Çdo votë e humbur nga shqiptarët do të jetë dobësim i shqiptarëve

Ka një javë që posta zvicerane ka shpërndarë fletëvotimet për zgjedhjet parlamentare në Zvicër. Si rezultat i kandidaturave të shumta nga radhët e politikanëve me origjinë shqiptare në këto zgjedhje, komuniteti ynë po përfshihet si asnjëherë më parë në betejat politike në Zvicër. Ky proces demokratik është i domosdoshëm dhe i mirëpritur, por kësaj radhe po lë edhe një shije të hidhur.

Parlamenti i Zvicrës në Bernë. Foto: Shuterstock



Pas në fushate të suksesshme në zgjedhjet për Kuvendin Kantonal të Zürichut në prill të këtij viti, vendosa të mos jem pjesë e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në Zvicër më 18 tetor. Arsyet janë të shumta, ndër to natyrisht dhe fakti që nuk kisha gjasa reale të zgjidhem, pastaj – dhe kjo është më e rëndësishme – synimi im është të përqendrohem në politikën lokale. A duhet një kandidat të ketë gjasa reale që të kandidojë në zgjedhje? Jo, nuk duhet. Nëse kantonit të Zürichut i rezervohen 35 ulëse në parlamentin e Konfederatës në Bernë, atëherë patjetër do të ketë të tillë që figurojnë në listë pa pretendime reale për t’u zgjedhur. Euforia që ka kapur shqiptarët në Zvicër nënkupton se të gjithë kandidatët duhet ta zënë nga një ulëse në parlament në Bernë – përndryshe, sipas kësaj logjike, ata do të vulosen si të dështuar. Euforia e opinionit shqiptar, i cili përherë është kritik ndaj të tjerëve, por aspak ndaj vetes, ishte një arsye e mirë për të mos kandiduar shumë politikanë shqiptarë, të cilët preferojnë të merren me tema lokale.

Në shumë kantone të Zvicrës edhe kësaj radhe ka shumë kandidatë me prejardhje shqiptare, që figurojnë në listat e partive të ndryshme. Një shtet dhe një shoqëri e pasur vlerësohet politikisht përmes diversifikimit politik dhe mundësive për t’u kyçur në partitë me botëkuptime të ndryshme – tamam ashtu siç edhe po ngjet me komunitetin tonë në Zvicër. Një gjë e tillë nuk po ngjet sa duhet në vendet tona të origjinës.

Zvicra shumë herë na dëshmon që politika nuk është mjet ku disa individë arrijnë synimet e tyre personale. Këtu politika dhe qeverisja janë produkt i një kompromisi njerëzish të mbledhur nën ombrellën e partive të ndryshme, ku synimi kryesor është përfaqësimi maksimal i shoqërisë. Pra, nëse ka një komunitet specifik si për shembull bujqit zviceranë, atëherë shihet se ata nuk janë të përfaqësuar vetëm në një parti, por pothuajse në të gjitha partitë kryesore. Duke pasur një përfshirje të gjerë në qeverisjen qendrore, ky komunitet arrin që nga buxheti federal për vitin 2015 të vjelë për sektorin e bujqësisë deri në 2,8 miliardë franga apo 4,5 për qind të buxhetit të vendit. Njëkohësisht ky sektor punëson vetëm 3,8 për qind të punëtorëve në Zvicër.

Nëse marrim parasysh parlamentin dhe anëtarët e tij, atëherë nga “komuniteti bujqësor” në mandatin e kaluar janë zgjedhur 28 deputetë në dhomën e madhe të parlamentit. Këta deputetë përbëjnë 14 për qind të parlamentit. 28 deputetë të zgjedhur lobojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë për sektorin bujqësor duke arritur të sigurojnë subvencione të majme nga arka e shtetit. Natyrisht që një pjesë e buxhetit përherë duhet t’i takojë bujqësisë, sepse ky sektor kujdeset për prodhimin e ushqimit të shëndoshë dhe po ashtu mirëmban natyrën. Megjithatë, relacioni mes kontributit të bujqve dhe shumës që marrin nga buxheti nuk qëndron. Atëherë, çfarë mund të arrijmë me afro 200 mijë shqiptarë sa supozohet se jetojnë në Zvicër?

