«Çdo e arritur është bazuar në solidaritetin dhe zemërmirësinë e njeriut»

Florim Kadriu ka lindur në Zvicër dhe është rritur në Kërçovë. Ai kandidon për deputet kantonal në Aargau e angazhohet edhe për integrimin e emigracionit shqiptar dhe zgjidhjen e problemeve të tyre. Zgjedhjet zhvillohen me 23 tetor. Kadriu ka numrin 22.

Ju jeni kandidat për deputet kantonal në Aargau. A mund t’i prezentoheni opinionit në vija të trasha, kush është Florim Kadriu?



Unë jam lindur në Baden, ku dhe tani kandidoj, por jam rritur në Kërçovë, ku kam kryer shkollën fillore deri në vitin e parë të gjimnazit. Në Zvicër jam kthyer prapë në moshën 15-vjeçare, ku fillimisht shumë shpejt kam qënë i detyruar ta mësoj gjuhën gjermane dhe të kyqem në sistemin arsimor në Zvicër. Kjo nuk ka qënë edhe aq e lehtë, sepse vetë zhvendosja nga një shoqëri në një tjetër, nga një sistem në tjetrin, dhe ai i Maqedonisë dhe i Zvicrës më të pangjashëm nuk munden të jenë, ka kërkuar një angazhim dhe vullnet të jashtëzakonshëm nga ana ime. Tani jam duke studiuar Informatikën Ekonomike, studim të cilin shpresoj ta mbyll me sukses, që të marr gradën Bachelor në një nga shkollat e larta profesionale të Zvicrës.

Përse duhet t’ju votojnë qytetarët për deputet kantonal?

Në angazhimet e mia qytetare dhe politike besoj të kem dëshmuar guximin të prek tema, para të cilave stepen shumë njerëz të poltikës klasike, apo thjesht janë aq shumë të parangarkuar politikisht e ideologjikisht, saqë kufizohen dogmatikisht dhe mjerisht ripërtrypin të vjetrat e nuk i sjellin shoqërisë një vlerë të re. Te zvicranët ndodh kjo ndoshta me politikat për migracionin, te shqiptarët në Zvicër nevojitet padyshim ngritja e një kulture politike, e cila u mungon krejtësisht. Mendoj se bashkë me politikanë të tjerë shqiptaro-zviceranë mund të kontribuoj, duke sjellë inpute direkte nga shkollimi im i lartë, por dhe nga eksperienca ime si kryetar i Komitetit për Migrantët në sindikatën Unia në Aargau dhe nga aktivitetet në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
 Tre-katër vitet e fundit kanë qënë për mua shumë intensive, jam ndeshur me shumë koncepte politike, por dhe jam pjekur politikisht, duke i kuptuar ato sokaqet politike, gjeopolitike dhe globale. Duke u bazuar në vlerat, të arriturat dhe parimet e civilizimit kam vullnetin t’i ndërroj gjërat në dobi të shoqërisë tonë.

Cila është arsyeja që keni zgjedhur të kandidoni për Partinë Socialdemokrate?



Arsyeja më kryesore është sigurisht parimi i solidaritetit me shtresat e dobëta sociale, i cili në Partinë Socialdemokrate shkruhet dhe jetohet shumë lartë. Zgjedhja ime për përkatësinë time partiake, sinqerisht, më duhet të them, ka qënë një çështje e zemrës. Më në fund arrita te konkluzioni se shkrirja e gjakut tim politik nuk mund të jetë një çështje të cilën ta përcakton mendja, por duhet të ta dojë zemra, sepse  jam i bindur se çdo e arritur e njerëzimit është bazuar në solidaritetin dhe zemërmirësinë e njeriut, e rrallë ka qënë prodhim i kalkulimit të egër politik.

Kush është fokusi juaj kryesor tematik, programor, për të cilin angazhoheni?



Politika për migracionin në Zvicër dhe inkuadrimi i migrantëve është një nga çështjet më kryesore. Por, sigurisht edhe të drejtat e punëtorëve dhe reformat që pritet të ndodhin në sferën e sigurimeve shoqërore (pensione etj.), reforma të cilat patjetër duhet t’i kenë parasysh interesat e punëtoreve dhe punëtorëve në Zvicër. Kursimeve të rrepta, të përcjellura nga dhurata taksore ndaj shtresave të pasura në Aargau duhet të gjejnë një fund dhe aty tanimë gjendem në një angazhim të vazhdueshëm, ku sapo kemi arritur të kapim referendumin kundër reformës së tretë taksore për ndërmarrjet. Synoj të jap kontributin tim më të fortë në arritjen e një automatizmi të natyralizimit të brezit të dytë dhe të tretë, ku nuk do të ekzistojnë më pengesa të panevojshme dhe të kushtueshme për marrjen e shtetësisë nga të huajt e brezit të dytë dhe të tretë.

Po shqiptarët…?



Për shqiptarët na duhet një plan i përbashkët i të gjithë politikanëve shqiptaro-zviceran të çfarëdo partie për t’i afruar ato në proceset politike, për përfaqësimin e tyre në universitete dhe shkollat e larta profesionale. Inkuadrimi i shqiptarëve në politikë për mua është prioritar. Natyrisht se do të vazhdoj të jem aktiv në zgjidhjen e problemit me pensionet e kosovarëve, të cilat nuk ju paguhen kur e lënë Zvicrën dhe kthehen në Kosovë. Ky është një diskriminim dhe duhet që bashkarisht me Qeverinë e Kosovës dhe atë të Zvicrës ta korrigjojmë sa më shpejt.

Si t’ju votojnë ju konkretisht?

Votimet në Kantonin Aargau mbyllen më 23 tetor 2016. Nëpërmjet zarfit qytetarët mund të votojnë deri më 19 tetor. Pastaj ekziston mundësia e votimit deri në ditën e fundit, direkt në lokalin zgjedhor të komunës përkatëse.
 Unë në listën 3 kam numrin e kadidatit 22. I ftoj sidomos qytetarët tanë që kanë shtetësinë zvicerane dhe jetojnë në qarkun e Badenit të më votojnë masovikisht. Unë i siguroj se do të angazhohem me vondosmërinë më të madhe për interesat e tyre dhe për një të ardhme më të mirë.