Çdo i treti zviceran vuan nga pagjumësia

Mungesa e gjumit ka pasoja për shëndetin dhe i kushton ekonomisë për çdo ditë 37 milionë franga.

Foto: Shutterstock



Për shumë zviceranë gjumi është një përfytyrim luksoz. Sipas një ankete, rezultatet e së cilës i ka prezantuar gazeta «NZZ am Sonntag», çdo i treti zviceran anohet se vuan nga pagjumësia. Ndërsa në të kaluarën të flesh së paku tetë orë ka qenë gjë normale, në dekadat e fundit orët që njerëzit i kalojnë duke fjetur po reduktohen. Një studim tregon se zviceranët shtrihen në shtrat në orën 22:41, në orën 23:03 i zë gjumi dhe në orën 06:27 zgjohen. Një krahasim me vitin 1983 tregon se atëherë zviceranët flinin 47 minuta më shumë se tani.

Pagjumësia lë pasoja në shëndetin e njerëzve, mes tjerash kjo vërehet në rritjen e peshës, plakjen e parakohshme të lëkurës, dobësimin e imunitetit, problemet e zemrës, sulmet në tru, rënien e koncentrimit etj. Në vitin 2014 shkencëtarët nga San Francisco arritën në përfundimin se te njerëzit që flenë më pak se shtatë orë vërehet një ndryshim i substancës së bardhë të trurit, ngjashëm si te pacientët me demencë.

Mungesa e gjumit ka pasoja jo vetëm për shëndetin. Ajo i kushton ekonomisë zvicerane për çdo ditë 37 milionë franga. Siç njofton gazeta «SonntagsBlick» sigurimet shëndetësore në Zvicër e kanë vërejtur këtë problem dhe nga kjo e hënë kompania e sigurimeve Swica do t’u vë në dispozicion online një program përmes të cilit të siguruarit mund të testojnë sjelljen gjatë gjumit dhe ta përmirësojnë. Programi quhet Mementor Somnium. (-lli)