Në sistemin pluralist të Zvicrës katër partitë kryesore (SVP, SP, FDP, CVP) janë të përfshira në qeverinë qendrore. Ato përfaqësojnë 75 për qind të elektoratit pjesëmarrës në zgjedhje. Shembulli i bujqve tregon se përfaqësimi i mirëfilltë i interesave të një komuniteti nuk bëhet duke kandiduar për një parti. Në rastin e shqiptarëve vlen e njëjta gjë: po të kandidonin të gjithë për një parti, atëherë etiketimi negativ i tyre do të ishte më i lehtë. Suksesi me siguri do të mungonte. Bujqit nuk do të kishin mbështetjen financiare që kanë nëse ata do garonin vetëm në një parti. Ata mund të kenë qëndrime të ndryshme për shumë çështje, por kur bëhet fjalë për bujqësinë bashkohen dhe kanë një qëndrim. Gjithashtu, ata edhe në gara politike ndaj komunitetit të tyre dalin të bashkuar, duke mos rrezikuar asnjë votë.

Nëse kandidatët me origjinë shqiptare i referohen përfaqësimit politik të komunitetit shqiptar, ata para këtij komuniteti duhet ta kërkojnë votën të bashkuar – është absolutisht legjitime dhe standard i praktikuar. Nëse në kantonin e Zürichut janë dhjetë kandidatë me origjinë shqiptare, ata garojnë me programe politike të ndryshme ku do të votohen nga simpatizantët e partive të tyre. Sistemi zgjedhor në Zvicër lejon kumulimin e votave, pra që një kandidat të votohet dy herë në një listë apo edhe kombinimin e votave ku një kandidat i një partie tjetër mund të votohet në një listë të një partie tjetër. Nuk ka nevojë të bëjmë kundërfushatë brenda komunitetit shqiptar në Zvicër, sepse as që e kemi atë komoditet elektoral.

Ajo çfarë është duke ndodhur në këto zgjedhje është e dëmshme. Jo vetëm për vetë kandidatët shqiptarë në kantonet e ndryshme, por dhe për vetë komunitetin. Ndarja e votave të elektoratit shqiptaro-zviceran në mesin e kandidatëve të ndryshëm pa u kumuluar të gjitha bashkë, pamundëson përfaqësimin politik të komunitetit shqiptar. Nuk ka parti ideale për një etni, është absurde të mendohet një gjë e tillë. Shqiptarët në Zvicër identifikohen në politikë përmes ideve politike që kanë. Po ashtu, ndërhyrja e partive shqiptare nga vendet amë në fushatë të Zvicrës askujt nuk do t’i ndihmojë. Përkundrazi, pretendimi se një komunitet duhet të fokusohet në një parti do të dobësojë dhe zbehë gjithë angazhimin e viteve të fundit dhe do të jetë pengesë për integrimin e plotë të shqiptarëve në Zvicër.

Kandidatët duhet të jenë vetëkritikë, realistë dhe të vlerësojnë se sa janë gjasat e tyre për t’u zgjedhur, duke përfshirë në kalkulim kantonin, partinë apo fuqinë e partisë së tyre si dhe numrin e supozuar të shqiptarëve me të drejtë vote. Në rastin tim personal, nëse do të isha kandidat brenda listës së FDP-së, do të më duheshin 75 mijë vota – secili lexues mund ta vlerësojë se ky numër votash nuk arrihet pa projekt afatgjatë dhe pa bashkëveprimin e të gjithëve. Kandidatura bëhet në shumë raste me qëllim që t’i shërbejë partisë me disa vota të grumbulluara ose të marrë hapin e parë drejtë politikës, por pa pritshmëri serioze për t’u zgjedhur.

Duke marrë parasysh gjasat e të gjithë kandidatëve shqiptarë padyshim që ato të Arbër Bullakajt, i cili garon në kantonin St. Gallen në listën e socialdemokratëve, janë ndër më të mëdhatë. Këtë nuk e them si anashkalim ndaj të tjerëve, sepse përkatësia partiake e imja nuk më çon aspak në partinë e Arbërit, por është vlerësim racional e neutral. Çdo votë e humbur nga shqiptarët, e cila s’i shkon Arbërit, do të jetë dobësim i shqiptarëve – jo i partisë së tij, asaj socialdemokrate. Socialdemokratët do të vazhdojnë të bëjnë politikë në Zvicër, me ose pa Arbërin. Shqiptarët si kurrë më parë po e krijojnë mundësinë të jenë të barabartë, jo vetëm me dokumente në formë të një pasaporte, por duke bërë përpjekje të përfshihen në nivelin politik më të lartë – në parlamentin e Zvicrës. Ne mund të vendosim nëse shijen e keqe politike të fushatës mund ta tejkalojmë duke votuar për një kandidat, i cili flet shqip, por përfaqëson të gjithë – zviceranë vendorë dhe zviceranë të integruar.

Autori është nënkryetar i degës së Partisë Liberale të Zvicrës (FDP) në Qarkun e 9-të në Zürich.