«Caritasi» zviceran mbështet edukimin parashkollor në Mamushë

Misioni i «Caritasit» zviceran në Kosovë të martën ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Mamushës për mbështetjen e edukimit parashkollor, e cila edhe shënon fillimin e fazës së pestë të projektit të edukimit parashkollor të kësaj organizate për periudhën 2015-2017.




«Jemi të kënaqur që po lidhim marrëveshje me «Caritasin» zviceran në përmbushjen e synimeve tona për një edukim të mirëfilltë dhe cilësor në nivel komunal», ka thënë gjatë ceremonisë së nënshkrimit kryetari i Komunës së Mamushës, Arif Butuç, shkruan sot «Koha Ditore».

Ndërkaq Kreshnik Basha, shef i misionit të «Caritasit» zviceran ka theksuar se kjo organizatë përmes këtij projekti do të ofrojë mbështetje për arsimim parashkollor në Komunën e Mamushës, nëpërmjet pajisjes së klasave parashkollore dhe do të sigurojë trajnim për edukatorët parashkollorë.

«Trajnimi që do të ofrohet nga ‘Caritasi’ zviceran është certifikuar nga departamenti përkatës i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për zbatimin e trajnimit të mësuesve parashkollorë. Për këtë qëllim ne kemi krijuar tashmë planin dinamik në përputhje me kërkesat e DKA-së», ka deklaruar Basha.