Busti i Nënës Terezë në «Parkun muze» të Torontos




Në Kanada është përuruar busti i një nga figurave më të mëdha të kombit shqiptar, Nënës Terezë, vepër e skulptorit nga Mitrovica, Miftar Istrefi-Tali.

 

Nëna Terezë, e punuar nga ky artisti i Kosovës, është vendosur në «Midland Schrine Park», në Toronto më 13 shtator, që është «Parku muze» i të gjithë komuniteteve të mbarë botës.

Skulptura e derdhur në bronz nga Miftar Istrefi-Tali, paraqet Nënën Terezë në momentin e lutjes, raporton Koha.net. Pjesë e bustit gjithashtu është edhe pllakati në të cilën është shkruar një thënie mbi jetën dhe humanizmin e saj.

Artisti nga Mitrovica është shprehur se është një moment krenarie përurimi i një figure të tillë kombëtare, në një vend kaq të rëndësishëm në botë.

«Të jesh autor i një figure të tillë kombëtare si Nëna Terezë është një mburrje e madhe për mua si artist dhe ndjehem me fat që një vepër e tillë e imja është përuruar në Toronto», është shprehur Tali për Koha.net.

Ai më tutje ka zbuluar se është duke punuar shtatoren e Nënës Terezë, e cila do të vendoset në katedralen «Johann Baptist» në Munich, gjatë muajve të ardhshëm.