Çantat e mbingarkuara të nxënësve, shqetësim për prindërit




Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës përmes një reagimi ka shfaqur shqetësimin për peshën që fëmijët janë të detyruar të ngarkojnë në çantat e tyre.

 

Edhe këtë vit shkollor MASHT-i, pajisi të gjithë nxënësit e arsimit fillor dhe atij të mesëm të ulët me tekste shkollore falas, transmeton Koha.net.

Këshilli i Prindërve vlerëson lartë këtë përkrahje që u bëhet prindërve, e cila ka një kosto financiare jo të vogël.

Megjithatë, prindërit mbesin të shqetësuar me peshën e rendë të çantave, veçanërisht për nxënësit e klasave fillore nga e para deri në klasën e pestë, e cila ka rreth 20% të peshës trupore të fëmijëve. Standardet e përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetit, parashohin që ngarkesa fizike te fëmijët nuk guxon të kalojë 10 përqindëshin e peshës trupore të fëmijëve.

Edhe prindërit janë të vetëdijshëm që plan-programet aktuale, të cilat i ka hartuar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, parashohin të gjitha ato tekste, por është momenti i fundit që Qeveria dhe komunat e Kosovës urgjentisht të trajtojnë këtë problem mjaft shqetësues, i cili ndikon drejtpërsëdrejti në shëndetin e fëmijëve, përfundon reagimi i kryetarit të Këshillit të Prindërve të Kosovës, Bajram Beqiri.