Buzë detit

Ilustrimi: Shutterstock

Atje ku dallga shushurimën tret,
Lagur, kripur pritja ime rritet,
Me dhimbje përzier këtu në breg,
Vegimesh shpresa më fashitet.

Një këngë për detin e harruar.
Për valët vargje më nuk kam.
Vetmi e trishtë më ka plaguar.
E ditët m’i zhurit një mall.

Të shkoj larg do të desha diku,
Atje ku kujtimet s’do mund t’i prek,
I vetëm, pa gazin, pa ditur për ku,
Veç zemra të ma thotë një shteg.

Ti dallgë e kaltër braktisjen më sjell,
Harrim për pritjen kur nuk e dua,
Atë që desha përse nuk ma kthen?
Në mos pastaj, merrmë dhe mua.