Ç’do të thotë vrasja e ambasadorit për marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Turqisë

Gjendja aktuale e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve ngjan më shumë me atë të vitit 1903 sesa 1914, ndërsa Siria e sotme me Maqedoninë një shekull më parë, kur një ushtar shqiptar i Perandorisë Osmane vrau konsullin rus në Manastir.

Rexhep Taip Erdoan, president i Turqisë. Foto: Shutterstock



«Turku e vrau konsullin rus […] Kryengritësit maqedonas i kanë konsoliduar pozicionet – duket se lufta apo paqja varet nga princi Ferdinand».

Ky është titulli i «New York Times» në vitin 1903, nga qyteti maqedonas Manastir, ku konsullin rus e vrau një anëtar shqiptar i Ushtrisë Osmane. Heterogjeniteti maqedonas etnik i sllavëve, grekëve dhe shqiptarëve ishte viktimë e nacionalizmit në rritje, i zhvilluar ndërmjet Rusisë dhe Perandorisë Osmane në rënie. Në fillimet e hershme të 1900-tave, vrasja e ambasadorëve dhe e konsujve në Ballkan ishte bërë burim i vazhdueshëm i shqetësimit për administrimin perandorak, derisa besnikëria e forcave ushtarake dhe policore osmane multietnike dhe multifetare varej nga dinamika e pushteteve në Ballkan, të cilat ndryshonin.

Tranzicioni ballkanik ndërmjet dy fuqive imperialiste çoi në shfaqjen e rebelimit, që përfundimisht do të rezultojë me luftërat ballkanike, 1912-1913. Megjithatë, vrasja e konsullit rus më 1903 e kërcënoi paqen dhe e hapi mundësinë për luftë edhe më herët në Ballkan, e cila do të ndodhë një dekadë më vonë, pas manovrimeve të mëdha politike dhe diplomacisë së Sulltan Abdulhamitit II.

Loja e fuqive të mëdha

Andrei Karlov, ambasadori rus në Turqi, në të cilin u bë atentat më 19 dhjetor, është ambasadori i parë i vrarë në këtë vend që nga themelimi i Republikës më 1923. I emëruar më 2013, Karlov e ka pranuar një detyrë shumë të vështirë dhe ishte në pozitë në njërin nga episodet më të rënda në historinë e re të marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Rusisë, duke pasur një rol të rëndësishëm në përmirësimin e tyre prej kohës kur Turqia e rrëzoi aeroplanin rus në nëntor të vitit 2015.

Derisa po zhvillohet një kapitull tjetër brutal i luftës siriane në Halepin lindor dhe kombinimi i interesave të fuqive të mëdha dhe vullnetit lokal të grupeve joshtetërore, grupeve të armatosura për ta vazhduar luftën – kjo nuk është larg nga kushtet e periudhës 1903-1913.
Derisa krahasimi me Luftën e Parë Botërore dhe vrasja e Franc Ferdinandit në rrjetet sociale mund të duket në fillim interesant, harrohet fakti se konkurrenca gjeopolitike ndërmjet Turqisë dhe Rusisë daton në shekullin 18.

Për më tepër, gjendja aktuale e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve ngjan më shumë me atë të vitit 1903 sesa 1914, ndërsa Siria e sotme me Maqedoninë një shekull më parë – forcat e ngjashme, interesat dhe reagimet e jashtme. Vrasja në vitin 1903 çoi në lëshimet e mëdha të Perandorisë Osmane për Rusinë, pjesërisht për shkak të turpit diplomatik, por më shumë për shkak të marinës ruse në Detin e Zi. Sulltan Abdulhamiti II madje e ndoqi gjykimin e ushtarit shqiptar për t’u siguruar që ai do ta merrte dënimin me vdekje. Megjithatë, turqit hynë në Luftën e Parë Botërore kur marina osmane dhe gjermane e bombarduan Sevastopolin, portin kryesor rus në Detin e Zi.

Thirrjet e panevojshme për gjendje të jashtëzakonshme

Paralajmërimi i rrezikut për Luftën e Tretë Botërore është në masë të madhe i pabazë, të paktën kur është fjala për Turqinë, Rusinë apo Sirinë. Edhe pse Siria paraqet një bashkim të palëve në konflikt nga Lufta e Parë Botërore, ritmi i zhvillimeve në Siri dhe në Irak (ose në Halep dhe Mosul) është më shumë lokal (sektar-historik) sesa ndërkombëtar.

Nëse asgjë tjetër, vrasja e Karlovit do ta ketë një ndikim të ngjashëm si rrëzimi i avionit rus në nëntor të vitit 2015 – duke i afruar Moskën dhe Ankaranë (duke e bërë Ankaranë më të varur në çështjet e sigurisë nga Moska). Pas vrasjes në vitin 1903, shuma e tensioneve etnike në ushtrinë osmane dhe forcat lokale të sigurisë i alarmuan ambasadat e tjera, të cilat druanin për sulme të ngjashme dhe u bënë thirrje marinave të tyre për t’i ankoruar luftanijet e veta në Bosfor që ta mbrojnë e stafin e vet.

Së fundi, ndarjet në ushtrinë osmane, kërcënimet e krerëve të misioneve të huaja dhe qëndrimi europian që me perandori më nuk mund të përballohet vdekja e ngadaltë rezultuan direkt në komandën dhe ndikimin gjerman deri në vitin 1909, për t’i bashkuar mjaftueshëm oficerët osmanë për të luftuar për herë të fundit në Luftën e Parë Botërore. Sot, megjithatë, ka pak gjasa që Rusia do të ushtrojë ndikim të ngjashëm mbi ushtrinë turke. Me gjithë mbështetjen e Rusisë për Qeverinë turke pas një grushti shteti të dështuar në korrik dhe bashkëpunimit të të dyja palëve në Siri, është fakt se Rusia dhe Turqia mund të bëjnë shumë pak për njëra-tjetrën, përveç për Sirinë, si dhe partneritetet në energji, turizëm dhe tregti.
Turqia i ka përdorur gjatë marrëdhëniet e saj të përmirësuara me Rusinë si një levë për marrjen e kushteve më të mira për negociata me Bashkimin Europian dhe për forcimin e pozicionit të saj në NATO. Fokusi i Turqisë gjithmonë kanë qenë këto dy institucione, pavarësisht nga ajo që zyrtarët turq e thonë nëpër tubimet e vluara publike.

Edhe pse vrasja është edhe një tjetër goditje e rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Rusisë pas rrëzimit të avionit, nuk ka gjasa që t’i dëmtojë ato. Vlerësimet për Luftën e Tretë Botërore apo krahasimet me Franc Ferdinandin janë vetëm ekzagjerime.
Në mos asgjë tjetër, ajo do ta rrisë bashkëpunimin e inteligjencës dhe sigurisë ndërmjet dy vendeve. Megjithatë, incidenti e redukton aftësinë diplomatike të Ankarasë për të ushtruar trysni mbi Rusinë kur është në pyetje evakuimi nga Halepi, ose kur, pas kësaj, bëhet fjalë për rolin e Iranit në Sirinë e pasluftës.

Së fundi, kjo hap më shumë kanale për Moskën, nëpërmjet të cilëve Ankaraja mund të detyrohet ta ndërpresë çdo marrëdhënie në Siri, duke e përjashtuar në mënyrë efektive Turqinë nga Halepi, apo nga ngjarjet më pas kësaj.

(Akin Ünver është docent i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has në Stamboll. Ünver ka ligjëruar edhe në Universitetin e famshëm Princeton)