Ç’është puna e megabombës së re amerikane?

«Nëna e të gjitha bombave» krijon një krater prej 150 metrash dhe kushton 14 milionë dollarë. Ja disa fakte që media zvicerane i sjellin këto ditë pas përdorimit të saj së fundmi në Afganistan.

Fouad A. Saad / Shutterstock



Për herë të parë SHBA-të e kanë përdorur një bombë të tipit GBU-43/B në një provincë afgane. Ajo është bomba më e madhe jonukleare që është përdorur ndonjëherë në një luftë.

Trupi i saj shpërthyes është mbi 9 mentra i gjatë dhe ka një diametër prej 103 centimetrave. Ai ngërthen në vete 8’500 kilogram substancë shpërthyese, që i bie një fuqi shpërthyese prej 11 tonë dinamit. Vetëm për krahasim: Forca shpërthyese e bombës së Hiroshimës deklarohet të ketë qenë 15 tonë dinamit. Kostoja e kësaj bombe shkon në 14 milionë dollarë.

«Massive Ordnance Air Blast», është emri i saj i vërtetë dhe do do të thotë «Mbrojtje masive për sulme ajrore». Në zhargonin ushtarak ajo quhet «Nëna e të gjitha bombave». Ky është një aluzion i asaj që në luftën e Gjirit Persik, Sadam Huseini e quante «Nëna e të gjitha betejave».

Bomba hidhet nga një lartësi e madhe nga avioni. Një parashutë e nxjerr atë nga maqina dhe më pas lëshohet. Përmes GPS-it ajo mund të komandohet saktësisht te caku. Vetëm se për hedhjen e saj duhet një avion special transportues, bombardues të zakonshëm nuk mund ta transportojnë «Nënën e të gjitha bombave». Në rastin e Afganistanit atë e ka gjuajtur një maqinë transportuese MC-130.

Bomba nuk shpërthen kur prek tokën, sikurse të tjerat, por shkurt më parë. Kështu krijohet një valë e madhe presioni, e cila mund ta shkatërrojë një sipërfaqe prej dhjetëra kilometrash katrorë. Vetëm krakteri që krijon ajo pas goditjes shkon në një madhësi prej 150 metrash. Guvernatori i provincës ku ka rënë bomba në Afganistan është shprehur se eksplozioni i krijuar nga bomba është më i madhi, të cilin e ka dëgjuar ndonjeherë. Për më tepër kishte shpërthyer një zjarr i madh.

Gjëra të ngjashme janë provuar në një test të bombës në Florida. Atje eksplodimi ishte dëgjuar në një largësi prej 32 kilometrash, kurse kërpurdha e tymit kishte qenë rreth 3’000 metra e lartë. Specialistët e armatimit thonë se asgjësim të tillë mund të shkaktojë edhe një avion i mbushur plot.

Për shkak të madhësisë dhe fuqisë shkatërruese, bomba nuk përshtatet për caqe të vogla. Ajo është zhvilluar për përdorim në raste të koncentrimit të trupave dhe për bunkerë. Atëbotë SHBA-të, nën  George W. Bush, kërkonin një bombë më të fortë se ajo BLU-82. Bomba është testuar me sukses më 2003, por nuk është përdorur asnjëherë deri më tani.

Me këtë përdorim të «Nënës së të gjitha bombave» në Afganistan janë vrarë së paku 36 ushtarë të ISIS-it.

Ajo llogaritet para së gjithash si një mjet i luftës psikologjike. Derisa amerikanët e kanë zhvilluar «Nënën e të gjitha bombave», rusët pretendojnë «Babën e të gjitha bombave». Ata madje flasin për një fuqi shpërthyese prej 44 tonë dinamiti. ks