmen ekonomike të vendit, prioriteti kryesor për Cameronin është krijimi i një stabiliteti afatshkurtër.

Kryeministri i ardhshëm do të jetë ai që do të meret me ekzekutimin e artikullit 50 të Kontratës së BE-së, i cili ka pasoja tejet negative në fuqinë negociuse të Britanisë së Madhe karshi Bashkimit Europian. Sidoqoftë, negociatat të cilat do t’i udhëheq ndonjëri nga euroskeptikët, nuk do të jenë të lehta pasi që shumica e reprezentuesve në House of Commons (dhoma më e madhe e parlamentit britanik) janë përkrahës së qëndrimit në Bashkimin Europian. Një dalje e «butë» do të ishte për momentin opsioni më i preferuar i atyre që kundërshtuan Brexitin. Dalja e butë do të thoshte një vazhdim i lëvizjes së lirë të punëtorëve, kontribute buxhetore në Bashkimin Europian. Mirëpo, presioni publik brenda Britanisë së Madhe tani më është i madh dhe një dalje e tillë është gati e pamundur. Por, as euroskeptiket nuk e kanë ndonjë strategji të qartë se si do të dilet tani më nga BE. Disa nga përfaqësuesit kërkojnë një mbyllje unilaterale të tregut të punës deri sa arrihet një marrëveshje me Brukselin.

Impakti makroekonomik për momentin është ende i paqartë dhe varet nga marrëveshjet mes Londrës dhe Brukselit. Në qoftë se nuk arrihet ndonjë marrëveshje, atëherë do të vendosen barriera tregtare. Ndikimi në rritjen ekonomike të Britanisë së Madhe do të ishte negativ për shkak të mungesave të investimeve të huaja, si dhe ndikimit nga pengesat në eksport të mallërave dhe vështirësitë të importimit të artikujve konsumues. Analistët e ndryshëm e shohin një ndikim në bruto produkti vendor të briatnisë së Madhe në përmasa prej +1.5 për qind deri më -14 për qind, ku shumica e parashikimeve sillën rreth -2 për qind për qind rënie në GDP. Kjo do të jetë më së shumti pasojë e rënies së mundshme të eksporteve britanike në BE si dhe largimit të pjesërishëm të korporateve eurupiane nga Britania e Madhe.

Po ashtu mungesa e fuqisë së lirë punëtore nga migrantët do të ketë një impakt negativ në makroekonominë britanike. Kjo do të çojë në njërën anë në relaksim të uljeve të rrogave, mirëpo në anën tjetër edhe në rënie të kërkesave për banim, gjë që shpien në rënie të çmimeve të pronave për banim. Vlera e pasurisë së qytetarëve britanik do të bie dhe fuqia e tyre blerëse do të jetë më e vogël në krahasim me ditët para largimit nga BE.