Çelaj njofton për hartimin e strategjisë së ekzekutimit të sanksioneve penale

Zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj sot ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga zyra Rajonale ne Prizren ku u diskutua tema rreth shqiptimit dhe ekzekutimit të masave dhe dënimeve alternative në katër vitet e fundit.




Në fjalën e tij para të pranishmëve, zëvendësministri Çelaj tha se duke e parë rëndësinë e Shërbimit Sprovues dhe përmes ndryshimeve që janë bërë në Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale e ka ngritur këtë shërbim në organ qendror të administratës shtetërore, duke e bërë një shtrirje operacionale të zyrave rajonale në të gjitha regjionet dhe duke i dhënë kompetenca Drejtorisë së Përgjithshme, me qëllim të ngritjes së cilësisë së punës dhe profesionalizmit të zyrtarëve Sprovues, por edhe të krijohet një bashkëpunim me i ngushtë mes gjykatave, prokurorive dhe SHSK-së.

«Meqenëse misioni i SHSK-se është ngritja e vetëdijes shoqërore për humanizmin e ekzekutimit të dënimeve alternative, reduktimin e krimit, zvogëlimin e shkallës së recidivizmit dhe rritjen e përgjithshme të sigurisë për shoqërinë tonë, Ministria e Drejtësisë ka ndarë edhe një buxhet që do të mund të shfrytëzohet nga zyrtarët tanë për përkrahjen e klientëve që janë në mbikëqyrje, gjatë ekzekutimit», tha Çelaj, transmeton Koha.net.

Zëvendësministri Çelaj ka njoftuar të pranishmit se është duke u hartuar projekt strategjia për fushën e ekzekutimit të sanksioneve penale, me ç’rast është formuar grupi punues që përfshin ekspert nga institucione të ndryshme, zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë, Gjyqtarë, Prokuror, Policë etj.

Në fund të fjalës së tij, zëvendësministri Çelaj theksoi se brenda kompetencave ligjore, Ministria e Drejtësisë është e gatshme të ju ndihmoj në realizimin e projekteve konkrete në Shërbimin Sprovues të Kosovës.