Carla Del Ponte merr çmimin për dinjitetin njerëzor

Ish kryeprokurorja e Hagës, Carla Del Ponte e ka marrë çmimin për dinjitetin njerëzor nga fondacioni Tertianum dhe Banka Kantonale e Cyrihut. Çmimi kap një vlerë monetare prej 10'000 frangave zvicerane dhe do t’i jepet me 15 tetor në Shtëpinë e Srtit në Cyrih.

Foto: Inna Felker / Shutterstock.com



Me motivacionin e dhënies së çmimit thuhet se jeta dhe puna e Carla Del Pontes karakterizohen nga angazhimi për të drejtën dhe drejtësinë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftës së saj për dinjitetin njerëzor. Kështu e transmeton agjencia zvicerane e lajmeve «sda» vendimin e fondacionit Tertianum.

Laureatja e çmimit ka qenë prokurore e kantonit të Tesinës dhe ka bashkëpunuar me gjykatësin e vrarë Giovanni Falcone në luftën kundër mafias. Ajo u emërua prokurore shteti e konfederatës zvicerane dhe është shquar në luftën kundër korrupsionit dhe shpërlarjes së parasë.

Më vonë, Del Ponte u emërua kryeprokurore e gjykatës ndërkombëtare penale për krimet e luftës në ish-Jugosllavi dhe për gjenocidin në Ruandë. Në vitin 2008 ajo botoi një material të gjërë mbi, siç thuhet, «trafikimin e organeve nga shqiptarët e Kosovës». Del Ponte bënte pjesë edhe në komisionin për hetimin e lëndimit të të drejtave të njeriut në Siri.

Çmimi i fondacionit Tertianum për dinjitetin njerëzor jepet për çdo vit që nga 2006-ta. Laureate e tij vitin e kaluar ishte shoqata kundër alzheimerit. ks